Lidhje

Francë, vritet një administratore policie; autoritetet hapin hetime për terrorizëm


Zyrtarët e rendit në Rambuje të Francës thonë se një person sulmoi me thikë një administratore policie të premten para një stacioni policor në këtë zonë në periferi të Parisit.

Zyrtarët thonë se të paktën një polic hapi zjarr duke e vrarë autorin e sulmit, i identifikuar si një 26-vjeçar me shtetësi tuniziane me banim në Francë. Agjencia franceze e lajmeve njofton se personi nuk kishte të kaluar kriminale dhe nuk ishte individ që kishte pasur përplasje të mëparshme me policinë.

Autoritetet thonë se personi i sulmuar ishte një 49-vjeçare që punonte si administratore policie, e cila po kthehej në punë pas pushimit të drekës kur u godit me thikë. Dëshmitarët thanë se autori i sulmit po thërriste: “Allahu Akbar” – “Zoti është i Madh” në momentin kur e goditi me thikë.

Kryeministri francez Jean Castex, si dhe zyrtarë të tjerë shkuan në skenën e ngjarjes në Rambuje, një zonë e pasur periferike rreth 60 km larg Parisit. Kryeministri dhe prokurori francez kundër terrorizmit Jean-Francois Ricard thanë se incidenti do të hetohej si sulm terrorist.

Presidenti francez Emmanuel Macron komentoi përmes Twitterit se mbarë Franca qëndron përkrah punonjëses, kolegëve të saj dhe forcave franceze të rendit. “Në betejën me terrorizmin islamik, nuk do të dorëzohemi”, tha ai.

Sulmi ndodhi gjashtë muaj pas një incidenti me armë të ftohtë kur një adoleshent islamist ekzekutoi me prerje koke një mësues në një periferi tjetër të Parisit.

Franca është goditur nga një valë sulmesh nga ekstremistë islamistë ose individë të frymëzuar nga kjo ideologji ekstremiste që kanë lënë të vrarë rreth 250 vetë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG