Lidhje

Kosovë, Kurti merr vaksinën e parë


Albin Kurti vaccinated
Albin Kurti vaccinated

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u bë personi i parë që mori vaksinën kundër COVID-19-ës, një ditë pas arritjes në Kosovë të 24 mijë dozave të para të vaksinës së prodhuar nga kompania “AstraZeneca”.

Kosovë: Injektohen vaksinat e para kundër COVID-19-s
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:19 0:00

“Si kryeministër i Republikës së Kosovës nuk jam këtu që të shfrytëzoj privilegjin e të vaksinohem i pari, por që të inkurajoj të gjithë qytetarët që të vaksinohen meqë mbrëmë ka ardhur kontigjenti i parë i vaksinave, do të kemi edhe të tjera, do të përpiqemi që sa më shpejt, sa më shumë qytetarë të vaksinohen”, tha ai pas marrjes së vaksinës.

Vaksinat mbërritën në Kosovë nëpërmjet programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Kryeministri Kurti u vaksinua në sallën 1 tetori në kryeqytet, që ndodhet në qendrën e studentëve dhe që do të jetë qendër e vaksinimit në Prishtinë.

Autoritetet thanë se vaksinimi në shkallë më të gjerë prtitet të fillojë nesër në kryeqytet, ndërsa në ditët në vazhdim edhe në qytetet e tjera.

Sipas planit, të parët që do të vaksinohen janë punonjësit shëndetësorë dhe personat mbi moshën 80 vjeçare si dhe ata me sëmundje kronike më të rënda.

Programi COVAX është zotuar t’i ofrojë Kosovës 100 mijë e 800 doza. Kjo sasi është larg të qenit e mjaftueshme për nevojat e Kosovës e cila pjesën tjetër duhet ta blejë vetë.

Kosova është vendi i vetëm në Evropën juglindore që nuk ka pasur asnjë vaksinë deri tani. Disa qindra punonjës shëndetësorë janë vaksinuar në Shqipëri me mbështetjen e qeverisë shqiptare.

Vaksinat e para mbërritën në një periudhë kur Kosova po përballet me shtim të numrit të viktimave dhe të të prekurve nga koronavirusi.

Gjatë muajit mars Kosova regjistroi 19 mijë e 545 raste të reja me COVID-19, 10 mijë e 533 raste më shumë krahasuar me muajin shkurt kur ishin identifikuar 9 mijë e 12 raste.

Kjo është shifra e dytë më e lartë mujore nga përhapja e pandemisë në Kosovë pas muajit nëntor të vitit të kaluar kur ishin identifikuar 19 mijë e 754 raste me COVID-19, pra 209 raste më shumë.

Kosova konfirmoi 245 vdekje nga COVID-19 gjatë muajit mars, 144 më shumë sesa para një muaji kur humbën jetën 101 persona.

Aktualisht 88 mijë e 775 është numri i përgjithshëm i të prekurve dhe 1 mijë e 844 numri i atyre që kanë humbur jetën nga pasojat e koronavirusit.

Kosova vazhdon me masa të lehta kufizuese për frenimin e Covid-19 ndërsa ekonomia e saj po përballet me vështirësi për t’u rimëkëmbur nga pasojat e pandemisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG