Lidhje

Dhoma e Përfaqësuesve pritet të miratojë paketën e re të ndihmës financiare për Covid-19


Photo by: STRF/STAR MAX/IPx 2021 2/26/21 House expected to pass COVID relief bill, but without $15 minimum wage to be included.
Photo by: STRF/STAR MAX/IPx 2021 2/26/21 House expected to pass COVID relief bill, but without $15 minimum wage to be included.

Dhoma e Përfaqësuesve pritet ta miratojë të premten paketën e re të ndihmës financiare për pandeminë e Covid-19 të Presidentit Joe Biden me vlerë 1.9 trilionë dollarë që synon të ndihmojë bizneset, qeveritë dhe miliona amerikanë të dëmtuar nga pasojat e pandemisë së koronavirusit.

Ligjvënësit pritet të votojnë kryesisht në linja partiake në Dhomën e Përfaqësuesve të kontrolluar nga demokratët. Miratimi i saj do t'i jepte Presidentit Biden fitoren e tij të parë të madhe legjislative që nga marrja e detyrës më 20 janar.

Pritet të ketë një debat të fortë mbi paketën.Shumica e republikanëve kundërshtojnë koston e lartë të projektligjit që do të mbulojë shpenzimet për vaksinat dhe pajisje të tjera mjekësore për të luftuar pandeminë e Covid-19 që ka shkaktuar vdekjen e mbi 508 mijë amerikanëve dhe humbjen e miliona vendeve të punës.

Paketa do të siguronte gjithashtu një ndihmë financiare shtesë prej 1,400 dollarësh për individë dhe ndihmë financiare emergjente për familjet, bizneset e vogla dhe qeveritë lokale dhe shtetërore.

Paketa do të mbulonte edhe shpenzimet për përfitimet e papunësisë dhe lehtësime taksash për amerikanët me të ardhura të ulta dhe familjet me fëmijë. Ajo gjithashtu do të financonte edhe ndihmën për sektorët e biznesit të dëmtuar nga pasojat ekonomike të pandemisë, si industria e restoranteve dhe linjat ajrore.

Rritja e pagës minimale federale nga 7,25 dollarë në 15 dollarë në orë, e propozuar nga demokratët nuk ka gjasa të jetë pjesë e versionit përfundimtar të projekt-ligjit. Ekspertja e rregullave parlamentare të Senatit tha të enjten se, sipas rregullit, propozimi duhet të hiqet nga projekt-ligji.

Vendimi nga ekspertja e rregullave parlamentare të Senatit, Elizabeth MacDonough i detyron demokratët të kërkojnë rrugë të tjera që propozimi i pagës minimale të miratohet përballë një opozite të ashpër republikane.

Demokratët kanë një avantazh 221-211 në Dhomën e Përfaqësuesve, dhe Kryetarja e saj Nancy Pelosi shpreson që pothuajse të gjithë demokratët do të votojnë për të miratuar projekt-ligjin e ndihmës ekonomike, duke i hapur rrugën një votimi përfundimtar në Senatin e ndarë në mënyrë të barabartë me 100 anëtarë, ku Nënpresidentja demokrate Kamala Harris do të duhej të votonte nëse votimi do të ishte i barabartë 50-50.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG