Lidhje

Shqipëri, mbyllet fushata për zgjedhjet parlamentare


Në Shqipëri sot mbyllet fushata elektorale për zgjedhjet e 25 Prillit. Dy partitë më të mëdha ofruan premtime të ndryshme. Ndërsa socialistët flasin për projekte disa miliarda eurosh që sipas tyre janë gati të nisin, demokratët janë angazhuar për ulje taksash, financime të shumta apo subvencionime të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë.

Ndërsa një muaj më parë, të dyja forcat kryesore politike të vendit hapën fushatat e tyre elektorale në Tiranë, thuajse paralelisht me njëra tjetrën, sot ato organizojnë mitingjet përmbyllëse në mbrëmje, po në të njejtën orë, por në distancë të largët. Demokratët do të jenë sërish në kryeqytet, ndërsa socialistët në Vlorë.

Shqipëri, mbyllet fushata për zgjedhjet parlamentare
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:12 0:00


Për katër javë me radhë drejtuesit e partive lëvizën në të katër cepat e Shqipërisë. Për kryeministrin Edi Rama, mandatI i tretë për socialistët nevojitet që vendi sipas tij të bëjë një hap cilësor për të ardhmen e vet. “Ne sot kemi përpara nesh projektet e shumë dëshiruara ndër vite, por tanimë të përgatitura, të financuara, me kompani nga më të mëdhatë e botës, për të futur në ekonominë tonë 10 miliardë eruo, për të hapur 4 porta nga deti, 4 porta nga qielli, dhe për t’i dhënë këtij vendi të beuar gjithë atë energji të madhe që vjen nga shumëfishimi I udhëtarëve, i vizitorëve i turistëve

Kryetari demokrat Lulzim Basha, nga ana tjetër, duke vizatuar një panoramë të zymtë të gjendjes në të cilën ndodhet sipas tij Shqipëria, ka premtuar ndërhyrje të shumta thuajse në të gjitha drejtimet, duke u angazhuar për ulje taksash, ku në qendër është taksa e sheshtë 9 përqind, apo dhe financime të projekteve zhvillimore e subvencione të ndjeshme për disa sektorë të ekonomisë. “Do të hapim së bashku rrugën dhe do të marrim përgjegjësi për 4 vite punë të palodhshme në shërbim të qytetarëve, të cilët me patjetër do të sjellin ndryshimin që kërkon dhe meriton çdo shqiptar, duke nisur me 100 ditët e para të qeverisjes, të cilat do të jenë 100 ditë intensive, të vështira por pa diskutim një sfidë që do ta kapërcejmë me sukses, për t’i dhënë shqiptarëve atë që meritojnë, shpresën, besimin, mundësinë për të ndërtuar jetën e tyre në një Shqipëri që ecën përpara, një Shqipëri që po kështu ecën drejt integrimit europian. Sepse një nga zotimet tona të 100 ditëve të para mbetet hapja e negociatave me BE-në”, deklaroi kreu i PD-së.

Për zotin Basha, siç ai ka përsëritur në mënyrë të vazhdueshme gjatë gjithë fushatës, koha e kryeministrit Rama ka përfunduar: “Nuk ka shqiptar që nuk e di më se e vetmja mënyrë për ndryshim është vota masive popullore për numrin 9. Dhe largimi përfundimtar i Edi Ramës nga skena politike. 8 vite dështim. 8 vite mjerim. Përgjigjen do ta marrin me votë në kutitë e votimit”.

Nga ana e tij kryeministri Edi Rama është përpjekur të minimizojë rolin e zotit Basha në krye të Partisë Demokratike si dhe të paraqesë bashkëpunimin e saj me LSI-në si dy anët e së shkuarës, madje e të keqes që sipas tij ato përfaqësojnë për vendin: “69-a është numri i djallit. Votove 9-n, të vjen 6, votove 6-n të vjen 9 dhe shkon puna në djall, kur i thonë muhabetit. Merreni seriozisht, nuk është lojë, është serioze dhe shiheni 6-n kush e ka? Mona. Kush e ka nëntën? Luli. Rrotullohen ato pastaj dhe bëhet gjashtëdhjetenëntë dhe të del Iliri me Saliun”, u shpreh gjatë një takimi në Tiranë, kryeministri Edi Rama.

Pak ditë më parë në emisionin Top Story të gazetarit Sokol Balla, zoti Rama deklaroi se nëse nuk do të merrte një mandat të qartë që do e lejonte të qeveriste i vetëm, atëherë ai do të tërhiqej.

Për zotin Basha gjithashtu, këto zgjedhje duket të jenë përcaktuese për drejtimin e ardhshëm të Partisë Demokratike, pas disa humbjesh, edhe në garat për pushtetin vendor.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG