Lidhje

Biden bën thirrje për ligje më të forta për kontrollin e armëve


Presidenti Joe Biden po i bën thirrje Kongresit të miratojë ligje më të forta për kontrollin e armëve pas dy masakrave të fundit, një në Xhorxhia dhe një në Kolorado. Siç ka ndodhur edhe më parë, propozimet për ndryshime në ligjet për armëmbajtjen zgjojnë gjithmonë rezistencë të fortë nga republikanët.

Biden bën thirrje për ligje më të forta për kontrollin e armëve
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:35 0:00

Pas masakrës në një supermarket në Boulder të Kolorados, vetëm pak ditë pas një incidenti të ngjashëm në Altanta të Xhorxhias, përsëri flamujt janë ulur në gjysmë shtizë në Shtëpinë e Bardhë.

Të martën, Presidenti Biden i bëri thirrje Kongresit të veprojë menjëherë për të forcuar ligjet e kontrollit të armëve që janë ndër më të butat ndër vendet e përparuara demokratike.

“Mund të ndalojmë armët gjysmë automatike dhe karikatorët me kapacitet të lartë përsëri në këtë vend,” tha presidenti.

Ndalimi 10-vjeçar i armëve gjysmë-automatike i miratuar në 1994 skadoi në 2004 dhe nuk është riaktivizuar pasi republikanët e kundërshtojnë me forcë. Kjo temë shoqërohet me përçarje të forta partiake, siç u bë e qartë të martën në Senat:

“Sa herë ndodhin masakra, demokratët në këtë komision propozojnë t’ua heqim armët qytetarëve që respektojnë ligjin, thjesht sepse e kanë si synim politik,” thotë Senatori republikan Ted Cruz.

"Si shumë amerikanë të tjerë, e kam të shenjtë të drejtën e armëmbajtjes. Në një dialog për kontrollin e armëve, ne rrallë herë flasim për ata amerikanë të shumtë, të cilët janë të bashkuar në mbrojtje të kësaj të drejte,” tha Senatori Chuck Grassley.

Presidenti Biden po ashtu i bëri thirrje Senatit të miratojë projektligje për zgjerimin e kontrollit të biografisë së atyre që duan të blejnë armë, të miratuar rishtazi në Dhomën e Përfaqësuesve.

“Kontrolli i historikut të personit, ligje për persona në rrezik ekstrem që synojnë parandalimin e vetëvrasjeve, masakrat dhe krimet e urrejtjes. Akte për të mbrojtur viktimat e dhunës në familje, të gjitha këto mund t’i realizojmë,” tha Senatori demokrat Richard Blumenthal.

Zoti Biden gjatë fushatës premtoi se do të punonte për të ndalur dhunën nga armët, por mbetet e paqartë se sa kapital politik mund të shpenzojë për këtë çështje kur ka përparësi të tjera legjislative, përfshirë një paketë projektesh në infrastrukturë dhe reforma në imigracion me vlerë 3 trilionë dollarë.

Presidentë të mëparshëm demokratë janë përpjekur pa sukses të forcojnë ligjet, përfshirë Presidentin Obama pas masakrës së 2012-ës në një shkollë fillore ku mbetën të vrarë 20 fëmijë dhe 7 të rritur.

E drejta e armëmbajtjes mbrohet nga Amendamenti i Dytë i Kushtetutës. Lobi i fuqishëm pro-armëmbajtjes u bën rezistencë ligjeve për forcimin e kontrolleve.

“Nëse do të miratohen ndryshime, mendoj se do të jenë për kontrolle të përgjithshme të historikut për shitblerjen e armëve, mbylljen e të çarave në ligjet aktuale për kontrollin e historikut të blerësve të armëve,” thotë analisti Darrell Miller.

Amerikanët zotërojnë afro 45% të armëve që ka popullata civile e botës, ose rreth 120 armë për çdo 100 banorë.

Ky vend ka gjithashtu ritmet më të larta të vrasjeve me armë zjarri. Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, në 2019 u regjistruan afërsisht 40,000 vrasje nga dhuna me armë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG