Lidhje

Përpjekjet e Presidentit Biden për të përmirësuar lidhjet SHBA-Evropë


In this April 15, 2021, file photo, President Joe Biden speaks in the East Room of the White House in Washington. (AP Photo/Andrew Harnik, File)

Udhëheqësit evropianë dhe aleatët e tjerë të Amerikës thonë se Presidenti Joe Biden ka bërë shumë në 100 ditët e tij të para në Shtëpinë e Bardhë për të filluar rindërtimin e besimit në rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara.

Por ndërsa janë dakord me qëllimet e tij kryesore të politikës së jashtme, duke përfshirë përballjen me ngritjen globale të autoritarizmit, ata ende po vazhdojnë t’i peshojnë me kujdes veprimet e administratës së Presidentit Biden, ashtu si armiqtë e Amerikës, thonë analistët dhe diplomatët.

Ata thonë se 78-vjeçari Biden tashmë ka treguar se si një ndryshim në Zyrën Ovale mund të nxisë ndryshime të rëndësishme politike me një premtim se do të ketë më shumë ndryshime në të ardhmen, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara por në të gjithë globin.

Vëzhguesit në Evropë dhe Azi e vlerësojnë udhëheqësin amerikan për angazhimin e tij në bashkëpunimin shumëpalësh dhe nevojën për një përpjekje të koordinuar globale për të trajtuar ndryshimin e klimës. Theksi i ri në rëndësinë e aleancave është një distancim i qartë nga qëndrimet e paraardhësit të zotit Biden, ish-presidentit Donald Trump, thonë ata.

Biden ka "rivendosur axhendën globale duke forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar, duke u larguar nga një qasje e njëanshme për të shfrytëzuar forcën e aleatëve dhe institucioneve globale për të arritur rezultate", thotë Siddharth Tiwari, përfaqësuesi kryesor për Azinë në Bankën Ndërkombëtare për Zgjidhjet. Ai po fliste gjatë një diskutimi në internet të organizuar nga gazeta britanike Financial Times dhe ajo japoneze Nihon Keizai Shimbun.

Në Evropë, Presidenti Biden ka marrë vlerësime të larta edhe nga disa analistë që sugjerojnë se pavarësisht moshës, ai mund të kthehet në një udhëheqës transformues. "Politika prodhon dy lloje udhëheqësish", tha kolumnisti i gazetës britanike me ndikim, Philip Stephens. "Ata që duan një çadër (të jenë të kujdesshëm) dhe të tjerët, në numër shumë më të vogël, të cilët janë të vendosur të ndryshojnë motin (të vendosur për ndryshime pavarësisht rrethanave)". Ai thotë se "Detyra e rizbulimit të fuqisë së një udhëheqësi i ka rënë 78-vjeçarit që tani është në Shtëpinë e Bardhë."

Philip Stephens dhe të tjerët theksojnë hapat që Presidenti Biden po ndërmerr në vend për të rikonfirmuar fuqinë e qeverisë dhe përpjekjet për t’u rimëkëmbur nga ajo që kritikët e ish-presidentit Trump thonë se ishte një luftë politike "e pacivilizuar" e Amerikës me një plan të zgjerimit ekonomik që është krahasuar me Marrëveshjen e Re të Franklin Rooseveltit të viteve 1930. Një paketë financiare e stimulimit ekonomik prej 1.9 trilionë dollarësh tashmë është miratuar nga Kongresi dhe Shtëpia e Bardhë po promovon një paketë masive të infrastrukturës dhe arsimit që mund të ndihmojë në qetësimin e anktheve socio-ekonomike të votuesve të klasës punëtore të bardhë që u larguan nga Partia Demokrate dhe mbështetën republikanin populist, Donald Trump.

Ekonomia

Shumë analistë thonë se gjendja ekonomike e Amerikës do të jetë thelbësore në përpjekjen e Shteteve të Bashkuara për t’u rikthyer në rolin e saj udhëheqës në skenën globale. "Në qoftë se ekonomia amerikane nuk rimëkëmbet, atëherë unë mendoj se diplomacia amerikane nuk do të jetë në gjendje të rimëkëmbet nga epoka e ish-presidentit Trump", tha Richard McGregor nga Instituti Lowy, në Australi.

Rimëkëmbja ekonomike mund të ndihmojë Presidentin Biden për të riparuar disa nga përçarjet në Amerikë, thekson Georg Löfflmann, një studiues në Universitetin e Britanisë në Warwick. Por ai vuri në dukje se "Presidenti Joe Biden përballet me një detyrë të madhe për të bashkuar një vend thellësisht të ndarë që vazhdon të përballet me mosmarrëveshje mbi çështjet kryesore si imigracioni, ndryshimi i klimës dhe racizmi në Shtetet e Bashkuara."

Suksesi i brendshëm do të sjellë sukses më të madh në politikën e jashtme, thonë analistët. Këto dy çështje janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën. "Në 100 ditët e tij të para, Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden ka ndërmarrë hapa, që janë përshëndetur nga të tjerët, për trajtimin e ndryshimit të klimës, përfshirë krijimin e një qasjeje "nga e gjithë qeveria", rikthimin tek Marrëveshja e Parisit për klimën dhe angazhimin e ekspertëve të klimës për të ndërmarrë veprime në të gjithë administratën", thanë studiuesit Antony Froggatt dhe Rebecca Peters.

Në një artikull të përbashkët për institutin e politikave të Britanisë, Chatham House, ata paralajmëruan se "sfida e vërtetë po afrohet". Ata theksojnë se, "Për të afirmuar legjimitetin e Shteteve të Bashkuara për çështjen e klimës në një mjedis politik përçarës në vend, Biden ka nevojë që njëkohësisht t'i japë përparësi politikave të brendshme, ndërsa rindërton aleancat ndërkombëtare për të treguar që administrata e tij mund të përmbushë angazhimet e saj afatgjata.”

Ndërsa politikëbërësit në të dyja anët e Atlantikut janë të vendosur të riparojnë marrëdhëniet e dobëta dhe t’i bëjnë më të qëndrueshme demokracitë e shkatërruara nga trazirat e papara politike të brendshme dhe të sfiduara nga fuqitë autoritare, ata e pranojnë se përballen me një rrugë të ndërlikuar përpara. Janë arritur disa marrëvshje të shpejta për një sërë çështjesh mes Brukselit dhe Uashingtonit, të nxitura nga etja për një bashkëpunim më të ngushtë.

Megjithatë, ka ende dallime të mëdha mes dy palëve. Ekipi i Presidentit Biden po ndeshet me disa nga të njëjtat sfida që kontribuan në tendosjen e lidhjeve Euro-Atlantike, së pari gjatë mandatit të Barak Obamës në Zyrën Ovale, dhe pastaj në një shkallë shumë më të madhe nën administratën e ish-Presidentit Trump, i cili e identifikoi Evropën si një kundërshtar ekonomik dhe u ankua në lidhje me qëllimin e NATO-s.

Të gjitha qeveritë e vendeve të BE-së e kanë mirëpritur synimin e Presidentit Biden për të ringjallur lidhjet SHBA-Evropë dhe janë lehtësuar nga largimi i gjuhës armiqësore. Megjithatë, Uashingtoni tani po përballet me një BE që po përqëndrohen tek vetja, me bllokun e përqendruar në mbrojtjen e tregut të tij post-pandemik dhe mbrojtjen e kampionëve të tij industrialë, thonë analistët. Ata theksojnë se BE po përpiqet të bëhet një lojtare e pavarur globale e përqëndruar më shumë në interesat e saj. E gjithë kjo ka të ngjarë të përkeqësojë disa fërkime tregtare dhe gjeopolitike.

Konsensusi transatlantik pas Luftës së Dytë Botërore po ndërlikohet edhe nga përçarjet brenda bllokut në lidhje me rrugën më të mirë për të trajtuar rritjen e fuqisë së Kinës komuniste dhe mënyrën e menaxhimit të një Rusie revanshiste, shtojnë ata. Kjo po i vendos disa qeveri populiste evropiane në një pozitë të vështirë, përfshirë Hungarinë. Kryeministri hungarez Viktor Orban është akuzuar se po anon nga kundërshtarët në përballjen mes Perëndimit dhe qeverive autokratike të Rusisë dhe Kinës.

“Në botën transaksionare të politikës së jashtme Trumpiste, ishte krejt në rregull për shumë udhëheqës evropianë si Viktor Orbani që të bënin këtë përjashtim në përballjet mes autokracive Lindore dhe demokracive Perëndimore. Tani, ata duhet të zgjedhin njërën anë", tha Katalin Cseh, një politikane liberale hungareze, gjatë një diskutimi në internet mes ligjvënësve të BE-së mbi 100 ditët e para të administratës së Presidentit Biden. Diskutimi u organizua nga organizata Visegrad Insight, me seli në Varshavë.

Por strategjia më konfrontuese e Preisdentit Biden ndaj Kinës paraqet probleme edhe për Evropën në tërësi, thanë pjesëmarrësit në këtë diskutim. "Sfida jonë është të vazhdojmë tregtinë me Kinën, dhe njëkohësisht të ruajmë aleancën tonë me Shtetet e Bashkuara. Kjo nuk do të jetë e lehtë”, tha Radosław Sikorski, një ligjvënës evropian dhe ish-ministër i jashtëm i Polonisë.

Mbingarkesa shihet gjithashtu si një rrezik në të ardhmen për administratën e Presidentit Biden, e cila do të ndeshet me një numër sfidash të politikës së jashtme, përfshirë frenimin e përhapjes së koronavirus dhe përfundimin e fushatës së vaksinimit. Deri më tani, administratës së Presidentit Bidenit i janë dhënë vlerësime të larta për ndërthurjen e pragmatizmit syhapur me idealizmin në mënyrën se si po merret me Rusinë, Kinën dhe Iranin, duke ofruar shkopin dhe karotën.

"Zoti Biden po përpiqet të ndjekë një politikë me dy drejtime, duke u përpjekur t’u rezistojë dhe të shprehë simpati ndaj regjimeve të tilla me synimin për të kufizuar ambiciet e tyre territoriale, për të dekurajuar shkeljen e të drejtave të njeriut dhe ndërhyrjet transnacionale, ndërsa ai punon me ta aty ku interesat e tyre mund të përputhen me ato të Amerikës", thuhet në një analizë të revistës britanike The Economist.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG