Lidhje

Gjermanët të ndarë në opinione lidhur me zgjatjen e masave shtrënguese 


Gjermania ka njoftuar zgjatjen e masave të izolimit ndërkohë që në një numër vendesh të botës autoritetet po zbusin gradualisht disa kufizime për të rifilluar aktivitetin. Në rrugët e Mynihut kalimtarët janë të ndarë në opinionet e tyre: disa të zhgënjyer, të tjerët në mbështetje të masave:

Gjermanët të ndarë në opinione lidhur me zgjatjen e masave shtrënguese
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:14 0:00

Kancelarja gjermane Angela Merkel u bëri thirrje udhëheqësve të 16 landeve gjermane të tregohen edhe më seriozë ndaj pandemisë, duke anuluar për momentin rihapjen graduale të ekonomisë. Gjermania ka përjetuar gjatë javëve të fundit një rritje të ndjeshme të përhapjes së infeksionit.

Në rrugët e Mynihut shumë banorë shprehen të gatshëm të pranojnë sakrifica edhe për pak kohë:

"Kemi ndeshur në këtë problem, këtë pandemi dhe duhet ta luftojmë së bashku. Duhet të bashkohemi. Mund të dalim në park, por nuk mendoj se udhëtimet janë ide e mirë,” thotë 20-vjeçarja Franziska Graf.

Banorët e pranojnë se kufizimet kanë koston e tyre mbi pronarët e bizneseve si dhe mbi jetën e përditshme të qytetarëve:

"Shihet qartë se numrat po shtohen. Unë personalisht nuk di si mund të vihet kjo situatë nën kontroll. Pa diskutim që ndikon tek pronarët e bizneseve dhe qytetarët, por nuk di si mund të bëhet ndryshe,” thotë Andreaas Nerlich.

Gjermania ka kaluar disa valë të shtimit të infektimeve pasuar nga shtrëngim të masave të izolimit. Duket se disa banorëve u ka sosur durimi:

"Mendoj se është e kotë. Ka pasur mbyllje të tjera më parë dhe nuk sollën përmirësim. Numrat prapë po shtohen. Nuk mendoj se këto pak ditë të Pashkëve do të kenë aq ndikim,” thotë Marina Koenig.

Të tjerë e pranojnë me zhgënjim situatën e krijuar:

"Do të rri në shtëpi, nuk kam bërë plane. Pa dyshim është e pakëndshme, e papëlqyeshme që po zgjaten masat por gjithashtu shihet qartë se numrat po shtohen prandaj nuk ka kuptim të rihapet aktiviteti,” thotë Vanessa Werner.

Gjermania filloi lehtësimin e matur të masave izoluese në fillim të muajit. Por përhapja e varianteve të reja më ngjitëse të koronavirusit e ka rënduar situatën, duke shtuar shqetësimet se spitalet mund të mbingarkohen nëse autoritetet nuk reagojnë me shpejtësi.

Gjermania ka regjistruar në total mbi 2 milionë e 680 mijë raste me koronavirus dhe më shumë se 75 mijë viktima nga sëmundja.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG