Lidhje

Nju Jork, Pushohen rojet se nuk ndërhynë gjatë sulmit të urrejtjes


Dy punonjës të personelit të mirëmbajtjes në një kompleks apartamentesh në Nju Jork janë pushuar nga puna pasi nuk ndërhynë për të ndihmuar një grua aziatiko-amerikane që po sulmohej para hyrjes së kompleksit. Njoftimin e bëri menaxheri i kompleksit të martën.

Imazhet e kapura nga kamera e sigurisë më 29 mars tregojnë ngjarjet në kompleksin pranë sheshit Times Square në Nju Jork, kur dy rojet nuk dalin nga ndërtesa për të paktën një minutë pasi ka përfunduar sulmi dhe autori i incidentit është larguar.

Dy burrat shihen duke e ndjekur ngjarjen nga lobi, ndërkohë që 65- vjeçarja Vilma Kari goditet në mënyrë të përsëritur me këmbë. Një prej rojeve mbyll derën e ndërtesës ndërsa viktima e sulmit është e shtrirë përdhe për disa sekonda pasi ka përfunduar sulmi.

Kompania e menaxhimit të ndërtesës, The Brodsky Organization, fillimisht i pezulloi rojet nga puna dhe hapi hetime. Këto hetime përfunduan të martën dhe kompania vendosi t’i pushojë dy rojet.

"Megjithëse në videon e plotë nga kamera e lobit shihet se pasi iku autori i sulmit dy rojet dolën për ta ndihmuar viktimën dhe ndalën një makinë policie, është e qartë se ata nuk ndoqën protokollet e sigurisë dhe reagimit në raste emergjente,” tha kompania përmes një deklarate.

Kompania The Brodsky Organization është zotuar që të gjithë punonjësit e stafit të saj do të marrin trajnim mbi protokollet e reagimit në raste emergjente si dhe për ndërgjegjësim kundër paragjykimeve dhe për kalimtarët.

Sindikata e dy rojeve tha se do të ngrejë padi për të sfiduar vendimin, bazuar në termat e kontratave të punësimit. Procesi mund të zgjasë për disa muaj, tha sindikata.

"Ne besojmë se duhet të çrrënjosim racizmin në të gjitha format,” tha presidenti i sindikatës, Kyle Bragg përmes një deklarate. “Ne besojmë se të gjithë anëtarët e sindikatës, sidomos ata me ngjyrë që shpesh hasin trajtim të padrejtë në punë, kanë të drejtën për një proces të drejtë siç e specifikon kontrata”.

Më parë sindikata tha se rojet kishin pritur deri sa të largohej autori i sulmit për të parë si ishte viktima dhe kishin ndalur një makinë policie kur menduan se sulmuesi kishte thikë.

Videoja e kamerave të sigurisë tregon se makina e policisë arrin në skenën e ngjarjes afro një minutë pasi rojet dalin nga ndërtesa. Punonjësit dhe policët shihen pranë gruas së sulmuar për disa minuta në trotuar para se të përfundojë xhirimi.

Brandon Elliot, një 38-vjeçar i liruar me kusht para vuajtjes së plotë të dënimit lidhur me vrasjen e së ëmës 20 vjet më parë, është nën akuza për sulmin si krim urrejtjeje. Ai pritet të dalë para gjykatësit më 21 prill kur do t’i lexohen zyrtarisht akuzat. Avokatët e tij i kanë bërë thirrje publikut të mos e paragjykojë çështjen “deri kur të paraqiten faktet në gjykatë”.

Viktima e sulmit, imigrante nga Filipinet, u sulmua para një kompleksi luksoz kur po shkonte në kishë. Ajo ka pësuar lëndime të rënda, përfshirë krisje të legenit dhe u shtrua në spital për një ditë.

Ky akt ndodh në një kohë kur janë regjistruar rritje të ndjeshme të krimeve të urrejtjes kundër aziatiko-amerikanëve dhe në shumë raste është vënë re pasivitet i kalimtarëve që nuk kanë ndërhyrë për të dhënë ndihmë. Policia tha se askush nuk kishte marrë në telefon autoritetet për të kërkuar ndihmë dhe se makina e policisë që erdhi në skenën e ngjarjes po kalonte rastësisht.

Vajza e viktimës thotë se sulmuesi ndali goditjet kur një person nga ana tjetër e rrugës i thërriti për ta shpërqëndruar. Në sekondat e fundit të videos sulmuesi shihet duke prerë rrugën drejt personit që kishte thërritur për t’i ardhur në ndihmë gruas së sulmuar. Personi mbetet anonim.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG