Lidhje

Shtëpia e Bardhë kërkon bashkëpunimin e medias sociale për të luftuar informacionin e gabuar për Covid-19


White House building
White House building

Shtëpia e Bardhë ka kontaktuar kompanitë e mediave sociale përfshirë Facebook-un, Twitter-in dhe Google-in për të luftuar keqinformimet për COVID-in dhe për të mos lejuar këto dezinformacione të bëhen virale, tha një zyrtar i lartë i administratës.

Presidenti Joe Biden, i cili po punon për të frenuar pandeminë që kur mori postin, e ka bërë vaksinimin e amerikanëve një nga përparësitë e tij kryesore dhe e quajti lëvizjen "një përpjekje si në kohë lufte". Por trajtimi i frikës së publikut për marrjen e vaksinës po shfaqet si një pengesë e madhe për administratën.

Që nga fillimi i pandemisë, janë rritur thirrjet e ligjvënësve që u kërkojnë kompanive të trajtojnë përhapjen e dezinformatave për COVID-19 në platformat e tyre.

Angazhimi i drejtpërdrejtë i Shtëpisë së Bardhë me kompanitë e medias sociale për të zbutur këtë sfidë nuk është raportuar më parë. Shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë Ron Klain ka thënë më parë se administrata do të përpiqet të punojë me kompanitë teknologjike të Silicon Valley-it për këtë çështje.

"Dezinformimi që shkakton hezitim të vaksinimit do të jetë një pengesë e madhe për të inakuluar të gjithë dhe nuk ka lojtarë më të mëdhenj sesa platformat e mediave sociale," tha burimi, i cili ka njohuri të drejtpërdrejtë për përpjekjet e Shtëpisë së Bardhë.

Shtëpia e Bardhë po përpiqet që materiale të tilla "të mos fillojnë të shpërndahen në platforma të tilla dhe të bëhen një lëvizje e gjerë", tha burimi.

Burimi përmendi shembullin e protestave kundër vaksinimit në Stadiumin Dodger në Los Anxhelos në fillim të shkurtit dhe tha se Shtëpia e Bardhë dëshiron të ndalojë ngjarje të tilla të ndodhin përsëri.

Protesta, e organizuar në Facebook përmes një faqeje që promovon pretendimet të rrëme në lidhje me pandeminë e koronavirusit, maskat dhe imunizimin, bllokoi për pak kohë hyrjen e publikut në stadium - një nga vendet më të mëdha të vaksinimit në vend, ku autoritetet shëndetësore po kryejnë më shumë se 8,000 vaksinime në ditë.

Ngjarja ilustron shkallën në të cilën platformat e mediave sociale janë bërë një mjet i rëndësishëm organizimi për lëvizje të tilla kundër vaksinave, që përhapin dezinformimin.

Një numër në rritje i aktivistëve kundër vaksinës, të inkurajuar nga rritja ndjekësve të tyre në mediat sociale, e kanë ndihmuar këtë lëvizje të marrë forcë në Shtetet e Bashkuara. Një raport nga Qendra Kundër Shëndetit Dixhital në korrik 2020 zbuloi se llogaritë e mediave sociale të aktivistëve kundër vaksinave janë rritur me të paktën 7 · 8 milionë njerëz që nga viti 2019.

Të enjten, senatori demokrat Richard Blumenthal kritikoi platformat për bartjen e reklamave që ai tha se financojnë dhe promovojnë "teori të rrezikshme konspirative, dezinformim për COVID-19 dhe propagandë keqdashëse të huaj".

Një zëdhënëse e Facebook-ut tha se kompania ka kontaktuar Shtëpinë e Bardhë për të ofruar "çdo ndihmë që mund të sigurojmë" dhe ka njoftuar kohët e fundit një politikë të re për të hequr informacionin e gabuar për COVID-in dhe vaksinën së bashku me faqet, grupet dhe llogaritë që përhapin në mënyrë të përsëritur material të tillë.

Një zëdhënës i Twitter-it tha se kompania është "në komunikim të rregullt me Shtëpinë e Bardhë për një numër çështjesh kritike përfshirë dezinformimin për COVID-19".

Google nuk komentoi mbi angazhimin me Shtëpinë e Bardhë, por tregoi një blog të kompanisë të ndërtuar për të ndaluar dezinformimin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG