Lidhje

E dyshuara e 6 janarit akuzon mediat e krahut të djathtë


FILE - Jessica Marie Watkins poses for a booking photograph at the Montgomery County Jail in Dayton, Ohio, U.S. Jan. 18, 2021.

Një e dyshuar, e akuzuar në lidhje me trazirat e 6 janarit në Kapitol, fajësoi pjesërisht "mediat e krahut të djathtë" për veprimet e saj, ndërkohë që disa media konservatore përballen me akuza se përhapën dezinformacion përpara dhunës që la pesë të vdekur.

Në një kërkesë të paraqitur të shtunën në gjykatë për t’i lejuar të qëndronte në shtëpi në pritje të rezultatit të çështjes, Jessica Watkins tha se ajo "ra pre e pretendimeve të rreme dhe nxitëse të ish-presidentit, mbështetësve të tij dhe mediave të krahut të djathtë".

Jessica Watkins, e dyta nga e majta, marshojnë drejt shkallëve të Kapitolit më 6 janar 2021.
Jessica Watkins, e dyta nga e majta, marshojnë drejt shkallëve të Kapitolit më 6 janar 2021.

Ajo nuk i identifikoi mediat me emër dhe nuk dha më shumë hollësi se cilat ishin pretendimet që e bënë të merrte pjesë në protestë.

Watkins, një udhëheqëse e grupit të së djathtës ekstreme 'Oath Keepers', është akuzuar për komplot për të sulmuar Kapitolin dhe për të mos lejuar Kongresin të çertifikonte fitoren e Presidentit Joe Biden në zgjedhje. Ajo nuk i ka pranuar akuzat.

Roli që media mund të ketë luajtur përpara sulmit ndaj Kapitolit është kritikuar nga disa qarqe. Të hënën, dy ligjvënës demokratë dërguan letra në 12 kompani kabllore dhe satelitore, ku i inkurajonin ato të trajtonin çështjen e "shpërndarjes së dezinformacioneve ndaj miliona" përdoruesve nga disa prej kanaleve të tyre.

Në letër thuhej se "media të krahut të djathtë, si Newsmax, One America News Network (OANN) dhe Fox News transmetuan dezinformata në lidhje me zgjedhjet e nëntorit 2020".

Të mërkurën, Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Energjinë dhe Tregtinë zhvillon një seancë dëgjimore mbi rolin e medias tradicionale në nxitjen e dezinformimit dhe të ekstremizmit.

Në kërkesën e Jessica Watkins për gjykatën, thuhej se pas trazirave, ajo ishte njëra prej atyre që besonin "pohimet e medias së krahut të djathtë se dhuna ishte kryer nga 'antifa' ose të tjerë". Në pasqyrimin nga ana e tyre të ngjarjeve të 6 janarit, mediat konservatore herë-herë hedhin dyshime mbi identitetin e protestuesve.

Drejtuesit dhe të ftuarit në të gjitha këto rrjete e kanë dënuar dhunën.

Një zëdhënës i Newsmax tha në një deklaratë: "Newsmax raportoi për ngjarjet në Uashington D.C ndërsa ato po shpaloseshin dhe dënoi vazhdimisht çdo dhunë dhe sjellje të paligjshme. Ne kurrë nuk e minimizuam ashpërsinë e veprimeve të ndërmarra nga ata që hynë në ndërtesën e Kapitolit", tha ai.

Televizioni OANN tha: "Kur zyrtarët qeveritarë duan t’u mbyllin gojën mediave, veçanërisht atyre që hedhin dritë mbi pretendimet e tyre të rreme, kjo nuk është asgjë më pak se sa një sulm ndaj demokracisë sonë dhe lirisë së shtypit."

Përfaqësuesit e Fox News nuk iu përgjigjën kërkesave për komente mbi pohimet e Watkins-it. Më parë, Fox tha në përgjigje të letrës së ligjvënësve se fakti që ligjvënësit po u kërkonin transmetuesve "të përfshiheshin në diskriminimin e pikëpamjeve, krijonte një precedent të tmerrshëm".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG