Një imigrant shqiptar nga Dibra e Maqedonisë së Veriut ka krijuar një aplikacion që u mundëson pronarëve të restoranteve dhe picerive të vogla të ofrojnë produktet e tyre drejtpërdrejt nga celulari. Ilir Sela thotë se pasioni i tij për teknologjinë dhe përvoja e familjes së tij në industrinë e shërbimeve, i dhanë idenë për të krijuar aplikacionin Slice.
Sot, janë më shumë se 50 mijë restorante në 3000 qytete të Amerikës. që përdorin platformën e kompanisë Slice. Në një bisedë me kolegen Rudina Dervishi, shqiptaro-amerikani tregon rrugën që ka ndjekur për të arritur suksesin.
“Isha 10 vjeç kur erdha me familjen në Amerikë. Më kujtohet tek shihja nga avioni dritat e Nju Jorkut. Unë vija nga një qytet i vogël si Dibra ku nuk kishte as drita trafiku. Nju Jorku dukej si një vend magjik ku çdo gjë ishte e mundur”.
Ilir Sela ka një histori të ngjashme me atë të shumë imigrantëve që arrijnë sukses në Amerikë. Ai trashëgoi nga prindërit etikën e fortë për punën dhe u mundua të ndihmote familjen qysh në moshë të re.
“Isha 13 vjeç kur shkova dhe kërkova punë në një restorant të lagjes, sepse doja të ndihmoja familjen pas shkollës. Në fillim nuk më pranuan sepse isha vetëm 13 vjeç dhe më pak se një metër i gjatë. Për muaj me radhë shkoja atje çdo ditë derisa më pranuan. Punoja tre orë në ditë dhe më paguanin 2 dollarë në orë. Fitoja 6 dollarë në ditë që, në atë moshë mendoja se ishin shumë”.
Disa nga anëtarët e familjes së tij në Nju Jork janë pronarë picerish ndërsa ai vetë u diplomua në shkencat kompjuterike. Ideja e aplikacionit që mund të sillte teknologjinë në ndihmë të bizneseve të vogla, lindi natyrshëm.
“Shumë nga shqiptarët që kanë emigruar në Amerikë punojnë në industrinë e restoranteve. Në zonën e Nju Jorkut, shumë kanë restorante picash. Shumë anëtarë të familjes sime kanë në pronësi piceri të vogla, kështu që pashë nga afër vështirësitë e tyre kur teknologjia u bë një element i rëndësishëm për sukses, dhe mendova të ndihmoja”, thotë Iliri.
Ai e krijoi aplikacionin Slice në vitin 2010. Sot kompania e tij u mundëson gati 50 mijë restoranteve të vogla në më shumë se 3 mijë qytete amerikane, të ofrojnë produktet e tyre tek një klintelë më e gjerë dhe të konkurrojnë me bizneset e mëdha që dominojnë industrinë, si Domino’s dhe Pizza Hut.
“Duke punuar në këtë industri, kuptova se kompanitë si Domino’s dhe Pizza Hut, janë komunitete të mëdha sipërmarrësish që operojnë në shumë vende. Industria e biznesit të vogël të picerive, është disi e njëjtë, ndryshimi i vetëm është se ata nuk punojnë së bashku ose si një komunitet. Aplikacioni Slice i bashkon piceritë lokale, dhe i fuqizon të gjithë me të njëjtat mjete dhe teknologji, për ta tejkaluar këtë hendek”.
Një mësim i madh për të ka qënë ideja se ndryshe nga mundësitë, talentet nuk kanë kufi.
Prejardhja e tij nga Dibra e Madhe dhe lidhjet me vendlindjen e kanë ndihmuar Ilirin në biznesin e tij. Që nga viti 2011 ai ka punësuar më shumë se 600 profesionistë të rinj nga Maqedonia e Veriut që ndihmojnë në shumë aspekte.
“Një nga gjërat e para që bëmë ishte punësimi i profesionistëve të rinj në Maqedoni, për të ndihmuar në futjen e të dhënave. Ata ishin të shkëlqyer në punë. Dhe, ndërsa vendosëm të zgjeronim biznesin tonë, filluam të punësonim njerëz në shërbimet për klientët, apo në shitje, dhe tani edhe për aspektet inxhinierike. Ne këtë anë të biznesit ne e bëjmë kryesisht atje. Kështu që ka qenë një element i fuqishëm i këtij rrugëtimi”.
Pandemia e COVID-it ka prekur shumë piceri të vogla në Amerikë. Por kjo i ka dhënë mundësi kompanisë Slice të forcojë lidhjet me komunitetin duke u qëndruar pranë këtyre bizneseve në kohë të vështira. Kompania arriti të grumbullojë 600 mijë dollarë fonde me të cilat piceritë ofruan ushqime falas për punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe shërbimin policor në të gjithë vendin. Kompania Slice vazhdon t’u vijë në ndihmë pronarëve të restoranteve të vogla duke ofruar programe për përmirësimin e lidhjeve të tyre me teknologjinë, që ato të rrisin biznesin edhe pas pandemisë.
Facebook Forum