Lidhje

Një i vrarë e 4 të plagosur në Elbasan në mes të fushatës elektorale


Në Shqipëri, Pjerin Xhuvani, 56 vjeç, i cili mendohet se është angazhuar në mbështetje të fushatës e Partisë socialiste mbeti sot i vrarë në qytetin e Elbasanit.

Policia njoftoi se është vënë në pranga autori i dyshuar i vrasjes, Arbër Papleka, i angazhuar në fushatën e Partisë Demokratike, si pjesë e stafit të drejtuesit politik për qarkun e Elbasanit, Gazmend Bardhi. Papleka, një ish pjestar i forcave speciale të policisë, është vetdorëzuar. Katër persona të tjerë kanë mbetur të plagosur, mes të cilëve dhe një punonjëse e policisë, e cila sipas njoftimit zyrtar, po përpiqej të parandalonte krimin.

Mbetet e paqartë dinamika e ngjarjes. Dyshohet se mbështetës të Partisë Demokratike kanë bllokuar një automjet që dyshohej se po lëvizte me para për të blerë vota. Sipas të dhënave ende jo zyrtare, dyshohet se mes palëve ka patur dhe një shkëmbim zjarri. Autori i dyshuar i vrasjes, Papleka, mësohet të ketë deklaruar në polici se ai ka vepruar në kushtet e vetmbrojtjes.

Ndërsa pas ngjarjes drejtuesi politik socialist për qarkun e Elbasanit, Taulant Balla akuzoi hapur Partinë demokratike. “Sot kanë ardhur në Elbasan furgona, prej ku grupe paramilitare, njerëz të armatosur nga qytete të tjera kanë zbritur dhe kanë terrorizuar qytetarë elbasanas për qametet që gjoja i presin pas 25 prillit! Kjo ofensivë tejet shqetesuese, për të cilën tanimë flet i madh e i vogël në Elbasan, ka arritur kulmin me masakrën që tashmë e di gjithë Shqipëria!””, deklaroi ai për gazetarët.

Në një postim në Twitter, kryeministri Edi Rama u shpreh se “dëshpërimi i humbësve nuk duhet e nuk do të na bëjë të humbasim as qetësinë, as durimin, as besimin se 25 prilli do të sjellë bashkimin e shqiptarëve për ta ngjitur Shqipërinë në majën e merituar dhe ndëshkimin kuptimplotë të forcave që duan të ribëhen gjarpër rreth këmbëve tona!”.

Versioni i Partisë Demokratike

Nga ana e saj Partia Demokratike, dha versionin e saj të ngjarjes përmes një deklarate në orët e vonna, të zotit Bardhi, i cili ka bërë përgjegjës për ngjarjen zotin Balla, i cili sipas tij “nën panikun e humbjes po bashkëpunon me bandat e tij, në përpjekje për të organizuar si në zgjedhjet e kaluara, strukturat kriminale të blerjes së votës”. Nga ana tjetër ai ka bërë të ditur se Partia Demokratike ka në dispozicion atë që e quajti “Struktura e Mbrojtes së Votës”, e cila siç shpjegoi ai “ka në përbërje ish-punonjës të Policisë së Shtetit, të pastër dhe pa asnjë precedent penal”.

Drejtuesi politik demokrat tha se ata kishin patur “informacione të sigurta, që një automjet pa targa po lëvizte në lagjen 5 Maj, e drejtuar nga një person i quajtur Met Dafllaku, dhe në mes të ditës, në mes të lagjes, në mënyrë demostrative, po shpërndante para në këmbim të votave dhe po mblidhte karta identiteti”. Zoti Bardhi ka bërë të ditur se është njoftuar policia dhe se ndërkohë që ajo “ka qenë duke kryer veprimet përkatëse, në ndihmë të shtetasit Met Dafllaku që po shpërndante para në këmbim të votës kanë ardhur një grup personash të tjerë, me disa makina, një pjesë e të cilave të blinduara. Në këto makina ndodheshin anëtarë të krimit të organizuar, që janë denoncuar nga ana jonë në SPAK, por edhe publikisht si dhunuesit e qytetarëve të elbasanit në Ditën e Verës. Në këtë moment – ka shtuar ai - në prezencë të Policisë së Shtetit, në tentativë për të mundësuar largimin e makinës dhe personit që po blinte vota, një nga personat që dyshohet të jetë Klement Xhaferri, por edhe shtetas të tjerë të paidentifikuar nga strukturat tona, ka nxjerr armën dhe ka qëlluar në drejtim të anëtarëve të Strukturës për Mbrojtjen e Votës. Aty kanë mbetur të plagosur Pavlo Vuksani dhe Emiljano Prenga, të dy ish punonjës të Policisë së Shtetit, pjesë e Strukturës për Mbrojtjen e Votave në Elbasan. Në këtë moment ka pasur të shtëna me armë mes palëve”, ka treguar zoti Bardhi në deklaratën e tij, pa shpjeguar se cili kishte qenë pozicioni dhe roli i Xhuvanit në konflikt.

Ende deri në mbrëmje nuk ka patur një version zyrtar mbi ngjarjen. Sipas policisë “janë shoqëruar në Drejtoritë Vendore të Policisë Elbasan dhe Tiranë, disa persona të dyshuar se kanë dijeni apo lidhje me ngjarjen”.

Reagon ambasada amerikane dhe Delegacioni i BE-së

Në një deklaratë të saj për ngjarjen e ndodhur në Elbasan, ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri i bën “thirrje zyrtarëve të zbatimit të ligjit të hetojnë këtë incident sa më shpejt dhe në mënyrë të plotë, të identifikojnë autorët dhe t’i dënojnë me të gjithë forcën e ligjit. Ata që përfshihen në dhunë të tillë duhet të ndëshkohen”. Deklarata bën të ditur më pas se ambasadorja Yuri Kim “i ka kërkuar Presidentit Meta, Kryeministrit Rama dhe Kryetarit të Partisë Demokratike Basha të ushtrojnë vetëpërmbajtje – dhe të udhëheqin në të njëjtën mënyrë – ndërsa çështja është duke u hetuar. Veprimet tona duhet të bazohen në fakte, jo në frikë apo thashetheme. Kur vetëm disa ditë na ndajnë nga zgjedhjet e 25 prillit, ne përsërisim deklaratën tonë të 26 marsit duke bërë thirrje që udhëheqësit – ata që janë në pushtet dhe ata që kërkojnë pushtet – të refuzojnë qartazi dhunën. Ambasada Amerikane do të vazhdojë të monitorojë situatën nga afër”, përfundon deklarata e ambasadës amerikane.

Nga ana e tij dhe Delegacioni i Bashkimit europian është shprehur se “akti i dhunshëm që ndodhi sot në Elbasan duhet të hetohet me shpejtësi nga autoritetet kompetente, dhe duhen bërë të qarta përgjegjësitë dhe të ndiqet plotësisht”. Përfaqësia e BE-së bëri gjithashtu thirrje “për përmbajtje dhe shmangie të dhunës, retorikës nxitëse dhe gjuhës së urrejtjes në këtë moment vendimtar të fushatës elektorale".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG