Lidhje

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut i kërkon Moskës të lirojë opozitarin Navalny


Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (ECHR) po i bën thirrje Rusisë që të lirojë kritikun e Kremlinit Alexey Navalny.

Përmes një deklarate për shtyp të mërkurën, gjykata shprehej se “jep një masë të përkohshme në favor” të zotit Navalny dhe “i kërkon qeverisë ruse që ta lirojë atë”.

Vendimi i gjykatës kërkon që opozitari Navalny të lirohet menjëherë, duke paralajmëruar se dështimi për ta bërë këtë do të shënonte një shkelje të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Gjykata vuri në dukje nenin 39 të rregullores, duke theksuar “natyrën dhe shkallën e rrezikut për jetën e aplikantit”. 44-vjeçari Navalny është burgosur që nga kthimi i tij në Rusi muajin e kaluar. Moska thotë se ai shkeli rregullat e lirimit të tij me kusht ndërsa po kurohej në Gjemani nga një sulm me agjent kimik. Në vitin 2014 ai u dënua për përvetësim, dënim të cilin Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (ECHR) e ka cilësuar të paligjshëm.

Zoti Navalny u trajtua në Gjermani pas një sulmi me agjent nervor në Siberi gushtin e shkuar. Ai fajësoi Rusinë për helminin, akuzë e mohuar nga Kremlini.

Disa vende perëndimore kanë bërë thirrje për lirimin e opozitarit Navalny, duke kërcënuar vënien e sanksioneve kundër Rusisë mbi këtë çështje.

Ministria e Drejtësisë së Rusisë paralajmëroi në një deklaratë se kërkesa nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (ECHR) do të përfaqësonte një “ndërhyrje të vrazhdë në sistemin juridik të Rusisë, duke kaluar vijën e kuqe”.

ECHR është gjykata ndërkombëtare e Këshillit të Evropës, forumi kryesor i Evropës për të drejtat e njeriut. Në të kaluarën, Rusia ka zbatuar vendimet e kësaj gjykate për të dëmshpërblyer qytetarët rusë që kundërshtuan vendimet e gjykatave ruse, por nuk është përballur asnjëherë me një kërkesë nga gjykata për të liruar dikë të ndaluar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG