Lidhje

SHBA, 4 milionë doza të vaksinës së J&J në dispozicion nga e marta


Prej ditës së martë fillon shpërndarja e vaksinës së tretë të miratuar për përdorim emergjent në Shtetet e Bashkuara. Sipas një zyrtari të lartë të administratës rreth 4 milionë doza të vaksinës Johnson & Johnson do të jenë në dispozicion prej mëngjesit të së martës krahas dy vaksinave të miratuara më parë, ato të kompanive Pfizer/BioNTech dhe Moderna-s.

Vaksina e kompanisë Johnson & Johnson pritej me padurim nga zyrtarët amerikanë të shëndetësisë kryesisht për faktin se ajo përdoret me një doze të vetme. Por zyrtarët u kanë kërkuar amerikanëve të marrin cilindo vaksinë që është në dispozicion për ta, duke përsëritur se të treja janë të sigurta dhe efektive.

Sipas të dhënave nga një studim që përfshinte tre kontinente vaksina e kompanisë Johnson & Johnson është 85% efektive kundër sëmundjeve të rënda, shtrimeve në spital dhe vdekjeve nga COVID. Ajo ofron mbrojtje edhe në vendet ku po përhapet varianti i Afrikës së Jugut.

Kompania Johnson & Johnson po kërkon gjithashtu autorizim për përdorimin të vaksinës në Evropë dhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Prej fillimit të pandemisë rreth 28.6 milionë amerikanë janë infektuar me COVID-19 dhe më shumë se 513 mijë kanë humbur jetën.

Ndërkohë një studim ndërkombëtar tregon se në disa vende ka një prirje në rritje për marrjen e vaksinës.

Studimi i firmës “Kekst CNC” tregon se 89% e britanikëve janë tani pro-vaksinimit, krahasuar me 65 për qind në shtator të vitit të kaluar. Në Suedi 76 për qind janë në favor, krahasuar me 51 për qind në shtator. Sipas studimit, 68 për qind e meshkujve në mbarë botën e mbështesin vaksinimin, por mes grave kjo shifër është më e ulët, 55 për qind.

XS
SM
MD
LG