Lidhje

Presidenti Biden takim në Atlanta me komunitetin aziatiko-amerikan


Presidenti Joe Biden pritet të takohet sot (e premte), me përfaqësues të komunitetit aziatiko-amerikan që jeton në Atlanta të shtetit të Xhorxhias. Vizita e tij pason incidentin me armë zjarri gjatë të cilit u vranë tetë persona, mes tyre gjashtë gra me origjinë aziatike. Sulmet ndaj aziatiko-amerikanëve shënuan rritje gjatë vitit të kaluar. Disa fajësojnë për këtë karakterizimin e pandemisë nga administrata Trump si "gripi kinez". Korrespondentja e Shtëpisë së Bardhë Patsy Widakuswara sjell më shumë detaje.

Pas ngjarjes të së martës në tre sallone masazhi e çlodhjeje në Atlanta të Xhorxhias ka një rritje të pranisë policore në të gjithë Shtetet e Bashkuara në ato që njihet si lagjet kineze.

Gjatë incidentit humbën jetën tetë persona, mes tyre gjashtë gra me origjinë aziatike.

Autoritetet po vazhdojnë ende hetimet për të kuptuar nëse i dyshuari, Robert Aaron Long, ndaj të cilit rëndojnë tetë akuza për vrasje, ishte motivuar nga paragjykimet racore. Ngjarja ka sjellë në qendër të vëmendjes krimet me bazë urrejtjen.

"Nuk ka dyshim se abuzimi, paragjykimi dhe dhuna kundër aziatiko-amerikanëve është në rritje. Kjo është kundër vlerave amerikane dhe është diçka e neveritshme. Të gjithë duhet të flasim për këtë gjë”, thotë Chuck Schumer, udhëheqësi i shumicës në Senat.

Kjo ngjarje dhe incidente të tjera kanë shkaktuar frikë dhe zemërim tek komuniteti aziatiko-amerikan. Disa prej tyre fajësojnë administratën e kaluar.

"Që kur Trumpi nisi ta quante atë “virusi kinez", dhe fajësoi Kinën… kjo ka krijuar një lloj mendësie në kokën e njerëzve", thotë America Sum, banore e Nju Jorkut.

Retorika e ish-Presidentit Trump ka nxitur diskriminim, thotë sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki.

"Fuqia e fjalës që ke nga Shtëpia e Bardhë është diçka që dëgjohet në të gjithë vendin, ndaj është e rëndësishme të jesh i vëmendshëm për fjalët që përdor dhe se si e përcjell kundërshtimin mbi diskriminimin e çdo lloji", thotë ajo.

Ndërsa flamuri i Shtëpisë së Bardhë është ulur në gjysmë shtizë për të nderuar viktimat, Presidenti Joe Biden udhëton drejt Atlantës së premten për të biseduar me udhëheqësit e komunitetit.

Në javën e tij të parë në detyrë, ai nënshkroi një dokument që dënonte ksenofobinë e që udhëzonte agjencitë federale të forcojnë mbledhjen e të dhënave, të parandalojnë incidentet me bazë urrejtjen si dhe të sigurojnë që reagimi lidhur me pandeminë të reflektojë ndjeshmëri nga pikëpamja kulturore e racore. Aktivistët aziatiko-amerikanë thonë se duhet bërë më shumë.

"I bëjmë thirrje qeverisë në të gjitha nivelet të jetë e përgjegjshme dhe e ndjeshme ndaj komunitetit aziatiko-amerikan në këtë moment. Kemi nevojë për reagim të shpejtë në këtë moment, nga rrethet arsimore, tek autoritetet ligjore, departamentet e shëndetit mendor e shëndetësor", thotë Russel Jeung, i organizatës “Ndal urrejtjes për aziatiko-amerikanët”.

Sipas një raporti që vlerëson ekstremizmin e brendshëm të dhunshëm, publikuar këtë javë nga komuniteti amerikan i zbulimit, ka një rritje të kërcënimit që vjen prej "ekstremistëve të motivuar nga përkatësia racore dhe etnike", përfshirë kërcënimin ndaj aziatiko-amerikanëve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG