Lidhje

Shqipëri, ndryshime dhe të papritura në listat e kandidatëve të PS e PD


Në Shqipëri dy partitë më të mëdha dorëzuan pak pas mesnate listat e kandidatëve të tyre për deputetë në zgjedhjet e 25 Prillit. Si socialistët ashtu dhe demokratët kanë bërë ndryshime të forta krahasuar me emrat e 4 viteve më parë, por ato dallojnë nga qasja në rreshtimin e kandidatëve në atë që quhet zona e sigurt. Ndërsa demokratët i janë përmbajtur përgjithësisht një rreshtimi që ka për bazë fuqinë elektorale të secilit kandidat, socialistët kanë zgjedhur të kundërtën, duke vënë në pjesën fundore të pjesës së sigurt emrat e drejtuesve politikë të qarqeve.

“Eshtë krejt e pakuptimtë që udhëheqja të rrijë në krye, në vendet e para të listave, që në fakt nuk është të rrish në krye të betejës”, deklaroi para fillimit të mbledhjes së kryesisë, kryetari socialist Edi Rama, i cili vetë do të jetë në dy lista, si në Vlorë edhe në Durrës, në vendin e 8, që përfaqëson dhe objektivin bazë të mandateve që socialistët synojnë në këto dy qarqe.

Por në fakt, ky rregull nuk është zbatuar kudo. Në Dibër, drejtuesja politike, ministrja e Jashtme Olta Xhacka, nuk u përfshi fare në listat e këtij qarku, duke u transferuar në Korçë. Po ashtu dhe në Tiranë, dy drejtuesit politikë, Ervin Bushati dhe Elisa Spiropali, janë në pjesën e sipërme të listës.

Në krye të qarqeve, me përjashtim të Fierit, ku është emri i zëvendëskryeministrit Erion Braçe dhe Dibrës, ai një emigranti me një histori suksesi në Londër Lavdrim Krashi, të gjitha janë gra, pjesa dërrmuese, emra tërësisht të rinj dhe pa një lidhje direkte me politikën.

Ajo që bie në sy është fakti se figura të njohura socialiste mbetën jashtë përzgjedhjes. Një pjesë e tyre, si si Vasilika Hysi, Eglantina Gjermeni, Besnik Bare, Musa Ulqini, kanë deklaruar pubikisht se janë tërhequr. Ndërsa për të tjerë, siç është rasti i ish ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati, vendimi ka qenë i qartë për t’u lënë jashtë. Që nga momenti që ai u hoq nga kryeministri, pas 5 vitesh drejtimi të diplomacisë, nga një prej figurave qendrore të kabinetit qeveritar, zoti Bushati mori një tjetër goditje nga zoti Rama, kur në vitin 2019, ju hoq drejtimi politik i qarkut të Shkodrës. Marrëdhëniet mes të dyve njohën përgjithësisht vetëm acarime, edhe për shkak të kritikave publike të zotit Bushati ndaj disa aspekteve të mënyrës së qeverisjes, apo dhe disa vendimeve të qeverisë.

Disa figura të tjera socialiste si ish ministrja e Mbrojtjes, dhe Kryetarja aktuale e Komisionit të Politikës së Jashtje të Parlamentit Mimi Kodheli, apo dhe ish kryeministri e Ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko, janë renditur në zona të rrezikuara të listës.

Akoma më e habitshme, ishte renditja si i 23-ti në listën e Tiranës, të ish ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafa. Mbetet i paqartë kriteri i përdorur nga PS në rastin e zotit Xhafa, aq më tepër kur socialistët, synojnë sërish të përdorin edhe në këto zgjedhje, Reformën në Drejtësi, si një prej kuajve kryesorë të betejës së tyre elektorale, ndërkohë që ai ishte njeriu që udhëhoqi të gjithë procesin e reformës.

Megjithatë ndryshimet e fundit në Kodin elektoral, i mundësojnë një kandidati të kërcejë në pjesën fituese nëse ai arrin të marrë personalisht, së pari mbi 10 mijë vota, e së dyti që këto vota të jenë më të mëdha në numër se sa të një prej kandidatëve që renditen në zonën e sigurt. Dhe pjesa e parë e listës në Tiranë, ka jo pak emra që mund ta kenë të vështirë të marrin një mbështetje të gjerë elektorale.

Në krahun tjetër edhe zoti Basha ka ndërmarrë ndryshime të forta duke lënë jashtë gjithashtu emra të njohur, ndërsa të tjerë, sikundër dhe në rastin e socialistëve, janë zbritur në zonat jo të sigurta të listave. Janë të paktën 11 ish deputetë demokratë të cilët janë lënë jashtë, mes tyre dhe emra si Genc Pollo apo dhe Luciano Boçi. Po ashtu, nuk është e qartë zgjedhja e kryetarit demokrat, për të mos përfshirë disa nga bashkëpunëtorët e tij të afërt në parti, si Fatbardh Kadilli apo Enno Bozdo.

Kandidatët demokratë duket se janë penalizuar ndjeshëm dhe nga fakti që për të mbajtur një opozitë të bashkuar, zoti Basha është detyruar të bëjë koncensione jo të vogla ndaj aleatëve të saj të vegjël. Vetëm në Tiranë, në pjesën e sigurt të listës janë 5 emra të aleatëve, Fatmir Mediu, kreu republikan, Shpëtim Idrizi i PDIU-së së bashku me Mesila Dodan, Vangjel Dulen e PBDNJ-së dhe Dashamir Shehin e LZHK-së. I ndryshëm është rasti i kreut demokristian Nard Ndoka, i cili është renditur në zonë thuajse të pasigurt.

Ajo që bie në sy në listat e PD-së është dhe fakti i përfshirjes në to të disa prej emrave që Komisioni i përzgjedhjes së kandidaturave, i promovuar si një risi nga zoti Basha. Dhe jo vetëm, por ata janë renditur në pjesët e sigurta në qarqet ku janë caktuar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG