Lidhje

Trump-McConnell, dikur aleatë politikë, tashmë me qëndrime krejt të ndryshme


Për katër vjet ish-Presidenti Donald Trump dhe udhëheqësi republikan i Senatit Mitch McConnell kishin një qëndrim të përbashkët për shumë çështje. Ligjvënësi i jepte shtysë përpara kërkesave të zotit Trump për uljen e taksave, kufizimit të rregulloreve qeveritare dhe vendosjes së juristëve konservatorë në Gjykatën e Lartë dhe gjykatat më të ulëta të vendit.

Por tashmë që zoti Trump nuk është më në detyrë e që zoti McConnell udhëheq pakicën republikane të Senatit, dhe jo më shumicën, marrëdhënia e tyre është zhytur në një “det” problematikash.

Javën e kaluar zoti McConnell votoi për të shpallur të pafajshëm zotin Trump në përfundim të gjyqit ndaj tij në Senat lidhur me akuzën për nxitje të sulmit të 6 janarit në Kapitolin që la pas 5 viktima.

Por zoti McConnell tha se ai votoi në favor të zotit Trump vetëm sepse nuk besonte se Kushtetuta lejonte shpalljen e tij fajtor pas largimit nga detyra. Senati votoi me 57 vota pro fajësimit të zotit Trump dhe 43 kundër, por ato ishin të pamjaftueshme për të arritur kufirin prej dy të tretash, të nevojshme për dënimin e tij.

Pas votimit zoti McConnell lëshoi një sërë kritikash ndaj personit që ai mendonte se ishte i vetmi përgjegjës për kaosin që kërcënoi jetën e ish-Nënpresidentit Mike Pence dhe sigurinë e ligjvënësve: Donald Trumpit.

"Nuk ka asnjë dyshim që Presidenti Trump është praktikisht dhe moralisht përgjegjës për provokimin e ngjarjeve të asaj dite", tha ai gjatë një fjalimi në Senat të shtunën pasdite, duke vënë në dukje se zoti Trump i kishte parë ngjarjet tek zhvilloheshin në televizor. "Një turmë po sulmonte Kapitolin në emër të tij. Këta kriminelë po mbanin banderola të tij, flamujt e tij dhe bërtisnin duke shprehur besnikëri ndaj tij".

Zoti McConnell shtoi se "ky ishte kulmimi i fortë i teorive të konspiracionit orkestruar nga një president në ikje i cili dukej i vendosur për të anuluar verdiktin e votuesve ose përndryshe do të digjte institucionet tona ndërsa largohej nga detyra".

Zoti Trump u përgjigj me të njëjtën monedhë të martën në mbrëmjë nga rezidenca e tij në Florida ku u zhvendos pasi u largua nga Uashingtoni.

Ai e quajti zotin McConnell “një mashtrues politik të ngrysur, të mërzitur e të vrazhdë”. Në deklaratën e tij zoti Trump shprehej se nëse senatorët republikanë e mbajnë zotin McConnell si udhëheqësin e tyre "ata nuk do të fitojnë sërish"."Ai nuk do të bëjë kurrë atë që duhet bërë, ose atë që është e drejtë për vendin tonë", tha zoti Trump për zotin McConnell edhe pse ligjvënësi ka zbatuar kërkesat e zotit Trump gjatë mandatit të tij katër-vjeçar në Shtëpinë e Bardhë.

Pas shpalljes së tij si i pafajshëm nga Senati, zoti Trump tha se do të angazhohej në strukturimin e një peizazhi politik republikan përpara zgjedhjeve të kongresit të 2022 kohë kur do të garohet për të 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve si dhe një të tretën e Senatit prej 100 anëtarësh.

"Atje ku do të jetë e nevojshme dhe e përshtatshme", tha zoti Trump në deklaratën e tij të martën, "do të mbështes ata që mbështesin filozofinë ta bëjmë Amerikën sërish të madhërishme dhe politikën tonë Amerika e para. Ne duam një udhëheqje të shkëlqyer, të fortë, të matur dhe udhëheqje që dëshmon dhembshuri".

Nuk është e qartë se si lista e kandidatëve republikanë të favorizuar nga zoti Trump mund të ndryshonte nga ata që zoti McConnell do të mbështeste. Zoti McConnell thotë se ai është më i interesuar për kandidatët republikanë të cilët mund të fitojnë dhe të rimarrin kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit.

Demokratët kanë një shumicë të vogël në Dhomën e Përfaqësuesve dhe janë të ndarë barabar në Senat, ku vendimtare është vota e nënpresidentes Kamala Harris që mund të thyente një votim në favor të axhendës legjislative të zotit Biden.

Ndarja Trump-McConnell pasqyron ankesat nga shtete të ndryshme dhe grupe lokale republikane kundër ligjvënësve republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve, të cilët muajin e kaluar votuan për të ngritur akuzat ndaj ish-presidentit Trump me një akuzë të vetme për nxitje të kryengritjes dhe kundër shtatë senatorëve republikanë që u bashkuan me të gjithë 50 demokratët në votimin për të dënuar Trumpin.

Që nga votimi i së shtunës për të shfajësuar Trumpin, disa grupe republikanësh në shtete të ndyshme kanë dënuar ligjvënësit republikanë që votuan për ta dënuar atë.

Nga ana tjetër, ligjvënësit thanë se provat në gjyqin pesë-ditor treguan se zoti Trump ishte fajtor pasi ai u bëri thirrje mbështetësve në një tubim pranë Shtëpisë së Bardhë të "luftonin me çdo kusht" për të përmbysur fitoren e zotit Biden dhe më pas i dërgoi ata të marshonin në Kapitol.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG