Lidhje

Miliona vetë pa energji në Teksas në mes të stuhisë dimërore


Teksas, 15 shkurt 2021

Një stuhi e rallë dimërore ka sjellë temperatura të acarta në të paktën gjysmën e territorit të Shteteve të Bashkuara, duke lënë 2.5 milionë banorë të Teksasit pa energji elektrike.

Dëbora dhe temperaturat e ulëta në nivel rekord vazhduan edhe të mërkurën në këtë shtet në kufi me Meksikën. Moti i pazakontë ka shtuar tepër kërkesën për energji elektrike për ngrohjen e mjediseve të brendshme, duke mbingarkuar sistemin energjetik. Kjo rezultoi në ndërprerje të furnizimit me energji si pasojë e problemeve në rrjet.

Lina Hidalgo, gjykatësja e komunës Harris ku përfshihet edhe qyteti Hjuston, tha se disa nga ndërprerjet e energjisë janë shkaktuar nga moti dhe shumë prej tyre po riparohen.

Por ajo shtoi se shumë nga problemet në këtë shtet janë “fatkeqësi të shkaktuara nga njeriu” si rezultat i problemeve në rrjetin elektrik që menaxhohet nga Këshilli për Energji të Qëndrueshme në Teksas (ERCOT), duke shtuar se qytetarët në këtë shtet meritojnë shpjegime nga agjencia e mbikqyrjes energjetike.

Presidenti i këshillit ERCOT, Bill Magness tha se u përpoqën ta përgatisin sistemin për stuhinë, por kushtet e motit u keqësuan të martën dhe shumë centrale ndërprenë punën. Disa politikanë në këtë shtet të njohur për objektet e prodhimit të naftës e gazit natyror, fajësuan energjinë e gjelbër për ndërprerjet duke thënë se problemet u shkaktuan nga ngrirja e turbinave të erës.

Zoti Magness tha se disa turbina kishin ngrirë, por shtoi se një kapacitet dy herë më i madh prodhimi ishte ndërprerë nga ndalimi i punës së centraleve me qymyrguri dhe gaz natyror. Ai shpjegoi se ndërprerja e punës në këto centrale ishte e domosdoshme për të parandaluar avari edhe më të rënda.

Zyrtari tha se nuk mund të jepte një datë specifike se kur mund të kthehej furnizimi me energji. Guvernatori i Teksasit, republikani Greg Abbott bëri thirrje për hetime mbi punën e kësaj strukture mbikqyrëse.

Parashikimet meteorologjike flasin për vazhdimin e motit të acartë për të paktën disa ditë në Teksas dhe pjesën lindore të vendit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG