Lidhje

Dokumentacioni fiskal i ish-Presidentit Trump tani në duart e prokurorëve


Prokurori i Distriktit, Cyrus R. Vance Jr.
Prokurori i Distriktit, Cyrus R. Vance Jr.

Një prokuror në Nju Jork ka marrë në dorëzim kopje të dokumenteve fiskale të ish-Presidentit Trump, pasi Gjykata e Lartë hodhi poshtë këtë javë përpjekjet e zotit Trump për të bllokuar dorëzimin e dokumentacionit.

Zyra e prokurorit të Manhatanit, duke vepruar me urdhër gjykate, pak orë pas vendimit të Gjykatës së Lartë të hënën kërkoi dorëzimin e dokumentacionit nga firma e kontabilitetit që përfaqëson zotin Trump, siç tha të enjten zëdhënësi i kësaj zyre, Danny Frost.

Prokurori i Distriktit, Cyrus R. Vance Jr. është përpjekur prej një viti e gjysmë të marrë në dorëzim dokumentacionin fiskal në kuadër të hetimeve lidhur me aktivitetin e biznesit të ish-presidentit. Dokumentet mbrohen në bazë të rregulloreve të sekretit për çështje që dalin para një jurie të madhe. Nuk pritet që ky dokumentacion të publikohet.

Prokurori Vance, demokrat, po kryen hetime të gjera lidhur me marrëdhëniet e biznesit dhe kontratat e zotit Trump për të parë nëse ai ka gënjyer për vlerën e zotërimeve të tij në mënyrë që të përfitonte nga terma favorizuese kredie si dhe ulje taksash. Prokurori i distriktit po heton edhe paratë që u janë dhënë disa grave për të mbyllur ankesat dhe rrëfimet e tyre me pretendimet për sjellje të parregullta nga ana e zotit Trump.

Zyra e prokurorit paraqiti në gusht 2019 urdhrin e gjykatës pranë firmës së kontabilitetit Mazars USA, duke kërkuar dorëzimin e dokumentacionit fiskal dhe materialeve të tjera për tetë vjet të aktivitetit të biznesit të zotit Trump.

Avokatët e zotit Trump menjëherë paraqitën ankesë në gjykatë duke kërkuar bllokimin e këtij akti, me argumentin se gjatë periudhës që ishte president, zoti Trump ishte imun nga hetimet.

Kur Gjykata e Lartë e hodhi poshtë këtë argument vjet në korrik me një votë 7-2, avokatët e zotit Trump u kthyen në një gjykatë të shkallës më të ulët duke argumentuar se urdhri për dorëzimin e dokumenteve ishin nxjerrë me motivacion politik dhe ishte tendencioz dhe tepër i gjerë. Një gjykatë e shkallës së apelit e hodhi poshtë këtë argument dhe Gjykata e Lartë nuk pranoi të përfshihej në çështje.

Në një deklaratë me pak fjalë të hënën, pasi Gjykata e Lartë dha vendimin, prokurori Vance u shpreh “Puna vazhdon”.

Ish-presidenti Trump e quajti hetimin vazhdim të “gjuetisë më të madhe të shtrigave në histori”.

Prokurori Vance kryeson hetimin së bashku me konsulentin e tij Carey Dunne, i cili paraqiti argumentet në emër të zyrës gjatë seancave të ndryshme gjyqësore. Prokurori Vance mori në punë në ekipin e tij ish-prokurorin anti-mafia Mark Pomerantz si asistent të posaçëm për të ndihmuar në këto hetime.

Prokurori Vance, të cilit i mbaron mandati në fund të vitit, nuk ka njoftuar nëse do të rikandidojë, duke lënë hapur pyetje se kush do të kryesojë procesin në të ardhmen.

Urdhri i gjykatës që paraqiti zoti Vance kërkon nga firma Mazars USA jo vetëm të dorëzojë versionet finale të dokumenteve fiskale, por edhe versionet paraprake të këtyre dokumenteve dhe “të gjitha faturat, raportet tre mujore dhe raportet e auditorëve të pavarur” që janë në zotërim të kësaj firme.

Firma Mazars nuk e ka kundërshtuar urdhrin e gjykatës dhe në një deklaratë në kohën kur doli urdhri pat thënë se “do të respektojë procesin ligjor dhe të bashkëpunojë plotësisht me detyrimet e saj ligjore”.

Urdhri i gjykatës po ashtu kërkon që të dorëzohen edhe marrëveshjet e kontraktimit të llogaritarëve që kanë përgatitur dokumentacionin fiskal; dokumentet bazë tek të cilat llogaritarët u mbështetën për të përgatitur taksat si dhe komunikimin mes firmës dhe përfaqësuesve të zotit Trump.

Aty përfshihen komunikime që tregojnë se si u përpunuan të dhënat në përgatitjen e dokumentacionit fiskal.

Gazeta New York Times siguroi në mënyrë të pavarur dokumentacionin fiskal të ish-presidentit dhe botoi disa artikuj vjet me hollësi mbi financat e tij, përfshirë faktin që Donald Trumpi kishte paguar vetëm 750 dollarë si taksa federale në 2017 dhe asnjë shumë taksash në 11 vjet nga një periudhë 18 vjeçare pasi kishte deklaruar humbje masive në biznes.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG