Lidhje

SHBA: Gratë hasin vështirësi të rikthehen në tregun e punës


Gratë në Shtetet e Bashkuara u prekën në mënyrë disproporcionale nga humbjet e vendeve të punës të lidhura me pandeminë. Pas një viti ato po hasin vështirësi të kthehen në punë, mes një ngadalësimi të tregut, problemeve për të siguruar kujdes për fëmijët dhe mungesës së fleksibilitetit në vendin e punës.

SHBA: Gratë hasin vështirësi të rikthehen në tregun e punës
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:11 0:00

Katy McAvoy mendonte se do të kishte më shumë kohë për të kërkuar punë pasi vajza filloi të shkonte në shkollë në nëntor.

Por shkolla në Miçigan ku ajo jeton, u mbyll vetëm një javë më vonë pasi u rritën infeksionet me COVID-19.

"Është shumë e vështirë të përpiqesh të gjesh punë me kohë të plotë sepse mendon se nuk mund të jesh kandidatja më e mirë, sepse të duhen lehtësira që të mund të përballosh orarin e fëmijës", thotë ajo.

Situata e paparashikueshme e bëri të vështirë për zonjën McAvoy të gjente kohë për intervista, pasi humbi punën në një organizatë lokale për artet në nëntor.

Kështu edhe pse shkolla u rihap në janar, ajo vendosi të mos kërkojë më.

"Kur thua që ke fëmijë përballesh me një sfidë tjetër të madhe, të duket se nuk ke asnjë shans përballë një kandidati të ngjashëm që nuk ka fëmijë", thotë ajo.

Zonja McAvoy nuk është e vetme. Pasi u prekën në mënyrë disproporcionale nga humbjet e vendeve të punës për shkak të pandemisë, gratë në Shtetet e Bashkuara po hasin vështirësi të kthehen në punë, një situatë që rrezikon të eliminojë disa nga përparimet në gjendjen e tyre ekonomike para pandemisë.

Mbi 2.5 milion gra dolën nga tregu i punës midis shkurtit 2020 dhe janarit të këtij viti, krahasuar me 1.8 milion burra.

Gratë me fëmijë janë grupi i goditur më rëndë.

Kur Alisha Zucker ka intervista pune, ajo përpiqet të mos përmendë se është prind.

"Shqetësohem se do të gjykohem pasi më duhet të kujdesem për fëmijët, ose ndoshta do të mendojnë se nuk mund të mbështeten tek unë. Kështu që përpiqem të mos e përmend, edhe pse mendoj se është një plus. Nënat janë shumë efektive", thotë ajo.

Zonja Zucker nga Nju Jorku kishte punuar për më shumë se 10 vjet në shtëpi botimi për materiale arsimore, por pasi u pushua nga puna në shtator, punon tani me projekte ndërsa kërkon një punë me kohë të plotë.

Por për nënën e dy binjakëve djalë dhe vajzë shtatë vjeç dhe një djali tre vjeç, është e vështirë të gjejë kohë gjatë ditës që të punojë pa ndërprerje në një apartament me dy dhoma gjumi në Nju Jork, veçanërisht në kushtet kur shkolla për fëmijët e saj është herë nga shtëpia e herë në klasë.

"Të kërkosh punë do kohë dhe përpjekje, por mua më duhet të bëj ndërprerje të vazhdueshme dhe nuk arrij të përqendrohem aq sa do të doja", thotë zonja Zucker.

Nicole Mason, eksperte në Institutin për Studimet e Politikave për Gratë thotë se gratë kanë nevojë për mbështetje dhe mirëkuptim që të kthehen në punë.

"Disa prej tyre nuk do të kthehen dot në vendet e punës që humbën. Disave do t’u duhet të ndërrojnë sektorë. Prandaj duhet të sigurohemi që gratë të kenë burimet e duhura për të ndryshuar sektor, si arsimim dhe trajnim në mënyrë që të fitojnë aftësi të reja”, thotë ajo.

Ato gjithashtu kanë nevojë për fleksibilitet.

Sipas një studimi të botuar në shkurt nga Rezerva Federale e San Franciskos, në punët me oraret që mund të ndryshojnë më lehtësisht, siç janë pozicionet në poste menaxhuese, raporti i nënave që punojnë nuk ndryshoi ndjeshëm gjatë pandemisë.

Por për profesionet me orare strikte, gratë me fëmijë panë një "rënie të theksuar" të punësimit në krahasim me gratë pa fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG