Lidhje

Shqipëri, vijnë kontrollorë ajrorë turq e grekë, rinisin fluturimet


Në Shqipëri, një ditë pas protestës së kontrollorëve ajrorë, që çoi në bllokimin e aeroportit të vetëm ndërkombëtar të vendin, sot rinisën fluturimet e emergjencës, ndërsa të premten, sipas deklaratave të ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku, rifillojnë dhe linjat e tjera ajrore. Menaxhimi i trafikut, do t’i besohet një grupi kontrollorësh turq, dhe grekë, ndërkohë që kompania Albcontrol, është në kontakte me kontrollorët shqiptarë, për rikthimin e tyre në detyrë. Një hetim i nisur nga Prokuroria çoi të enjten në ndalimin e tre kontrollorëve të cilët dyshohet të kenë organizuar protestën

Një avion i kompanisë Air Albania, me një ngarkesë prej 100 mijë dozash vaksinash, u ul të enjten pasdite në pistën e aeroportit Nënë Tereza, pas njoftimit të autoriteteve se kishin siguruar shërbimin e organizmit të trafikut ajror, të paktën për fluturimet emergjente. Ndërsa të premten, siç bëri të ditur ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku “që nga orët e para të mëngjesit dhe gjatë gjithë ditës, do të filojmë të kemi operime normale në aeroportin e Rinasit, për të gjithë udhëtarët e fluturimeve tregtare. Pra të gjitha kompanitë që janë të skeduluara dhe të gjitha kompanitë charter që operojnë në Republikën e Shqipërisë”.

Rrinisin fluturimet në aeroportin "Nënë Tereza", ndalohen 3 kontrollorë ajrorë
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:32 0:00

Ministrja nuk bëri të ditur se si do të bëhej e mundur në kushtet e mungesës së kontrollorëve. Këtë e zbuloi në mbrëmje kryeministri Edi Rama gjatë një interviste për televizionin ABC NEWS. “Sot gjithshka në kontroll. Kemi patur përgjigje nga kontrollorët e Turqisë. Nesër mbërron dhe një grup nga Greqia. Do punojnë bashkë për të garantuar vijimin e punës. Do të qëndrojnë këtu dhe është një akt i mirëfiltë solidariteti në kushte shumë të rënda dhe të pakuptueshme për askënd”, shpjegoi kryeministri. Ai bëri të ditur se dhe një pjesë e kontrollorëve shqiptarë “janë kthyer në punë, të gatshëm për të nisur punën” duke nënvizuar se “kjo nuk mbaron me kaq. Do të bëhet një proces shumë i vëmendshëm”, mbi atë çka ndodhi.

Edhe aeroporti “Nënë Tereza”, njoftoi mbrëmjen e së enjtes rinisjen e aktivitetit, duke publikuar oraret e fluturimeve si në nisje ashtu dhe në mbërritje.

Specialistët turq dhe grekë do të zëvendësojnë kolegët e tyre shqiptarë, të cilët të mërkurën nisën një protestë të paprecedentë për shkak të një vendimi të shoqërisë Albcontroll të prilllit të vitit të kaluar për thuajse përgjysmimin e të ardhurave të tyre mujore, si pasojë e rënies së fluksit të fluturimeve në situatën e pandemisë.

Fillimisht ishte një grup i vogël kontrollorësh që deklaroi paaftësinë për të punuar për shkak të stresit financiar. Por nisja e procedurave të shkarkimit nga puna për ta, u bë shkak, që me të njejtin arsyetim, atyre t’u bashkoheshin dhe kontrollorë të tjerë.

Autoritetet folën sërish të enjten për “një grevë të paligjshme, me një prapavijë politike në prag të zgjedhjeve të 25 prillit” dhe reaguan gjithashtu me gjuhën e forcës. Policia ushtarake mori nën ruajtje kullën e trafikut ajror, ndërsa kontrollorëve që nuk kryenin detyrën ju kërkua të largoheshin nga mjediset e punës.

Albcontrol ngriti padi të mërkurën pasdite ndaj disa prej kontrollorëve, të konsideruar si “organizatorë të kësaj proteste”. Prokuroria e Tiranës nisi menjëherë veprimet e para, dhe në polici u shoqëruan të paktën 24 kontrollorë. Ndërsa 21 prej tyre u lanë të lirë gjatë ditës së sotme, për tre të tjerë është nxjerrë një urdhër ndalimi nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim. Menjëherë më pas avokati i tyre Rezart Kthupi, tha se “kjo akuzë nuk mund të ngrihet ndaj një punonjësi të një shoqërie anonime. Gjykoj se kjo mund të ngrihet vetëm ndaj një punonjësi që ushtron një funksion në një institucion shtetëror për shpërdorim detyre shtetërore. Nuk e di se me çfarë arsyeje prokuroria gjen këtë si vepër penale për të ngritur akuzën”.

Sipas procesverbalit të ndalimit, ku citohen dhe komunikime telefonike, të tre kanë “ndikuar te vartësit e tyre, për të plotësuar formularin e paaftësisë së përkohshme për punë me qëllim shmangien nga detyrimi ligjor për të ushtruar detyrën”. Për ndalimin e tyre pritet të shprehet gjykata.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG