Lidhje

Shqipëri, përmirësohet situata e Koronavirusit në javën e fundit


Në Shqipëri, java e fundit (16 Mars-22 Mars) shënoi një përmirësim të dukshëm të situatës së Koronavirusit, me një rënie si të rasteve të reja ashtu dhe të viktimave apo pacientëve të shtruar në spitale.

Të dhënat zyrtare të përpunuara nga Zëri i Amerikës tregojnë se totali javor i rasteve të reja ra në 3527 të infektuar, ose me 20.6 përqind krahasuar më javën pararendëse (9 Mars- 15 Mars). Kjo është dhe shifra më e ulët që nga fillimi i Janarit.

Numri i të prekurve ka njohur një tendencë rënëse që prej javës së tretë të muajit Shkurt, duke kapur të hënën dhe shifrën më të ulët ditore që pas 18 Janarit, me 344 raste: 90 në Tiranë, 27 raste në Shkodër, Berat, 23 raste në Vlorë, 20 raste në Pogradec, 15 raste në Librazhd, 12 raste në Fier, Kurbin, 9 raste në Durrës, Mallakastër, Gramsh, 8 raste Mirditë, 7 raste në Lushnje, Pukë, Gjirokastër, Kuçovë, 4 raste në Krujë, Kukës, Lezhë, Tepelenë, Vau i Dejës, Malësi e Madhe, 3 raste Elbasan, Kavajë, Divjakë, Peqin, Skrapar, Vorë, Patos, 2 raste në Kamëz, Sarandë, dhe 1 rast në Has, Delvinë, Ura Vajgurore, Belsh, Cërrik, Poliçan.

Numri i ulët i të infektuarve të hënën, përkon dhe me një tkurrje të fortë të testimeve (1993 tamponë). Megjithatë, pozitiviteti ishte në kuotën e 17.2 përqind, thuajse në nivelin mesatar javor, 17 përqind, ose gati 3 pikë më pak se java pararendëse. Pozitiviteti, treguesi I transmetueshmërisë së virusit në komunitet, ka ardhur në ulje që prej 4 javësh radhazi.

Rënie të ndjeshme, për të dytën javë, ka rregjistruar dhe numri i viktimave, që zbriti në 85 humbje jete (- 28.3 përqind), kuota më e ulët që pas javës së parë të shkurtit. Vdekjet ishin veçanërisht të ulta në dy ditët e fundit. Në 24 orët e fundit, sipas ministrisë së Shëndetësisë u rregjistruan 8 viktima: 2 qytetarë nga Tirana, 2 qytetarë nga Vlora, 1 qytetar nga Shkodra, 1 qytetar nga Elbasani, 1 qytetar nga Fier, 1 qytetar nga Saranda moshave 63-91 vjeç.

Përmirësim ka njohur dhe situata në të 7 spitalet ku trajtohen të sëmurët që kanë shfaqur shenja klinike. Të hënën, sipas të dhënave zyrtare kishte 399 të shtruar ose gati 18 përqind më pak së të hënën e një jave më parë. Edhe numri i pacientëve në terapi intensive ka rënë në 21 persona nga të cilët 7 ishin të intubuar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG