Lidhje

Diplomati amerikan: Mos i nënvlerësoni forcat afgane të sigurisë


Zalmay Khalilzad
Zalmay Khalilzad

Ligjvënësit amerikanë, të shqetësuar për tërheqjen së shpejti të trupave amerikane nga Afganistani, patën rastin të marrin një dozë optimizmi të kujdesshme nga diplomati që ndihmoi në ndërmjetësimin e marrëveshjes së vitit të kaluar me talebanët, që hapi rrugën për tërheqjen amerikane.

Zalmay Khalilzad, përfaqësuesi special i Shteteve të Bashkuara në procesin e pajtimit në Afganistan, foli të marën para Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë.

Ai u tha ligjvënësve se ndërsa talebanët nuk kanë përmbushur plotësisht të gjitha aspektet e marrëveshjes së tyre, e ardhma e vendit është larg dështimit.

“Nuk besoj se qeveria do të bjerë, dhe talebanët do të marrin drejtimin. Personalisht nuk besoj se do të kemi një kolaps të afërt. Sipas gjykimit tim, do të ishte gabim të vlerësohej se forcat afgane të sigurisë nuk do të veprojnë si duhet, pavarësisht se përballen me rrethana më të vështira”, tha zoti Khalizad.

Dyshimet për tërheqjen

Kritikët e tërheqjes kanë shprehur shqetësime lidhur me të ardhmen e Afganistanit pas njoftimit të Presidentit Joe Biden në fillim të muajit për tërheqjen e 2,500 deri 3,500 trupave amerikane nga Afganistani duke filluar nga 1 maji.

Ligjvënësit shprehën të martën shqetësimin mbi sigurinë e afganëve që punuan me forcat amerikane gjatë dy dekadave të fundit dhe rreth asaj që do të ndodhë me të drejtat e grave ndërsa ka gjasa që talebanët të fitojnë më shumë pushtet.

Ron Johnson
Ron Johnson

“Jam i shqetësuar për ekzekutimet publike dhe format e tjera të brutalitetit që do të jenë tepër fyese. A do të rrimë në prapaskenë dhe të ndjekim ato që ndodhin? Të shtrëngojmë duart dhe pikëllohemi për faktin se patëm bërë shumë përparime”, tha Senatori republikan Ron Johnson të martën.

Zyrtarë të ushtrisë amerikane dhe një organizatë që mbikëqyr qeverinë amerikane kanë shprehur gjithashtu rezerva lidhur me tërheqjen. Ata kanë shprehur shqetësimin se ushtria afgane nuk mund t’u bëjë ballë talebanëve pa ndihmën e trupave amerikane dhe të koalicionit dhe mijëra kontraktorëve civilë që janë thelbësorë për mirëmbajtjen dhe logjistikën.

Por ambasadori Khalilzad tha të martën se shqetësime të tilla nuk duhet të hidhen poshtë dhe se Amerika nuk ka shumë përfitime që të mbajë më gjatë trupat në Afganistan.

“Marrëveshja që arritëm me talebanët ishte më e mira e mundshme në bazë të rrethanave. Nëse do të qëndronim më gjatë, do të përballeshim me luftë”, u tha ligjvënësve zoti Khalilzad.

Ai shtoi se numri aktual i trupave amerikane në Afganistan mund të mos kishte qenë i mjaftueshëm për t’i bërë ballë një sulmi nga talebanët.

“Mund ishte shtruar nevoja për më shumë forca për të ruajtur status quo-në, për të mos humbur terren të rëndësishëm”, tha ai, duke paralajmëruar se madje edhe para nënshkrimit të marrëveshjes me talebanët, “balanca ushtarake po ndryshonte territorin, negativisht gjatë viteve të fundit.”

Zoti Khalilzad tha se talebanët janë paralajmëruar për pasojat e mosrespektimit të të gjitha aspekteve të marrërveshjes dhe refuzimit të bisedimeve me qeverinë aktuale të Afganistanit.

“Nëse ata pengojnë marrëveshjen e negociuar dhe ndërmarrin veprime ushtarake, ata do të përballen jo vetëm me Republikën e Afganistanit, por edhe me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët dhe partnerët tanë. Ata do të përballen me izolim, kundërshti rajonale, sanksione dhe censurë ndërkombëtare ”, tha ai.

Largimi i diplomatëve amerikanë

Departamenti i Shtetit urdhëroi të martën që disa punonjës të ambasadës në Kabul të ktheheshin në vend, duke theksuar rritjen e dhunës. Ky veprim u dha kritikëve më shumë arsye për shqetësim. Punonjësit e ambasadës e mbrojtën vendim, duke thënë se kjo nuk do të ndikojë tek detyrat kritike të ambasadës.

“Duke minimizuar numrin e punonjësve, funksionet e të cilëve mund të kryhen diku tjetër, do të kemi në vend personelin e nevojshëm për të adresuar çështje që lidhen me tërheqjen e forcave amerikane dhe punën jetësore që po bëjmë në mbështetje të popullit afgan”, tha i ngarkuari me punë i ambasadës Ross Wilson. “Nuk parashikojmë ndonjë ndryshim në operacionet tona.”

Sidoqoftë, planifikuesit ushtarakë amerikanë po përgatiten mbi mundësinë që talebanët, ose një grup tjetër, mund të vënë në shënjestër truapat amerikane dhe të NATO-s, ndërsa vazhdojnë përpjekjet e tërheqjes nga Afganistani.

Pentagoni ka dërguar katër aeroplanë bombardues të tipit B-52 në bazën ajrore al-Udeid të Katarit në rast nevoje për të mbështetur rreth 10 mijë trupa amerikane dhe të NATO-s që gjenden aktualisht në Afganistan.

Aeroplanmbajtësja USS Dwight D. Eisenhower do të qëndrojë në rajon për të mbështetur fillimin e tërheqjes ndërsa zyrtarët thonë se forca tokësore, për mbrojtje dhe logjistike, po ashtu mund të dërgohen për të ndihmuar me tërheqjen.

Gjeneral Kenneth “Frank” McKenzie
Gjeneral Kenneth “Frank” McKenzie

“Kemi një plan të fortë që do të na mundësojë të kemi një tërheqje të mbrojtur mirë të trupave amerikane dhe të koalicionit”, tha Gjenerali Kenneth “Frank” McKenzie i Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara gjatë një forumi virtual të martën.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG