Lidhje

Imazhet raciste dhe librat për fëmijë të të famshmit Dr. Seuss


Mbi 650 milionë libra të Dr. Seuss janë shitur në mbarë botën, që kur autori Theodor Seuss Geisel publikoi vëllimin e parë në vitet 1930. Krijuesi i librave si “Macja në Kapele” (The Cat in the Hat) ndihmoi miliona fëmijë të mësojnë të lexojnë. Por këtë muaj, kompania Dr. Seuss Enterprises njoftoi se nuk do të publikojë më gjashtë nga librat e autorit të mirënjohur, për shkak të imazheve raciste dhe të pakëndshme.

Imazhet ofenduese në gjashtë librat e anulluar të Dr. Seus përmbajnë paragjykime për afrikano-amerikanët, aziatikët dhe arabët.

Autori Theodor Seuss Geisel vdiq në vitin 1991. Por këtë vit, në ditëlindjen e tij, kompania e themeluar nga familja e tij vendosi të ndalë publikimin e gjashtë librave të tij, pasi “i paraqesin njerëzit në mënyra lënduese dhe të gabuara”.

Ai shpesh i shikon diferencat kombëtare apo etnike si ekzotike dhe me humor. Kur ti thekson anën ekzotike të dikujt, apo anën e veçantë, si një pikë argëtimi, atëherë po u thua njerëzve që diferencat kombëtare, etnike, apo racore mund të bëhen objekt shakaje. Kjo është e dhimbshme kur je pjesë e grupit që bëhet objekt”, thotë Philip Nel, profesor i anglishtes në Universitetin Shtetëror të Kansasit.

Pretendimet për paragjykime raciste në punën e autorit nuk janë diçka e re. Muzeumi i Dr. Seuss në qytetin e tij Springfield, Masaçusets, hoqi rishtazi një afresk pas disa ankesave. Afresku pasqyronte një personazh kinez me sy të tërhequr, shkopa për të ngrënë dhe një kapele me majë.

Bibliotekarët e kanë ditur prej kohësh dhe e kanë diskutuar prej dekadash”, thotë Jason Homer, drejtor ekzekutiv i Bibliotekës Publike në Uster.

Zoti Homer drejton një rrjet bibliotekash jo larg Muzeut të Dr. Seuss. Ai thotë se librat e këtij autori nuk janë veçanërisht popullore në bibliotekat e tij. Por, do të vazhdojnë të jenë në rafte.

Ndër 100 librat më të lexuar për fëmijë vitin e kaluar, radhitet vetëm një prej librave të Dr. Seuss, libri ‘Cat in the Hat’ (Macja në kapele). Heqja e këtyre librave pasi njerëzit mund të kenë kundërshtime, është kundër asaj çfarë ne përfaqësojmë si bibliotekë publike. Puna jonë është të ndriçojmë, të pasurojmë dhe të informojmë komunitetin”, thotë zoti Homer.

Ofenduese, në rastin më të mirë, dhe tmerrësisht raciste në rastin më të keq”, thotë Richard Minear, autor i librit “Dr. Seuss Shkon në Luftë”.

Imazhet raciste të autorit ekzistojnë edhe jashtë librave të tij popullorë për fëmijë. Ai botoi karikatura politike gjatë Luftës së Dytë Botërore që përmbanin stereotipe të dëmshme të japonezo-amerikanëve, duke vënë në pikëpyetje patriotizmin e tyre.

Figura japonezësh me fytyra të njëjta. Të gjithë njësoj. Të gjithë meshkuj. Marshojnë nga shteti Uashington, në Oregon, dhe pastaj në Kaliforni për të marrë blloqe me eksploziv. Titulli i karikaturës është “Duke pritur sinjalin nga atdheu”, dhe njëri që qëndron në çati, ka një teleskop të drejtuar nga Japonia”, thotë zoti Minear.

Ekzistojnë prova se autori u pendua për paraqitjen që u bënte njerëzve jo të bardhë. Disa nga librat e tij më të vonë përmbajnë leksione për tolerancën dhe gjithëpërfshirjen.

Njerëzit shpesh e perceptojnë racizmin si një ekip pjesë e të cilit je, ose që nuk je. Por nuk funksionon kështu në realitet. Seuss është në të dyja kampet”, thotë profesor Nel.

Profesor Nel drejton programin për Literaturën për Fëmijë në Universitetin e Shtetit të Kansasit. Ai e shikon tërheqjen e gjashtë librave të Dr. Seuss si një veprim i duhur.

Kur je fëmijë, përthith gjëra që nuk e di që po i përthith. Mëson gjëra pa miratimin tënd. Këto ide, këto imazhe, fillojnë të popullojnë trurin tënd, ndërkohë që nuk ke rënë dakort se është e pranueshme të tallësh njerëzit që janë ndryshe, ose të nënvizosh ekzotikën e tyre për t’u argëtuar”, thotë profesor Nel.

Ky është fundi për këta gjashtë libra. Por, dhjetëra libra të mirëpëlqyer të Dr. Seuss do të vazhdojnë të publikohen për brezat e ardhshëm të fëmijëve.

XS
SM
MD
LG