Lidhje

NASA u ofron studentëve të projektojnë kostumin e ri hapësinor


NASA po bashkëpunon me ekipe në kampuset universitare në mbarë Amerikën për të zhvilluar teknologjinë e re për kostumet hapësinore që do t’i ndihmojë astronautët gjatë rikthimit në Hënë, dhe në të ardhmen kur të zbarkojnë në Mars. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kane Farabaugh, vizitoi një nga këto ekipe, në Peoria të shtetit Illinoi. Ata shpresojnë të japin kontribut të konsiderueshëm për programin hapësinor të Shteteve të Bashkuara.

NASA u ofron studentëve të projektojnë kostumin e ri hapësinor
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:06 0:00

Zach Bachmann, student në Universitetin Bradley, nuk u rrit me aspiratën se do të bëhej astronaut.

“Jam i shkurtër, nuk shoh mirë dhe asmatik. Pra, edhe nëse do të doja, nuk mund të bëhem astronaut”, thotë ai.

Por, një interesim i përhershëm për lojërat elektronike dhe kompjuterat, e ka vendosur atë në epiqendër të përpjekjes kombëtare për të zhvilluar teknologjinë e kokores hapësinore për brezin e ardhshëm të astronautëve.

“Më ka pëlqyer gjithnjë shkenca dhe teknologjia. Dukej si një projekt interesant dhe u përfshiva”, thotë zoti Bachmann.

S.U.I.T.S., projekti interesant i NASA-s për projektimin e kostumeve hapësinore, u mundëson studentëve të krijojnë ekrane me informacion të shtuar për këto kostume.

“Ende e shikon botën rrotull, por ka mbivendosje. Pra, mund të kenë para syve të dhënat fizike, por sidoqoftë do të vazhdojnë të shikojnë Hënën ose çfarëdo objekti me të cilin po merren”, thotë Abby Irwin, drejtuese e projektimit.

Ata punojnë duke përdorur syzet më të fundit të realitetit virtual të kompanisë Microsoft, Holo Lens, për të krijuar dhe për të testuar idetë e tyre.

“Për navigimin morën shembuj nga programet e fluturimit që përdorin pilotët. Morëm disa ide edhe nga lojëra si Skyrim, për mënyrën se si ata realizojnë navigacionin në lojërat e tyre”, thotë zonja Irwin.

NASA ka njoftuar tashmë kostumin e ri hapësinor për misionet Artemis që janë planifikuar të zhvillohen gjatë kësaj dekade drejt Hënës. Sfida është finalizimi i këtij kostumi që përmban teknologji shumë të avancuar.

Këtu luan rol projekti S.U.I.T.S.

“Patëm idenë të caktonim fonde që studentët të kontribuonin për këto sfida teknike”, thotë Brandon Hargis, nga NASA.

Zoti Hargis thotë se programi S.U.I.T.S. e ndihmon NASA-n të zgjidhë disa probleme të vjetra si vonesat në komunikimin mes Tokës dhe Hënës, si dhe vonesën edhe më të madhe të dërgimit të sinjaleve në Mars.

“Në këtë rast, 250 mijë milje larg nga Toka në Hënë, ose disa milionë milje larg në Mars. Ka një lloj vonese në komunikim. Nëse astronauti do të ketë më shumë autonomi në marrjen e vendimeve, realiteti i shtuar mund ta ndihmojë në këtë drejtim”, thotë zoti Hargis.

Në një vit normal, dhjetë ekipe do të kishin udhëtuar drejt Qendrës Hapësinore Johnson të NASA-s në Hjuston, Teksas, për të demonstruar vetë projektet e tyre. Por, për shkak të pandemisë së koronavirusit, eksperienca e tanishme është e gjitha virtuale, duke u dhënë kështu më shumë studentëve shansin për të marrë pjesë.

“Duke qenë se po e zhvillojmë virtualisht këtë vit, ftuam njëzet ekipe të marrin pjesë në kursin tonë virtual në internet”, thotë zoti Hargis.

Ai thotë se për shkak të punës së studentëve, NASA ka bërë progres më të shpejtë për projektimin e kësaj teknologjie.

“Puna që ata bëjnë ka ngjallur kërkime në terren”, thotë zoti Hargis.

Kur astronautët të zbarkojnë sërish në Hënë, teknologjia e influencuar nga studentët do të jetë e pranishme përpara syve të astronautëve, për t’i ndihmuar të veprojnë në hapësirë.

“Jam shumë krenare për çfarë kemi realizuar deri më tani dhe për çfarë mund të arrijmë në të ardhme”, thotë zonja Irwin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG