Lidhje

SHBA: Ligji i ri i Kinës shton tensionet rajonale në Azi


Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara nga veprimet e fundit të Kinës, e cila ka aktivizuar kohët e fundit ligjin për rojen bregdetare që mund të shkaktojë përshkallëzim të ballafaqimeve detare, tha Departamenti amerikan i Shtetit të premten, duke shtuar se këto veprime janë një mënyrë për të afirmuar pretendimet e paligjshme të Pekinit.

Kina, e cila ka përplasje me Japoninë dhe disa vende në Detin e Kinës Lindore lidhur me pretendime territoriale, miratoi muajin e kaluar një ligj që për herë të parë autorizon haptazi gardën bregdetare kineze të qëllojë mbi mjetet e huaja të lundrimit.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price tha në një konferencë për shtyp në Uashington se SHBA janë “të shqetësuara nga gjuha e përdorur në ligj, ku shprehimisht flitet për përdorimin e forcës, përfshirë forcë ushtarake, nga roja bregdetare për të mbështetur pretendimet e Kinës si dhe në përgjigje të ballafaqimeve të vazhdueshme territoriale në ujërat e Deteve të Kinës Lindore dhe të Jugut”.

Ai tha se gjuha “nënkupton dukshëm se ligji mund të përdoret për të frikësuar fqinjët”.

"Ne jemi gjithashtu të shqetësuar se Kina mund ta përdorë ligjin e ri për të ushtruar pretendimet e paligjshme detare në Detin e Kinës së Jugut, të cilat.u hodhën poshtë me vendim gjykate në 2016,” tha ai duke iu referuar vendimit në favor të Filipineve në një mosmarrëveshje me Kinën.

Zëdhënësi Price tha se SHBA ritheksuan deklaratat e korrikut, kur sekretari i atëhershëm i Shtetit Mike Pompeo hodhi poshtë duke i cilësuar si “plotësisht të papërligjshme” pretendimet e Kinës për të shfrytëzuar burimet nënujore në Detin e Kinës së Jugut.

Ai shtoi se SHBA “qëndrojnë të palëkundura” në angazhimet e tyre përkrah Japonisë dhe Filipineve.

SHBA ka traktate për mbrojtje të ndërsjelltë si me Japoninë, ashtu edhe me Filipinet dhe kryejnë patrullime të rregullta në rajon për të sfiduar pretendimet detare të Kinës.

Muajin e kaluar, Filipinet thanë se kishin paraqitur një notë proteste lidhur me ligjin e ri të Kinës, duke e cilësuar si “kërcënim lufte”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG