Lidhje

Studim mbi shoqërinë civile nga Rrjeti “Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar”


Rrjeti “Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar” publikoi sot një raport të ri mbi rolin e shoqërisë civile të Ballkanit Perëndimor në përballjen me krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Studimi “Së bashku jemi më të fortë” thekson se krimi i organizuar dhe korrupsioni janë çështje shumë të nxehta në rajon, por sa më shumë fuqizohen këto dukuri kriminale, aq më shumë zbehet angazhimi i organizatave të shoqërisë civile, ndonëse ato janë të shumta në numër.

Shoqëria civile e Ballkanit me studim mbi krimin e organizuar
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:09 0:00


Autorët propozuan solidaritet midis shoqatave dhe shtypit, i cili, po ashtu është në vështirësi të mëdha përballë kriminalitetit dhe korrupsionit.

Ndonëse në një numër të lartë dhe të pazakontë, organizatat e shoqërisë civile në Ballkan janë përherë e më shumë apatike përballë krimit të organizuar dhe korrupsionit përherë në rritje.

Arsyeja kryesore e këtij mosveprimi është frika e shoqërisë civile përballë kriminalitetit dhe administratave të korruptuara, që rritin presionin, pasiguria e saj, mungesa e mbrojtjes për të folur mbi këto tema dhe për të dhënë ndihmesën e saj përballë këtyre dukurive.

Studimi i publikuar sot i referohet gjashtë vendeve të Ballkanit perëndimor: Shqipëri, Bosnjë Hercegovinë, Mali i Zi, Maqedoni e Veriut, Serbi, dhe Kosovë.

Koordinatorja për Ballkanin Perëndimor e Rrjetit “Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, Fatjona Mejdini, thotë se në 6 shtetet e rajonit me afro 18 milionë banorë janë të regjistruara pothuajse 100 mijë organizata të shoqërisë civile, por vetëm 1 për qind e tyre merren me krimin e organizuar dhe korrupsionin.

“Këto shpesh janë në kufijtë e mbijetesës, kanë fonde të vogla, që vijnë në komuniteti ndërkombëtar, dhe nga ana tjetër përballen përditë me presionin në rritje të qeverive, me presionin që vjen nga politika dhe nga bota e krimit. Shqipëria ka të regjistruara mbi 11 mijë shoqata dhe nga këto del që më pak se 50, më saktë 49, trajtjnë cështje të krimit të organizuar, dhe të korrupsionit. Dhe këtë e bëjnë me raste të vecanta, nuk mund të themi që janë të dedikuara 100 për qind në këto fusha” - thotë Mejdini.

Shoqëria civile në Ballkan është në një gjendje të vështirë, thotë studimi i Iniciatvës Globale, por është në një gjendje akoma më të vështirë, thekson koordinatorja e saj për rajonin, në vende si Shqipëria, me korrupsion dhe krimit të organizuar problematik, i cili rekruton përditë djem të rinj në struktura kriminale.

Por nga ana tjetër, nuk ka asnjë organizatë që së paku të kujdeset për riintegrimin në komunitet të të rinjve, që dalin nga burgjet, për të mos u kthyer tek bota e krimit.

Ndihma më e thjeshtë për ta do të ishte mbrojtja e tyre, futja në kurs profesional dhe gjetja e një pune.

Po ashtu edhe media shqiptare, thotë koordinatorja Mejdini, është në vështirësi të jashtëzakonshme për të qenë e lirë dhe e pavarur përballë krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Megjithatë gazetarët e kronikës së krimit në Shqipëri janë ndër më të guximshmit e rajonit për shkrimet profesionale aspak të lehta përballë kriminalitetit të strukturar 30-vjeçar, dhe ka ardhur koha, thotë zonja Mejdini, për të forcuar një aleancë midis shtypit dhe shoqërisë civile në përballjen së bashku të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Në Shqipëri shohim një arrogancë e rritur nga ana e autoriteteve të pushtetit kundër medias dhe kundër gazetarëve. Shohim përditë episode të tilla ndaj shtypit. Mendoj se është e nevojshme që të krijohet një aleancë e madhe nidis medias, shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë në shoqërinë shqiptare kundër krimit të organizuar” - thotë zonja Mejdini.

Iniciativa Globale po punon fort me donatorët ndërkombëtarë dhe me me veprimtarët vendas për rritjen e fondeve dhe të rezistencës komunitare kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në studim thuhet se mbështetja kryesore për shoqërinë civile shqiptare janë donatorët ndërkombëtarë, po edhe ata nuk e kanë anti-korrupsionin dhe anti-krimin mes përparësive kryesore të tyre dhe fondet në këtë fushë janë të pakta.

Në shumë zona të rajonit vihet re një mungesë e vazhdueshme e koordinimit dhe solidaritetit midis shoqatave, thuhet në raport.

Pandemia COVID-19 dhe ndërhyrjet e qeverive për t’u përballur me krizën, si ndalimet e tubimeve publike dhe vendosja e ndalim qarkullimit, penguan në mënyrë të konsiderueshme punën e shoqërisë civile për angazhimin e komunitetit, në një kohë kur kjo ishte shumë e nevojshme, veçanërisht për të ndihmuar dhe mbështetur shtresat në nevojë.

Iniciativa Globale propozoi për të ardhmen që komuniteti duhet të njihet më nga afër me çështjet e krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërsa shoqatat duhet të gjejnë një ekuilibër midis kritikave konstruktive ndaj qeverive dhe bashkëpunimit me shtetin.

“Ato duhet të kërkojnë llogari për punën e institucioneve publike, por duhet të jenë edhe të hapura për bashkëpunim me qeveritë për përmirësimin e situatës” - theksohet në studim.

Iniciativa Globale ka krijuar një platformë për nxitjen e një debati më të gjerë mbi hartimin e një strategjie në rajonale e të përbotshme kundër krimit të organizuar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG