Lidhje

Debat pasi një nga qentë e familjes Biden kafshon një punonjës të sigurisë


Një nga dy qentë pastorë gjermanë të familjes Biden, Major po qortohet sepse kafshoi një punonjës të sigurisë së Shtëpisë së Bardhë.

Qeni të hënën "u kap në befasi nga një person i panjohur dhe reagoi në një mënyrë që rezultoi në një lëndim të lehtë tek individi, i cili u trajtua nga njësia mjekësore e Shtëpisë së Bardhë pa pasur nevojë për trajtim të mëtejshëm", informoi të martën gazetarët sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki.

Por ajo nuk pranoi të konfirmonte nëse bëhej fjalë për një nga pjesëtarët e ekipit të mbrojtjes presidenciale.

Shërbimi Sekret ia referoi një kërkesë për koment nga Zëri i Amerikës zyrës së shtypit të Shtëpisë së Bardhë, e cila e drejtoi pyetjen tek zyra e zonjës së parë Jill Biden, e cila nuk u përgjigj me detaje të mëtejshme. Gjatë konferencës, zonja Psaki tha se gazetarët duhet të pyesnin Shërbimin Sekret në lidhje me identitetin e personit të lënduar.

Ky shkëmbim i bëri disa gazetarë të ndjeheshin si një qen që gjurmon bishtin e tij.

Majori, së bashku me qenin tjetër më në moshë, Champ, po rrinë përkohësisht në Delaware në kujdesin e miqve të familjes, ndërsa zonja e parë viziton në fillim të kësaj jave bazat ushtarake në shtetet të Kalifornisë dhe Uashingtonit.

Qentë "janë ende duke u ambientuar dhe mësuar me mjedisin e tyre të ri dhe njerëz të rinj," tha zonja Psaki në konferencën e shtypit të Shtëpisë së Bardhë të martën.

"Çdo ndryshim në mjedis mund të rezultojë në një ndryshim në sjellje," sipas Profesores Emeritus së Universitetit Cornell Katherine Houpt, një specialist për sjelljen e kafshëve.

"Mendoj se qeni ndoshta po shfaqte disa simptoma të në Delaware, dhe më pas më shumë në këtë mjedis të ri, më sfidues" të Shtëpisë së Bardhë, tha ajo.

"Qentë do të kthehen së shpejti në Shtëpinë e Bardhë," premtoi zonja Psaki.

Qentë e shpëtuar

Champ dhe Major janë parë të palidhur çiftin presidencial jashtë Shtëpisë së Bardhë. Presidenti kohët e fundit vuri në dukje se ata mund të hyjnë lirisht në Zyrën Ovale. Ata janë qentë e parë të shpëtuar në Shtëpinë e Bardhë, e cila ka më shumë se shtatë hektarë hapësirë përreth.

Champ është së 13 vjeç dhe është ngadalësuar nga mosha. Major, që është 3 vjeç, u adoptua nga një strehë kafshësh të braktisura në Delaware. Sipas medias, ai ka pasur raste kur bëhet nervoz, duke kërcyer, lehur dhe duke vrapuar drejt disa anëtarëve të stafit.

"Kur dikush braktis një qen race të pastër, për të cilin ndoshta ka paguar mijëra dollarë, do të thotë se duhet të ketë pasur ndonjë problem me sjelljen e tij [Majorin]," i tha Prof. Houpt Zërit të Amerikës.

Një gazetar të martën i kërkoi zonjës Psaki të siguronte se Major nuk do të vritej për sjelljen e tij të keqe.

"Major Biden është një anëtar i familjes, për këtë mund t’ju siguroj," u përgjigj ajo.

Majori dhe Champ kanë zgjuar interes të konsiderueshëm në media pas një mungese katër-vjeçare të kafshëve shtëpiake në Shtëpinë e Bardhë ndërsa Donald Trump ishte president.

Pastorët gjermanë, si një racë e madhe e destinuar si qen roje, kërkojnë vëmendje të veçantë.

"Pra, nuk është për t'u habitur që nëse do të shfaqin një problem, ky do të jetë agresion ndaj të huajve," tha zonja Houpt.

Familja Biden mund të marrë ndihmë nga jashtë për Majorin, agresioni i të cilit mund ta ketë burimin tek frika, shton ajo, përfshirë trainim, terapi e ndoshta edhe ilaçe qetësuese.

"Duhen vetëm pesë minuta në ditë për të praktikuar ndjekjen e komandave," shtoi ajo. "Dhe nëse vërtet janë të shqetësuar, do të jetë më mirë t’i vënë një maskë në gojë. Kjo do të mbronte publikun."

Situata mund të komplikohet më tej nga adoptimi i një maceje. Familja Biden njoftoi nëntorin e kaluar se do të marrin një mace, një përpjekje e dukshme për të kapërcyer ndasitë kombëtare midis adhuruesve të qenve dhe maceve.

"Macja e parë" më e famshme në kohët moderne ishte Socks, një mace e adoptuar nga Presidenti Bill Clinton dhe zonja e parë Hillary Clinton.

Gjatë presidencës së George W. Bush, në Shtëpinë e Bardhë kishte tre qen dhe një mace. Gjatë administratës së Presidentit Barack Obama në Shtëpinë e Bardhë kishte dy qen portugezë uji.

Terrieri skocez i ish-presidentit Bush, Barney, kishte kafshuar dy persona, përfshirë gishtin e gazetarit të agjencisë Reuters, Jon Decker, i cili ishte përpjekur ta përkëdhelte qenin.

"Kjo nuk më shkurajoi të përkëdhelja qentë presidencialë," i tha Zërit të Amerikës Decker, sot tani korrespodent i Shtëpisë së Bardhë për Grey TV.

"Barney ishte qen i mirë," tha ai, pavarësisht nga incidenti që e detyroi të bënte një gjilpërë tetanozi.

Sunny, një prej qenve të familjes Obama, kafshoi fytyrën e një mikeje të familjes që u përpoq ta puthte. Asaj iu tha që duhet të bënte qepje tek plaga.

Zoti Trump, sipas historianëve të Shtëpisë së Bardhë, ishte presidenti i parë që nga James Polk në 1849 që nuk kishte një kafshë shtëpiake ndërsa ishte në detyrë.

Kafshët e Shtëpisë së Bardhë

Shumica e kafshëve shtëpiake presidenciale kanë qenë mace ose qen. Por Presidenti Theodore Roosevelt, i cili kishte gjashtë fëmijë, kishte qen të shumtë, një gjel me një këmbë, derra gini, një hardhucë, një lepur, një gjarpër, një hienë, një kalë i vogël dhe një ari ngjyrë kafe.

Një nga qentë, një kombinim terrier dhe bulldogu me emrin Pete, kishte kafshuar shumë njerëz dhe kishte grisur pantallonat e ambasadorit francez, sipas historianëve.

Edhe Shtëpia e Bardhë e presidentit John F. Kennedy kishte disa kafshë, përfshirë qen, mace, zogj, brejtës, një lepur të bardhë me emrin Zsa Zsa dhe një kalë të vogël me emrin Macaroni - një dhuratë për vajzën Caroline nga nënpresidenti Lyndon Jonson.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG