Lidhje

BE, sanksione ndaj Kinës dhe Mianmarit për shkeljen e të drejtave të njeriut


Ministrat e jashtëm të BE-së që u takuan të hënën në Bruksel miratuan sanksione të lidhura me shkeljen e të drejtave të njeriut në Kinë, Mianmar dhe Rusi, ndërsa blloku po zgjeron masat që vënë në shënjestër shkeljen e të drejtave të njeriut në nivel global.

27 vendet anëtare të BE-së do të vendosin katër zyrtarë kinezë dhe një entitet të drejtuar nga shteti në një listë të zezë për shtypjen nga Pekini të pakicës ujgure.

Masa simbolike, e raportuar nga diplomatët e BE-së dhe që pritet të shënohet në fletoren zyrtare të BE të hënën më vonë, bëhet hera e parë që Brukseli godet Pekinin për abuzimet e të drejtave të njeriut që kur Evropa vendosi një embargo armësh në vitin 1989 për shkak të shtypjes së protestës në Sheshin Tiananmen.

Ministria e jashtme e Kinës ka paralajmëruar se Pekini do të "reagojë me një dorë të fortë" kundër çdo ndëshkimi mbi veprimet e tij në rajonin perëndimor të Xinjiangut.

Masat janë pjesë e një pakete sanksionesh për të drejtat e njeriut që kanë në shënjesët dhjetëra individë në Rusi, Korenë e Veriut, Eritre, Sudanin e Jugut dhe Libi, thanë diplomatët.

"Ky është një hap shumë i rëndësishëm që tregon se sa të përkushtuar jemi (ndaj çështjes së të drejtave të njeriut)", tha Ministri i Jashtëm sllovak Ivan Korcok.

Mekanizmi, i krijuar për ta bërë më të lehtë për bllokun që të sanksionojë abuzuesit e të drejtave të njeriu, filloi të përdorej këtë muaj me sanksionet e vendosura ndaj katër zyrtarëve rusë për burgosjen e kritikut të Kremlinit Alexei Navalny.

Diplomatët thanë se sanksionet e reja ndaj Rusisë do të kenë në shënjestër një numër individësh pas abuzimeve në rajonin e Çeçenisë, i cili drejtohet me një grusht të hekurt nga besniku i Kremlinit, Ramzan Kadyrov.

BE do të ngrirjë pasurinë e këtyre individëve dhe do të ndalojë dhënien e vizave për 11 zyrtarë të juntës së Mianmarit për shkak të rolit të tyre në puçin ushtarak muajin e kaluar dhe shtypjen e protestave pasuese.

"Ajo që ne shohim atje në aspektin e përdorimit të tepruar të dhunës është absolutisht e papranueshme", tha Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas.

"Për këtë arsye ne nuk do të jemi në gjendje të shmangim vendosjen e sanksioneve", shtoi ai.

Mianmari është përfshirë nga trazirat që kur ushtria rrëzoi udhëheqësen civile Aung San Suu Kyi më 1 shkurt, duke shkaktuar një kryengritje masive që forcat e sigurisë janë përpjekur ta shtypin përmes një fushate dhune dhe frikësimi.

Diplomatët kanë thënë se ndaj bizneseve të lidhura me ushtrinë ka të ngjarë të vendosen sanksione në javët e ardhshme.

Lidhjet me Turqinë

Turqia do të jetë pjesë e rëndësishme e takimit të ministrave të jashtëm të BE-së ndërsa vendet anëtare debatojnë mbi përpjekjet për të përmirësuar marrëdhëniet me Ankaranë pas një rritjeje të tensioneve vitin e kaluar mbi një territor në Mesdheun lindor.

Brukseli ka mirëpritur hapat e Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan për të ulur tensionet duke rifilluar bisedimet me Greqinë mbi kufirin e tyre të debatueshëm detar.

Por mbeten shqetësime të mëdha, përfshirë gjendjen e të drejtave të njeriut pas operacioneve për të ndaluar një parti kryesore të opozitës dhe vendimit të Presidentit Erdogan për të braktisur një traktat global për parandalimin e dhunës ndaj grave.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell ka hartuar një raport që përshkruan opsionet e bllokut për t'u diskutuar nga udhëheqësit në një takim virtual këtë javë.

Përpjekjet për përmirësimin e marrëdhënieve kanë çuar në shtyerjen e diskutimit për të vendosur sanksione, për të cilin është rënë dakord në dhjetor, lidhur me shpimet për naftë nga Turqia pranë brigjeve të të Qipros. Heqja e kësaj çështja nga axhenda u bë nga frika se ajo mund të dëmtonte përpjekjet e Brukselit për përmirësimin e lidhjeve me Ankaranë.

"Ka sinjale të ndryshme nga Turqia", tha ministri jashtëm gjerman Maas.

"Ne do të vazhdojmë të përpiqemi të qëndrojmë në dialog, por gjithashtu ta përdorim këtë dialog për të trajtuar çështjet ku ne besojmë se Turqia po dërgon sinjale të gabuara", shtoi ai.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG