Lidhje

Vriten katër protestues në Mianmar


Të paktën katër njerëz u qëlluan për vdekje gjatë protestave në Mianmar të dielën, ndërsa forcat e sigurisë vazhduan shtypjen e dhunshme të kundërshtarëve pas marrjes së drejtimit të vendit përmes grushtit ushtarak muajin e kaluar.

Dy nga viktimat u vranë në qytetin më të madh të vendit, Yangon. Njëri u qëllua në kokë dhe tjetri në bark, thuhet në raportimet e medias lokale që po mbulojnë protestat.

Një individ i tretë vdiq në qytetin verior Hpakant pasi policia hapi zjarr ndaj turmës së demonstruesve, njoftoi media lokale. Viktima e katërt, një grua, vdiq pasi u qëllua në kokë nga forcat e sigurisë në qytetin e dytë më të madh të vendit, Mandalay.

Në Yangon, videot e postuara në median sociale tregonin turma njerëzish që vraponin të veshuar me mburoja dhe maska gazi, ndërsa dëgjohen të shtëna armësh.

Protestuesit përdorën bombula për fikjen e zjarrit, të cilat kanë për veti të zbusin efektet e gazit lotsjellës dhe njëkohësisht bllokojnë shikimin e policisë, duke vështirësuar ndjekjen e apo qëllimin e demonstruesve.

Po ashtu ka patur raportime për të plagosur nga breshëritë e armëve dhe plumbat e gomës në pjesë të tjera të qytetit Yangon, përfshi distriktin Insein, ku mund të shiheshin shtëllunga tymi të zi. Njoftohet se forcat e sigurisë u vunë zjarrin barrikadave që kishin vënë protestuesit.

Të shtunën, udhëheqësi civil i qeverisë së Mianmarit, i cili gjendet i fshehur, u zotua të vazhdojë mbështetjen e një “revolucioni” për të përmbysur udhëheqësit ushtarakë që morën pushtetin përmes një grushti shteti me 1 shkurt.

Mahn Win Khaing Than, i cili u emërua zëvendës president në detyrë nga ligjvënësit e rrëzuar nga junta ushtarake dhe është anëtar i partisë së udhëheqëses së rrëzuar nga pushteti Aung San Suu Kyi, iu drejtua publikut për të herë të parë që nga grushti i shtetit.

“Ky është momenti më i errët i kombit dhe po afron momenti i agimit”, tha ai përmes një video të postuar në median sociale.

“Në mënyrë që të formohet një demokraci federale, me pjesmarrjen e të gjithë vëllezërve etnikë që kanë vuajtur shtypje të ndryshme nga dikatatura për dekada me radhë, ky revolucion është shansi që të bashkojmë përpjekjet tona”, tha ai.

“Kurr nuk do të dorëzohemi para një ushtrie të padrejtë, por ne do ta skalitim të ardhmen tonë me fuqinë tonë të bashkuar. Misioni ynë duhet të përmbushet.” Në fund të mesazhit, ai përshëndeti me tre gishtat lart, që është bërë simbol i rezistencës kundër sundimtarëve ushtarakë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG