Lidhje

Pallati mbretëror britanik në krizë pas intervistës së Harry-t dhe Meghan-it


Familja mbretërore britanike është përfshirë në polemika të reja pas një interviste në televizionin amerikan të Princit Harry dhe bashkëshortes së tij Meghan Markle. Gjatë intervistës, ata ngritën pikpyetje për racizëm të mundshëm në familjen mbretërore. Pallati Buckingham pati shpresuar se martesa e Princit Harry me Meghan do ta modernizonte familjen. Në të kundërt, ajo ka shkaktuar bujë në shtyp.

Gruaja e Princit Harry, Meghan Markle, nëna e së cilës është me ngjyrë dhe babai i bardhë, i tha gjatë një interviste Oprah Winfrey-it se familja mbretërore kishte refuzuar t’i jepte titullin princ djalit të saj Archie-t dhe se një pjesëtar i mbretërisë kishte ngritur shqetësime në lidhje me ngjyrën e lëkurës së tij.

“Më thanë se nuk do t’i ofrohej mbrojtje, nuk do t’i jepej titull dhe pati shqetësime dhe biseda rreth asaj se sa e errët mund të jetë lëkura e tij kur të lindë,” tha ajo.

Harry dhe Megan u tërhoqën nga detyrat e tyre të oborrit marsin e kaluar pas presioneve të jetës mbretërore dhe u vendosën në Kaliforni.

Meghan tha se Mbretëresha Elizabeth e kishte trajtuar atë shumë mirë. Ish aktorja tha se ajo ishte përballur me atë që çifti e shihte si sulm racor në shtyp. Ajo tha se kishte menduar vetëvrasjen kur ishte shtatzënë dhe kur nuk kishte gjetur mbështetje. Princ Harry tregoi se si u ishte ndërprerë mbështetja financiare ndërsa tha se Princi Charles, mbreti i ardhshëm, nuk i kishte hapur telefonin.

“Kam patur tre biseda me gjyshen dhe dy me tim atë para se ai të mos u përgjigjej telefonatave të mia.”

Zhvillimet do të jenë të dhimbshme për Mbretëreshën Elizabeth, bashkëshorti i së cilës është në spital. Ndarja me oborrin mbretëror tashmë ka dalë hapur, thotë analisti Richard Fitzwilliams.

“Ata ndihen të zemëruar dhe të hidhëruar. Përfundimisht është një hakmarrje dhe është e paqartë se cili do të jetë reagimi i pallatit. Kur hidhen akuza të tilla duhet të ketë reagim. Veçanërisht akuza për racizëm, që do të jetë absolutisht toksike. Por theksoj se kjo është vetëm njëra anë e medaljes.”

Publiku britanik është i ndarë lidhur me akuzat.

“Si grua me ngjyrë, ajo nuk e kishte të lehtë brenda familjes mbretërore dhe shtypi nuk u tregua i butë rreth kësaj”, thotë fotografja Karen Louise.

Elaine Naylor është pensioniste.

“Ata kanë vepruar gabim dhe më vjen keq, sepse nuk i kanë bërë vetes ndonjë të mirë. Turp.”

Çifti mbretëror vizitoi Afrikën e Jugut në vitin 2019, vend me të cilin Harry kishte krijuar një lidhje të ngushtë. Banorët e Johanesburgut shprehën mbështetje për Meghan.

“Sapo u martuan tabloidët britanikë filluan sulmet ndaj saj. Mendoj se ka racizëm”,thotë banori i Johanesburgut Timmy Mathebula.

Intervista mund të ndikojë tek imazhi i Britanisë në botë, thotë analisti Fitzwilliams.

“Britania mbase ka një problem. Të rinjtë, dhe njerëzit me ngjyrë mund të kenë pikpamje të ndryshme. Do të ishte interesante të shiheshin sondazhet. Por kjo është tmerrësisht shkatërruese.”

Harry dhe Meghan zbuluan gjatë intervistës se po presin fëmijën e dytë, një bebe vajzë. Intervista do të mbahet mend për akuzat tronditëse ndaj familjes mbretërore, ndërsa bota pret reagimin e saj.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG