Lidhje

Jetëgjatësia në SHBA shënon rënie me një vit 


Chart shows the change in estimated life expectancy in the U.S. from 2019 to 2020.

Qendrat Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) publikuan të enjten statistikat që tregojnë se jetëgjatësia në përgjithësi ra me një vit të plotë në gjysmën e parë të vitit 2020, rënia më e madhe që nga Lufta e Dytë Botërore.

Të dhënat paraprake të lëshuara nga Qendra Kombëtare e Statistikave Shëndetësore e CDC për periudhën janar-qershor 2020 tregojnë se pakicat shënuan një rënie më të madhe, me afrikano-amerikanët që shënuan gati tre vjet dhe hispanikët, gati dy vjet rënie të jetëgjatësisë.

Zyrtarët shëndetësorë thonë se të dhënat pasqyrojnë ndikimin e pandemisë së COVID-19 si dhe një rritje të vdekjeve nga mbidozat e ilaçeve, sulmet në zemër dhe sëmundjet që shoqëruan shpërthimin e pandemisë.

Qendrat Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve llogarisin jetëgjatësinë bazuar në atë se mesatarisht sa kohë mund të pritet të jetojë një fëmijë i lindur sot. Statistikat tregojnë, në përgjithësi, se në gjysmën e parë të vitit të kaluar, jetëgjatësia ishte 77.8 vjet për amerikanët në përgjithësi, një vit më e ulët krahasuar me vitin 2019, kur jetëgjatësia ishte 78.8. Të dhënat tregojnë se jetëgjatësia për meshkujt ishte 75.1 vjet dhe për femrat 80.5 vjet.

Qendrat Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve thonë se hera e fundit që jetëgjatësia në lindje ra në mënyrë më dramatike ishte gjatë Luftës së Dytë Botërore. Bazuar në shifrat e fundit, banorët e Shteteve të Bashkura tani mund të presin të jetojnë për aq kohë sa jetuan në vitin 2006.

Jetëgjatësia në lindje, e konsideruar si një barometër i besueshëm i shëndetit të një vendi, është rritur në mënyrë të vazhdueshme në Shtetet e Bashkuara që nga mesi i shekullit të 20-të. Tashmë dihet që 2020 ishte viti më vdekjeprurës në historinë e Shteteve të Bashkuara, duke kaluar shifrën e 3 milionë vdekjeve në një vit për herë të parë në historinë e vendit.

Lajmi i vetëm i mirë në raport është se jetëgjatësia zakonisht kthehet shpejt, për shkak të mënyrës së si llogaritet ajo. Ekspertët e shëndetësisë thanë se pas përfundimit të pandemisë së koronavirusit në Shtetet e Bashkuara presin që jetëgjatësia të kthehet në nivelin e mëparshëm.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG