Lidhje

Një nga akuzueset e guvernatorit Cuomo flet për 4 orë me prokurorët


Ndërsa guvernatori i Nju Jorkut Andrew Cuomo u përpoq t’i kthehej punës të hënën, një nga akuzueset e tij për ngacmim seksual u takua virtualisht për më shumë se katër orë me hetuesit në zyrën e Prokurores së Përgjithshme të shtetit që po heton akuzat.

Gjatë intervistës, Charlotte Bennett dha detaje të reja në lidhje me sjelljen e zotit Cuomo dhe atë që ajo tha se ishte "një mjedis pune armiqësor me nuanca seksuale", sipas avokates të saj, duke përfshirë një pretendim që guvernatori shpesh bënte komente për madhësinë e duarve të tij.

"Një pjesë e informacionit të ri që doli sot kishte të bënte me preokupimin e guvernatorit për të treguar madhësinë e duarve të tij dhe çfarë madhësia e duarve nënkuptonte për Charlotte-ën dhe anëtaret e tjera të stafit të tij," tha avokatja e saj, Debra Katz, në një deklaratë.

Sipas avokates Katz, zonja Bennett gjithashtu u dha hetuesve 120 faqe të dhëna për të vërtetuar akuzat e saj.

Bennett, 25 vjeç, është një nga një numër grash që kanë akuzuar guvernatorin Cuomo për ngacmime në vendin e punës. Disa kanë thënë se Cuomo i poshtëronte ato me pseudonime kafshësh shtëpiake ose duke bërë komente për pamjen e tyre, i puthte dhe i prekte pa dëshirën e tyre ose i pyeste për jetën e tyre seksuale. Disa, përfshirë zonjën Bennett, thanë se besonin se guvernatori po kërkonte të shihte interesin e tyre për një marrëdhënie seksuale.

Cuomo gjithashtu përballet me një akuzë se ka ngacmuar fizikisht një anëtare të stafit duke i futur duart nën këmishën e saj pasi e thirri në vilën e guvernatorit në qytetin Albany në fund të vitit të kaluar.

Akuzat kanë bërë që një numër kolegësh demokratë të zotit Cuomo të kërkojnë dorëheqjen e tij, duke përfshirë, të premten, dy senatorët amerikanë të Nju Jorkut.

Edhe ndërsa mbetet nën hijen e skandalit, Cuomo është përpjekur të vazhdojë punën dhe të shfaq një farë normaliteti.

Të hënën ai u paraqit në një qendër vaksinimi në Long Island dhe foli për rëndësinë e miratimit të një buxheti të ri shtetëror brenda afatit të 1 prillit, që ai tha se është i rëndësishëm për të rimëkëmbur Nju Jorkun.

Prokurorja e Përgjithshme, Letitia James, javën e kaluar emëroi ish-prokurorin federal, Joon Kim, dhe avokaten kundër diskriminimit në punë, Anne Clark, për të udhëhequr hetimin ndaj guvernatorit Cuomo. Ata kanë fuqi të plotë të thërrasin dhe do të dokumentojnë gjetjet e tyre në një raport publik.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG