Lidhje

SHBA, Irani pritet të zhvillojnë bisedime bërthamore indirekte në Vjenë


The flag of the International Atomic Energy Agency (IAEA) flies in front of IAEA's headquarters during a board of governors meeting in Vienna, Austria June 12, 2017. REUTERS
The flag of the International Atomic Energy Agency (IAEA) flies in front of IAEA's headquarters during a board of governors meeting in Vienna, Austria June 12, 2017. REUTERS

Irani dhe Shtetet e Bashkuara thanë të premten se do të zhvillojnë bisedime indirekte në Vjenë të martën si pjesë e negociatave më të gjera për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 midis Teheranit dhe fuqive globale.

Teherani ka përjashtuar diskutimet dypalëshe kokë më kokë, por prania e Iranit dhe Shteteve të Bashkuara në kryeqytetin austriak, e quajtur nga Uashingtoni si një "hap i shëndetshëm përpara", do të ndihmojë në përqendrimin e përpjekjeve për t'i kthyer të gjitha palët përsëri në zbatimin e marrëveshjes.

Qëllimi është të arrihet një marrëveshje brenda dy muajsh, tha një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian dhe koordinator i marrëveshjes. Irani do të mbajë zgjedhje në qershor.

Ish-presidenti amerikan Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja në vitin 2018 dhe vendosi përsëri sanksione mbi Iranin, duke e bërë atë të shkelë disa nga kufizimet bërthamore të paktit. Pasuesi i tij, Joe Biden dëshiron të ringjallë marrëveshjen, por Uashingtoni dhe Teherani kanë patur një përplasje mbi atë se kush duhet të ndërmarrë hapin e parë.

"Irani dhe Shtetet e Bashkuara do të jenë në të njëjtin qytet, por jo në të njëjtën dhomë", tha një burim diplomatik Evropian.

Një diplomat perëndimor tha se do të ketë një qasje të diplomacisë nga distanca.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të Shtetit, Ned Price tha se bisedimet do të strukturohen rreth grupeve të punës që Bashkimi Evropian do t’i formojë me pjesëmarrësit e tjerë, duke përfshirë Iranin.

"Ne nuk parashikojmë një përparim të menjëhershëm pasi do të ketë diskutime të vështira. Por ne besojmë se ky është një hap i shëndetshëm përpara", tha ai në një deklaratë, duke shtuar se Uashingtoni mbetet i hapur për bisedime të drejtpërdrejta me Teheranin.

Zyrtari i BE-së tha se listat negociuese të sanksioneve që Shtetet e Bashkuara mund të heqin dhe detyrimet bërthamore që Irani duhet të përmbushë eventualisht do të "duhet jenë pjesë e një dakordimi."

"Në fund, ne po i qasemi kësaj në mënyrë paralele. Unë mendoj se mund ta arrijmë këtë në më pak se dy muaj", tha zyrtari.

Irani, Kina, Rusia, Franca, Gjermania dhe Britania, të gjitha palët në marrëveshjen e vitit 2015, zhvilluan bisedime virtuale të premten për të parë se si mund të ecet përpara.

"Synimi është arritja e shpejtë e një dakordimi për masat e heqjes së sanksioneve dhe atyre bërthamore për t’i hapur rrugën heqjes së të gjitha sanksioneve, të pasuara nga masat korrigjuese që Irani duhet të ndërmarrë në këmbim të këtij veprimi", tha Ministri i Jashtëm i Iranit Mohammad Javad Zarif në Twitter. "Nuk do të ketë asnjë takim Iran-SH.B.A.. Një takim i tillë është i panevojshëm", shtoi ai.

Dy diplomatë thanë se raundi i parë i bisedimeve mund të zgjasë disa ditë, dhe mund të pasohet nga dy ose tre raunde të tjera në javët në vijim për të trajtuar çështjet e ndërlikuara.

Sipas marrëveshjes së vitit 2015, sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe sanksionet e tjera ekonomike ndaj Teheranit u hoqën në këmbim të zvogëlimit të programit bërthamor të Iranit për ta bërë më të vështirë zhvillimin e një arme bërthamore, një ambicie që Teherani e mohon.

Diplomatët thanë muajin e kaluar se shanset që Uashingtoni dhe Teherani të bënin përparim për të ringjallur marrëveshjen përpara zgjedhjeve të Iranit u ulën pasi Irani ashpërsoi qëndrimin e tij.

"Nëse nuk e arrijmë këtë brenda dy muajsh, ky do të jetë padyshim një lajm i keq", tha zyrtari i BE.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG