Drejtues komunalë në Karolinën e Veriut thonë se i kanë kërkuar një gjykatësi të bëjë publike xhirimet e kamerave që kishin mbi uniformë policët që qëlluan për vdekje një afrikano-amerikan javën e kaluar.
"Vazhdojmë të bëjmë thirrje për durim ndërkohë që ndjekim këtë proces të rëndësishëm,” tha shefi ekzekutiv i komunës Paskuotank, Daniel Fogg.
Autoritetet lejuan familjen e viktimës Andrew Brown Jr. të shikonte 20 sekonda nga regjistrimi i incidentit.
Një avokat i familjes së zotit Brown tha se në video ai nuk duket se paraqet kërcënim për policët kur po e ngiste makinën prapa dhe tentoi të largohej nga zona. Videoja nuk është bërë publike.
Zoti Brown u qëllua pas koke nga policë të Karolinës së Veriut, ndërkohë që shiheshin qartë duart që i kishte vënë në timon kur policët hapën zjarr, thanë avokatët e familjes të hënën, pasi panë xhirimin.
"Ky incident tragjik ndodhi shumë shpejt, nuk zgjati as 30 sekonda. Kamerat e vëna në uniforma dridhen dhe nganjëherë është e vështirë të kuptohet çfarë po ndodh. Ato kapin vetëm një element të ngjarjes,” tha sherifi Tommy Wooten II.
Vdekja e zotit Brown të mërkurën e kaluar u pasua me protesta dhe thirrjet për drejtësi në komunitetin Elizabeth Siti të Karolinës së Veriut.
Facebook Forum