Lidhje

Virxhinia merr vendim për rifillimin e mësimit në shkolla


Guvernatori i Virxhinias Ralph Northam ka deklaruar se të gjitha shkollat publike në këtë shtet duhet të ofrojnë mësimin në objektet shkollore duke filluar nga data 15 mars. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Lesia Bakalets vizitoi një shkollë në qytetin e Aleksandrisë për të parë se si po bëhen përgatitet për rihapjen e shkollave pas një mbylljeje të gjatë për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Shkollat publike të Virxhinias kanë qenë të mbyllura për gati një vit, por duke filluar nga 15 marsi, ato do të rihapin dyert për nxënësit.

Megjithatë, kjo nuk do të jetë e ngjashme me një përvojë normale arsimore.

Studentët do të duhet të respektojnë distancimin fizik nga shokët e klasës, do të duhet të mbajnë maskën gjatë gjithë ditës dhe do t’i nënshtrohen kontrollit të temperaturës para hyrjes në ndërtesat e shkollës.

Miranda Turner, nënë e tre fëmijëve, thotë se është e kënaqur me këto rregulla të reja.

Miranda Turner, Organizata Prindërit e Arlingtonit për Arsimin-Skype

Djali im është në kopsht, ku përveç shkrim-leximit nxënësit duhet të mësojnë edhe si të shoqërohen me njëri-tjetrin, si të ndjekin rregullat, si të sillen në një klasë me një grup fëmijësh të tjerë. Kjo pjesë e mësimin nuk mund të bëhet përmes iPadit”, thotë ajo.

Për gati një vit, Turner, së bashku me prindërit e tjerë, ka bërë presion për rihapjen e shkollave. Më në fund, në shkurt, guvernatori i Virxhinias Ralph Northam tha se kishte ardhur koha për rikthimin e nxënësve në objektet shkollore.

Charles Pyle, Drejtor i Marrëdhënieve me Median, Departamenti i Arsimit i Virxhinias-Skype

Guvernatori e bëri të qartë se ai dëshironte të shihte distriktet shkollore të fillonin rikthimin e nxënësve në objektet shkollore. Guvernatori e kupton se kjo situatë e jashtëzakonshme po dëmton fëmijët në aspektin akademik, atë shoqëror dhe emocional", tha Charles Pyle, Drejtor i Marrëdhënieve me Median në Departamentin e Arsimit në Virxhinia.

Prindërit ende kanë një zgjedhje: fëmijët e tyre mund të vazhdojnë mësimin në internet ose mund të kombinojnë mësimin nga distanca me atë në objektet shkollore.

Në një klasë tradicionalisht mund të keni banka dhe karrige të mjaftueshme për njëzet e pesë deri në njëzet e tetë nxënës. Tani, bazuar në madhësinë e klasave tona dhe masat e distancimit fizik, ne mund të kemi vetëm rreth 12 deri në 13 nxënës në një klasë normale në të njëjtën kohë", thotë Michael Magliola, drejtor i Shkollës fillore Luther Jackson.

Ka gjithashtu rregulla të reja të rrepta se si të trajtohen fëmijët që mund të tregojnë shenja të koronavirusit.

Ne kemi dhoma izolimi për personelin tonë, ku mund të vendosen edhe nxënësit që mund të shfaqin simptoma në kohën kur janë në shkollë. Ne gjithashtu kemi një protokoll komunikimi, nëse kemi një rast pozitiv për të ndarë informacionet me departamentin tonë të shëndetit dhe për të filluar procedurat e gjurmimit të kontaktit", thotë Gregory Hutchings, administrator i Shkollave Publike të Aleksandrisë.

Masat e tjera përfshijnë, rregullin që mësuesit nuk duhet t'u afrohen fëmijëve nëse nuk është e nevojshme, dhe çdo seancë mësimi do të transmetohet për ata studentë që ndodhen në shtëpi.

"Nxënësit tanë do të kenë një mësues të çertifikuar para tyre ose një monitor të klasës që do të mbështesë nxënësit nëse ata kanë një mësues virtual", thotë Michael Magliola, drejtor i Shkollës fillore Luther Jackson.

Mësuesi virtual është një domosdoshmëri, sepse shumë mësues kanë frikë të kthehen në klasë për shkak të shqetësimit se mund të infektohen me Covid-19.

Anëtarët e Shoqatës së Arsimit në Virxhinia besojnë se shkollat duhet të hapen vetëm pasi të gjithë mësuesit të vaksinohen. Organizata nuk iu përgjigj kërkesës së Zërit të Amerikës për koment. Por Departamenti i Arsimit i Virxhinias thotë se sipas udhëzimeve nga zyrtarët shëndetësorë, kthimi në shkollë është i sigurt.

Charles Pyle, Drejtor i Marrëdhënieve me Median, Departamenti i Arsimit i Virxhinias-Skype

"Gjithçka që kemi parë dhe kemi dëgjuar nga Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve dhe ekspertë të tjerë është se vaksinimi i të gjithë personelit nuk është një parakusht që duhet të plotësohet para rihapjes së shkollave", thotë Charles Pyle, drejtor i Marrëdhënieve me Median në Departamentin e Arsimit të Virxhinias.

Dega në Virxhinia e Akademisë Amerikane të Pediatrisë gjithashtu mbështet rihapjen e shkollave. Deri më tani, rreth gjysma e familjeve të nxënësve në qytetin e Aleksandrisë kanë rënë dakord për sistemin hibrid të mësimit. Ky është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një normaliteti të ri pas pandemisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG