Lidhje

Raportohen në polici pretendimet se Guvernatori Cuomo ka ngacmuar një ndihmëse të tij


Një përfaqësuese ligjore e zyrës së guvernatorit Andrew Cuomo tha të enjten se ajo kishte raportuar në polici një pretendim të rëndë të bërë ndaj zotit Cuomo, pasi gruaja e përfshirë në këtë rast, nuk kishte pranuar t’i ngrinte vetë akuzat.

Gazeta “Union Times” e qytetit Albani njoftoi të mërkurën se një ndihmëse e guvernatorit, të cilën nuk e identifikonte me emër, pretendonte se në fund të vitit të kaluar zoti Cuomo i kishte futur duart poshtë këmishës dhe e kishte përkëdhelur ndërsa ndodhej në rezidencën e tij zyrtare. Zoti Cuomo tha se ai nuk kishte prekur kurrë askënd në mënyrë të papërshtatshme.

Përfaqësuesja ligjore në detyrë e zyrës së guvernatorit Beth Garvey, tha në një deklaratë se gruas që hodhi akuzat iu kërkua të kontaktonte departamentin e saj lokal të policisë ashtu sikundër e përcaktojnë rregulloret e shtetit. Ajo tha se kur gruaja nuk zgjodhi të raportojë rastin, vetë përfaqësuesit e shtetit njoftuan departamentin e policisë. Zonja Garvey tha se shteti është i detyruar sipas ligjit ta bëjë një gjë të tillë.

Një zëdhënës i Departamentit të Policisë në Albani, Steve Smith, nuk i i ktheu menjëherë përgjigje kërkesës për komente nga ana e agjencisë së lajmeve “Associated Press”, por ai i tha gazetës “New York Times” se policia kishte kontaktuar një përfaqësues të gruas dhe kishte ofruar shërbimet e tij.

Më herët gjatë ditës së enjte, një grup prej 59 ligjvënësish demokrat të shtetit kërkuan dorëheqjen e zotit Cuomo.

Kryetari demokrat i Asamblesë së shtetit Carl Heastie, tha se do të mblidhte anëtarët të enjten për të diskutuar "rrugët e mundshme që duhen ndjekur në vazhdim" nën dritën e akuzave në rritje ndaj guvernatorit.

Në Nju Jork, Asambleja është dhoma legjislative që mund të nxisë mekanizmin për ngritjen e akuzave per shkarkimin e zotit Cuomo, i cili po përballet me akuza të shumta se e ka kthyer administratën e tij në një vend pune të pakëndshëm për gratë e reja falë komenteve e sjelljeve me natyrë seksuale, përfshirë prekjen e padëshiruara e një puthje.

Nëntëmbëdhjetë senatorë dhe 40 anëtarë të Asamblesë shkruanin në një letër të enjten se ishte koha që zoti Cuomo të largohej.

"Guvernatori e ka humbur besimin e publikut dhe të legjislaturës së shtetit, nën dritën e pranimit nga ana e tij se është sjellë në mënyrë të papërshtatshme dhe gjetjeve se janë ndryshuar të dhënat lidhur me vdekjet për shkak të COVID-19-s në shtëpitë e të moshuarve, duke e bërë atë joefektiv në këtë kohë me nevoja urgjente", thuhej në letër. "Është koha që Guvernatori Cuomo të japë dorëheqjen".

Zoti Cuomo ka thënë vazhdimisht se nuk do të japë dorëheqjen dhe ka nxitur publikun të presë rezultatin e hetimit mbi sjelljes së tij të nisur nga zyra e Prokurores së Përgjithshme të Shtetit Letitia James. Zyra e zoti Cuomo nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për komente të enjten.

Ndërsa zoti Cuomo ka thënë se nuk ka prekur askënd në mënyrë të papërshtatshme, ai ka kërkuar falje për komentet që u ka bërë punjëseve gra të stafit, të cilat i kanë konsideruar komentet si flirtim me to.

Lidhur me akuzën më të re ndaj zotit Cuomo, gazeta “Times Union” raportoi se guvernatori e kishte thirrur ndihmësen në rezidencen e tij që ndodhet në qytetin Albani, duke i thënë se kishte nevojë ta ndihmonte me celularin. Sipas gazetës pasi ajo mbërriti zoti Cuomo mbylli derën, i futi duart poshtë këmishës së saj dhe e ledhatoi.

Artikulli i gazetës bazohej tek një burim i paidentifikuar në dijeni të akuzës se bërë nga vetë gruaja, e cila tha se ditët e fundit ia kishte treguar për herë të parë historinë, një prej anëtarëve të stafit të zotit Cuomo. Gazeta nuk ka folur vetë me gruan që akuzon guvernatorin dhe nuk e ka bërë të ditur identitetin e saj.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG