Lidhje

Kurti: Nuk jemi kundër dialogut - e duam parimor dhe të përgatitur mirë


Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njëherësh kandidat për postin e kryeministrit të Kosovës tha të hënën mbrëma se nuk është kundër bisedimeve me Serbinë, por kërkon që ato të jenë parimore dhe të përgatitura mirë.

Ai i bëri këto komente pas takimit me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, i cili filloi të hënën një vizitë treditëshe në Prishtinë, në kuadër të përpjekjeve për të rifillimin e bisedimeve menjëherë pas themelimit të institucioneve të reja të Kosovës pas zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit. Zyrtarët e BE-së janë dukur të shqetësuar më deklarimet e zotit Kurti, se bisedimet nuk do të jenë përparësi e punës së tij.

“Unë e shpjegova edhe një herë që ne i kemi fituar këto zgjedhje me programin tonë që përqendrohet te drejtësia dhe punësimi, se jemi në kushtet e pandemisë COVID-19, se nuk jemi kundër dialogut, por e duam parimor dhe të përgatitur mirë. Nuk mund të jetë prioriteti i parë ose i dytë, sepse janë drejtësia dhe punësimi mirëpo unë nuk e mohoj rëndësinë e dialogut edhe për Bashkimin Evropian, për Kosovën, për Serbinë dhe për rajonin, por më e rëndësishmja është që ky dialog të jetë i përgatitur mire, të jetë dialog i sinqertë në të cilin nuk jemi në presionin e kohës, por jemi me përkushtimin për substancë”, tha zoti Kurti.

Ai tha se nuk mund të ketë një datë për fillimin e bisedimeve ndërsa ende nuk ka filluar procesi i formimit të institucioneve të reja të Kosovës.

“Nuk mund të ketë datë, sepse ne duhet të formojmë një herë qeverinë, duhet të përfundojë numërimi, rinumërimi dhe të bëhet certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve dhe qeveria e re e Kosovës do të ketë edhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe të gjitha aspektet e tjera të ekzekutivit, përfshirë këtu edhe raportet me Brukselin dhe dialogun me Serbinë”, tha ai.

Zoti Lajçak i cili nuk foli pas takimit, të martën pritet të takohet me ushtruesen e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ndërsa po takohet edhe me përfaqësues institucionesh ndërkombëtare. Të hënën ai është takuar me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, i cili shkroi në rrjetet sociale se gjatë takimit i ka ritheksuar zotit Lajçak mbështetjen amerikane për procesin e bisedimeve të drejtuara nga Bashkimi Evropian. “Qëlllimi tbë; një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe integrim më i thellë euro-atlantik në dobi të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë”, shkroi ai.

Zoti Lajçak, pas Kosovës do të shkojë në Beograd, në një përpjekje për rifillimin e bisedimeve.

Analistët në Prishtinë për bisedimet e ardhshme Kosovë-Serbi

Analistët në Prishtinë thonë se qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të mësojë nga ngecjet e qeverive të kaluara në procesin e bisedimeve dhe duhet të çojë përpara tema që janë në interes të vendit.

Arbër Fetahu
Arbër Fetahu

“Kjo qeveri i ka numrat, e ka legjitimitetin, e ka forcën politike që ndoshta qeveritë tjera nuk e kanë pasur dhe kjo është një plus që të shtyjë përpara më fuqishëm në këtë proces gjithmonë duke pasur interesat e shtetit dhe disa tema të cilat nuk negociohen”,thotë Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

“Duke e ditur që kemi një qeveri të re që nuk ka presion siç ishte në

Jeta Krasniqi
Jeta Krasniqi


administratën e kaluar amerikane me zotin ambasadorin (Richard) Grenell duhet të kemi një qartësim të procesit dhe një pozicionim të qartë të Kosovës. Kjo nuk do të thotë ta ndalim dialogun por ne duhet ta shohim atë si një proces afatgjatë dhe të planifikojmë si të tillë, jo duke u planifikuar hap pas hapi dhe duke dalur diçka ad-hok dhe vepruar në atë drejtim”, thotë Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Analistët thonë se qeveria e ardhshme duhet të ketë një platformë për mënyrën e zhvillimit të bisedimeve të ardhshme me Serbinë dhe nuk presin që ato të vazhdojnë njëlloj sikurse nga qeveria pararendëse.

“Nuk mund të presim që ajo të vazhdojë aty ku ka mbetur me diskutimin ku tema e fundit ka qenë e drejta pronësore që është diskutuar dhe nuk mund të presim që qeveria Kurti menjëherë tani të futet brenda këtij procesi dhe ta diskutoj atë. Është mëse e pritshme që kjo qeveri do të duhej ta riformatoj atë, t’ia jap atë dorën e vet dhe ta bëj këtë normalisht në diskutim me zotin Lajçak”, thotë Jeta Krasniqi.

“Një qasje e bashkëdyzuar BE dhe SHBA dhe një qasje e strukturuar e Kosovës karshi këtyre dy superfuqive do të krijonte një incetivë të re në raport me Kosovën por edhe Kosova duhet të krijojë asi pozicioni që të qetë tema përpara dhe ndoshta të kërkojë edhe një afat për një temë të caktuar për një marrëveshje që nuk është zbatuar nga pala serbe dhe të mos jemi ne gjithmonë në defansivë ku vihemi në kritikë për mos zbatim të marrëveshjeve të caktuara”, thotë Arbër Fetahu.

Shtetet e Bashkuara që janë mbështetëset kryesore të pavarësisë së Kosovës, në disa raste ditëve të fundit theksuan se mbështesin bisedimet Kosovë-Serbi të mundësuara nga Bashkimi Evropian, dhe presin “një marrëveshje gjithëpërfshirëse normalizimi që do të çonte në një njohje të ndërsjellë”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG