Lidhje

Sekuestrohen në kontejnerin me banane, 49 kg kokainë në Portin e Durrësit


Në Shqipëri, një operacion i policisë i mbështetur nga strukturat doganore në Portin e Durrësit, çoi në sekuestrimin e një sasie droge prej 49 kilogramësh, e dyshuar si kokainë. Lënda narkotike u gjet e fshehur në një kontejner bananesh i nisur nga Ekuadori e që më parë kishte bërë një ndalesë dhe në portin turk të Mersinit, emrin e të cilit mbajti dhe operacioni i zhvilluar nga policia.

Ngarkesa me banana ishte porositur nga kompania “Ecoalmax”, administrator i së cilës është 72 vjeçari Selim Çekaj, babai i Arbër Çekajt, personit të arrestuar dhe dënuar me 14 vjet burg, për trafikun e 619 kilogramëve kokainë të zbuluara në shkurt të vitit 2018, në Portin e Durrësit, po në një kontejner bananesh i nisur dhe ai nga Ekuadori.

Selim Çekaj, është vënë në pranga nga policia, ndonëse ka mohuar të ketë lidhje me drogën e gjetur në ngarkesën e porositur nga kompania e tij, e cila kishte nisur aktivitetin, vetëm një muaj pasi u gjet sasia e madhe e kokainës që çoi në arrestimin e të birit.

Raporti i fundit vjetor i Strategjisë ndërkombëtare të kontrollit të drogave, i publikuar nga Departameti amerikan i Shtetit, pak javë më parë vlerësonte se Shqipëria konsiderohet ende si “një vend burim i kanabisit dhe një bazë për grupet e krimit të organizuar që lëvizin lëndët narkotike nga vendet e burimit në tregjet evropiane. Shtetasit shqiptarë janë shumë të përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike në të gjithë Evropën”, nënvizonte raporti.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG