Lidhje

Pentagoni i shqetësuar nga raporti i OKB-së mbi aktivitetin bërthamor të Koresë së Veriut


Pentagoni

Pentagoni shprehu shqetësim të martën në lidhje me një raport të OKB-së që flet për ripërpunimin e mundshëm të karburantit bërthamor për bomba nga Koreja e Veriut dhe tha se një veprimtari e tillë mund të rriste tensionet me Phenianin.

Admirali Michael Studeman, shefi i zbulimit për komandën amerikane në Indo-Paqësor, tha se veprimtaria e Koresë së Veriut e theksuar këtë javë nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) mund të këtë si synim të tërheqë vëmendjen e administratës së Presidentit Biden dhe si një mjet negocimi për lehtësimin e sanksioneve. Administrata e Presidnetit Biden aktualisht po rishikon politikën amerikane ndaj Koresë së Veriut.

“Ne po e ndjekim këtë zhvillim. Dhe është thellësisht shqetësuese se ku dëshiron të shkojë Koreja e Veriut”, tha Admirali Studeman në një diskutim në internet për teknologjinë dhe sigurinë.

Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Mariano Grossi
Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Mariano Grossi

Në një deklaratë për Bordin e Guvernatorëve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike të hënën, drejtori i përgjithshëm i këtij organi të OKB-së, Rafael Mariano Grossi, përmendi aktivitetin në objektet bërthamore të Koresë së Veriut në Yongbyong dhe Kangson.

Ai tha se kishte patur shenja së fundmi për funksionimin e një impianti me avull që i shërben një laboratori radiokimik. Koreja e Veriut ka përdorur laboratorin e saj radiokimik në Yongbyon për të ripërpunuar plutoniumin nga një reaktor atje për bombat bërthamore.

Zoti Grossi e quajti veprimtarinë e vazhdueshme bërthamore të Koresë së Veriut një shkelje të qartë të sanksioneve të OKB-së.

Admirali Michael Studeman
Admirali Michael Studeman

Duke iu referuar deklaratës së zotit Grossi, Admirali Studeman tha: "bordi i guvernatorëve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike lëshoi një njoftim se kishte patur prova se koreanoveriorët ndoshta po ripërpunonin karburantin bërthamor".

"Nëse kjo është e vërtetë, atëherë kjo mund të na vendosë në një nivel tjetër tensioniesh me Korenë", tha ai.

"Ky mund të jetë fillimi i një diçkaje që është krijuar për të ndikuar në administratën e (presidentit) Biden; mund të jetë hapi i parë për të tërhequr vëmendjen e administratës së re këtu, që mbase (Koreja e Veriut) do ta përdorte këtë zhvillim si një mjet negocimi për një lloj lehtësimi të sanksioneve."

Administrata e Presidentit Joe Biden, e cila mori detyrën në janar, po bënë një rishikim të plotë të politikës amerikane ndaj Koresë së Veriut pas angazhimit të pa shembullt të ish-Presidentit Donald Trump me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un, i cili nuk arriti të bindë Phenianin të hiqte dorë nga armët e tij bërthamore.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken ka thënë se qasja ndaj Koresë së Veriut mund të përfshijë më shumë sanksione ose stimuj të paspecifikuar diplomatikë.

Një raport konfidencial i OKB-së, i parë nga agjencia e lajmeve Reuters muajin e kaluar, thotë se Koreja e Veriut zhvilloi programet e saj të raketave bërthamore dhe balistike gjatë vitit 2020.

Jenny Town, zëvendës drejtore e projektit “Monitorimi 38 i Veriut”, një organizatë me bazë në Uashington që ndjekë zhvillimet në Korenë e Veriut, ia tregoi agjencisë së lajmeve Reuters imazhet satelitore që i kishte marrë nga zona në Yongbyon në periudhën 17 shkurt- 2 mars, ku shihej avulli që dilte nga laboratori atje, për të cilin nuk kishte njohuri se ai ishte në funskionim për rreth dy vjet.

"Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se ripërpunimi ka filluar, por mund të jetë një tregues i përgatitjeve për këtë", tha ajo.

Koreja e Veriut përdor uranium dhe plutonium për armët bërthamore, por plutoniumi mundëson prodhimin e bombave më të vogla dhe më të lehta.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG