Lidhje

Britania premton të përgjigjet ndaj kërcënimit strategjik në rritje të Kinës


Britania premtoi të përgjigjet ndaj kërcënimit strategjik në rritje që paraqitet Kina, ndërsa përcaktoi këtë javë strategjinë e saj të re dhjetë-vjeçare të mbrojtjes. Me rishikimin e politikave Britania, tani jashtë Bashkimit Evropian, po kërkon të marrë një rol të ri në skenën botërore.

Britania premton të përgjigjet ndaj kërcënimit strategjik në rritje të Kinës
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:19 0:00

Në prezantimin e të ashtuquajturit "Vlerësim i Integruar" për politikat, në parlament Kryeministri Boris Johnson tha se Kina paraqet një 'sfidë sistematike' për sigurinë e Britanisë.

“Nuk ka dyshim që Kina përbën një sfidë të madhe për një shoqëri të hapur siç është e jona. Por ne gjithashtu do të punojmë me Kinën, aty ku kjo është në përputhje me vlerat dhe interesat tona, duke përfshirë ndërtimin e një marrëdhënieje më të fortë dhe pozitive ekonomike", tha kryeministri Boris Johnson.

Disa ligjvënës e akuzuan zotin Johnson se duke kërkuar lidhje më të thella tregtare, nuk u tregua i ashpër sa duhet ndaj Kinës. Kryeministri tha se ata që kërkonin një ‘Luftë të re të Ftohtë’ me Pekinin e kishin gabim.

Ai nënvizoi gjithashtu se Britania do të mbetet e përkushtuar ndaj NATO-s dhe sigurisë në Evropë.

"Nga kjo bazë e sigurt, ne do të kërkojmë miq dhe partnerë kudo ku mund të jenë, duke ndërtuar një koalicion për bashkëpunim dhe inovacion dhe duke u angazhuar më tej në Indo-Paqësor", tha kryeministri Johnson.

Për të demonstruar këtë angazhim, aeroplanmbajtësja e re britanike HMS Queen Elizabeth do të bëjë udhëtimin e saj të parë në Indo-Paqësor më vonë këtë vit. Kryeministri Johnson do të vizitojë Indinë muajin e ardhshëm.

Britania ka në plan të shpenzojë 292 miliardë dollarë për pajisje të reja ushtarake gjatë dhjetë viteve të ardhshme.

Kundërshtimi ndaj rritjes së Kinës do të kërkojë një përgjigje të gjerë, thotë analistja Veele Nouwens.

"Kjo nuk ka të bëjë vetëm me dërgimin e anijeve apo avionëve luftarakë në rajon, por ka të bëjë me investime të barabarta që kërkohen në teknologji të reja, qofshin në atë kuantike, inteligjencën artificiale apo hapësirën kibernetike. Pra, kur flasim për rritjen e Kinës në Indo-Paqësor, është me të vërtetë një sfidë më e gjerë sesa thjesht mjetet e dukshme ushtarake”.

Britania nuk mund të konkurrojë me rritjen ushtarake të Kinës, thotë analisti Nouwens.

“Ne kemi burime të kufizuara. Kështu që duhet të gjejmë ato pika ku Britania e Madhe tashmë ka forcë dhe mund të punojë me partnerë dhe aleatë të tjerë, për të forcuar aftësitë dhe njohuritë tona", thotë analistja.

Kryeministri Johnson tha se Shtetet e Bashkuara do të mbeten aleati më i afërt i Britanisë.

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dhe Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin po vizitojnë Japoninë dhe Korenë e Jugut – duke patur Kinën në krye të axhendës së tyre.

“Kur Kina të përdorë forcën apo agresionin për të realizuar synimet e veta, ne do të kundërshtojmë nëse do të jetë e nevojshme”, tha sekretari Blinken.

Kina ka akuzuar Uashingtonin për prishjen e paqes dhe stabilitetit rajonal. Pekini ende nuk u është përgjigjur planeve të Britanisë për angazhim më të madh në Indo-Paqësor.

Britania njoftoi gjithashtu në raportin e saj të mbrojtjes se do të rrisë kufirin për arsenalin e saj bërthamor - nga 180 në 260 mbushje. Kritikët thanë se kjo do të shkelte angazhimin e Britanisë në bazë të Traktatit të Mospërhapjes së Armëve Bërthamore. Qeveria thotë se po rrit kufirin dhe jo objektivin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG