Lidhje

Kosova shënon 13 vjetorin e shpalljes së pavarësisë


Me veprimtari të ndryshme Kosova shënoi sot 13 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së saj. Udhëheqës të institucioneve thanë se pavarësia e Kosovës është një ëndërr e realizuar prandaj duhet të punohet fort në mbrojtjen e saj. .

Kosova po kremton sot përvjetorin e 13të të shpalljes së pavarësisë së saj.

Kosova kremton 13 vjetorin e pavarësisë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:46 0:00

Monumenti NEWBORN këtë vit ka pamjen e uniformës së ushtrisë, në nderim të sakrificës të të gjithë atyre që dhanë jetën, për paqen në Kosovë.

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se rruga drejt pavarësisë së Kosovës nuk ishte e lehtë dhe as e shkurtër, prandaj secili hap më tej duhet të bëhet në mbrojtje të saj.

“Në këtë 13 vjetor të shtetit tonë, përpjekja e dikurshme për liri është shndërruar në përpjekje për ta forcuar shtetin tonë, jo vetëm në planin e brendshëm por edhe në atë ndërkombëtar. Liria dhe pavarësia e vendit nuk janë akte të vetme të bërjes së shtetit, para nesh kemi një rrugë të gjatë për ta përmirësuar pozitën ndërkombëtare të vendit tonë, për ta rritur mirëqenien e qytetarëve tanë dhe për ta bërë Kosovën strehë të sigurt për secilin qytetar tonin", tha ajo.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, tha se ka shumë punë për ta bërë Kosovën vend siç e kanë menduar të gjithë ata që dhanë kontribut për themelimin e shtetit.

“Pavarësia e Kosovës është një ëndërr e realizuar e gjeneratave që sakrifikuan çdo gjë. Ndërkohë që mbetet shumë punë për të realizuar aspiratën për integrime euroatlantike të Kosovës. I tillë ishte vizioni dhe amaneti i heronjve tanë të cilët na ndriçuan rrugën në luftën çlirimtare. Por ambicia e tyre nuk mbaron këtu, kjo ambicie rritet e zhvillohet çdo ditë, ashtu siç po konsolidohet dhe avancohet demokracia si vlera më e lartë dhe e çmuar e gjithë historisë njerëzore”, tha ai.

Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008, nëntë vjet pasi ndërhyrja e NATO-s i dha fund luftës gati dyvjeçare që la pas vetes mbi dhjetë mijë të vrarë dhe mijëra të zhdukur.

“Shpallja e pavarësisë së Kosovës është një ndjenjë e veçantë, e papërshkrueshme dhe besoj e papërsëritshme deri në bashkimin kombëtar. Uroj gjithë shqiptarët kudo që janë festën e pavarësisë së Kosovës dhe bashkim sa më të shpejtë kombëtar”, tha një qytetare.

“Ta them të vërtetën është e papërshkrueshme, është ndjenjë e mirë, liri, pavarësi e të gjitha të mirat. Ju uroj të gjithë kosovarëve ditën e pavarësisë”, tha një qytetar.

Pavarësia e Kosovës është njohur nga më shumë se 100 vende të botës. Ditë më parë edhe nga Izraeli, ndërsa vazhdon të kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia.

Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 janë përfshirë në një proces bisedimesh me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Bashkësia ndërkombëtare po bën thirrje që bisedimet të jenë përparësi e punës së qeverisë së ardhshme që pritet të formohet pas zgjedhjeve të së dielës në të clat fituese doli lëvizja Vetëvendosje. Kryetari i kësaj partie Albin Kurti ka theksuar se bisedimet nuk janë përparësi e tij.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara dhe Departamenti i shtetit përgëzuan Kosovën me rastin e përvjetorit të pavarësisë duke bërë thirrje që të vazhdojnë përpjekjet për një marrëveshje me Serbinë e cila në qendër ka njohjen e ndërsjellë dhe që këto përpjekje të shndërrohen në përparësi të qeverisë së re.

Përvjetori i 13-të i pavarësisë e gjen Kosovën me një skenë politike të ndryshuar rrënjësisht e cila trashëgon probleme të vjetra përfshirë ede situatën e rënduar ekonomike nga pasojat e COVID-19. Kosova vazhdon të jetë e fundit në rajon në proceset integruese dhe qytetarët e saj janë të vetmit në Evropën Juglindore që nuk mund të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës Shëngen.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG