Lidhje

Navalni i jep fund grevës së urisë, por e ardhmja politike ngryset


Udhëheqësi i burgosur i opozitës ruse Aleksei Navalni njoftoi se do t’i japë fund grevës së urisë pas marrjes së ndihmës mjekësore dhe pas paralajmërimit nga mjekët e tij, se vazhdimi i saj do të ishte kërcënuese për jetën e tij.

Aleksei Navalni i jep fund grevës se urisë
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:22 0:00


Në një postim në Instagram të premten pasdite, në ditën e 24 të grevës së urisë, zoti Navalni shkruante se ai do të vazhdojë të kërkojë të vizitohet nga mjeku i tij, për trajtimin e një humbjeje të ndjeshmërisë tek këmbët dhe krahët, kërkesa kryesore e politikanit kur njoftoi nisjen e grevës së urisë. Por ai tha se nuk do ta refuzonte më ushqimin pasi të vizitohej nga mjekë jo të burgut.

"Falë mbështetjes së madhe të njerëzve të mirë në të gjithë vendin dhe në të gjithë botën, ne kemi bërë përparim të madh", shprehej zoti Navalni në mesazhin e tij.

Politikani 44-vjeçar, i cili u arrestua në fillim të këtij viti dhe po vuan një dënim prej 2 vitesh e gjysmë, e filloi grevën e urisë më 31 mars si protestë ndaj refuzimit të autoriteteve të burgut që ai të vizitohej nga mjekët e tij, pasi ndjente dhimbje të forta në shpinë e mpirje të këmbëve.

Zyrtarët rusë kanë këmbëngulur që zoti Navalni ka marrë gjithë ndihmën e duhur mjekësore, por udhëheqësi i opozitës ka thënë se efektivisht, ai nuk kishte marrë asnjë trajtim.

Të mërkurën në mbrëmje në të gjithë Rusinë u zhvilluan protesta të reja masive ku kërkohej lirimi i zotit Navalni. Një ndihmës kryesor i tij, tha se protestat e së mërkurës në mbrëmje duket se kishin nxitur autoritetet ruse që t’i siguronin zotit Navalni ndihmën mjekësore që ai kishte kërkuar që në fillim të grevës së urisë. Shtetet e Bashkuara e kishin paralajmëruar Moskën për pasoja në se zoti Navalny vdiste.

Mbështetësit dhe miqtë e udhëheqësit të opozitës ruse, reaguan me lehtësim pas daljes së tij nga greva e urisë, por burime pranë Kremlinit dhe disa aktivistë thanë se lëvizja e tij politike, Fondacioni Kundër Korrupsionit ndodhej në prag të marrjes së një goditje të mundshme nga autoritetet.

Një gjykatë ruse pritet të vendosë javën e ardhshme mbi një kërkesë nga një prokuror i Moskës për të nxjerrë zyrtarisht jashtë ligjit fondacionin dhe selinë rajonale të zotit Navalni, shtylla kurrizore e lëvizjes së tij, nën arsyetimin se është një grup ekstremist.

Një vendim i tillë, nëse merret, do t'u jepte autoriteteve fuqinë ligjore për të arrestuar dhe burgosur mbështetësit e tij thjesht për faktin se janë aktivistë.

Një burim i afërt me Kremlinin parashikon se aleatët e zotit Navalni do të ndeshin në vështirësi nëse do të merrej ky vendim.

"Do të jetë fundi i tyre si njerëz me ndikim", tha i njëjti burim. "Ata do të detyrohen të gjejnë mënyra të reja të komunikimit me mbështetësit e tyre. Do të kenë nevojë për kohë për të marrë sërish vrull".

I njëjti burim tha se autoritetet ishin të gatshme të burgosnin disa nga aleatët e zotit Navalni, të cilët ata i konsideronin si më radikalët.

"Vetëm disa ka të ngjarë të shkojnë në burg, më të rrezikshmit", tha i njëjti burim. "Autoritetet nuk duan të duken si kanibalë", shtoi ai.

Leonid Volkov, një nga aleatët më të ngushtë të zotit Navalni, nuk pranoi të komentonte ashtu sikurse edhe disa ndihmës të tjerë të tij.

"Lëvizja e protestave në Rusi do të shkatërrohet e do t'i pritet koka në një shkallë të gjerë, por nuk do të zhduket", thotë Abbas Gallyamov, një ish-shkrues fjalimesh për Kremlinin.

"Njerëzit që nuk e duan Putinin vështirë se do të fillojnë ta pëlqejnë atë pas kësaj. Përkundrazi, zemërimi i tyre do të rritet, por shpërthimet e tyre do të jenë më spontane dhe më pak të organizuara", tha ai.

Udhëheqësi i opozitës, kritiku kryesor i Presidentit Vladimir Putin, u arrestua në janar pas kthimit të tij nga Gjermania, ku ai qëndroi për pesë muaj për t'u trajtuar nga një helmim me agjent nervor. Zoti Navalni ka fajësuar për sulmin Kremlinin, akuza që zyrtarët rusë i kanë hedhur poshtë.

XS
SM
MD
LG