Lidhje

Aziatiko-amerikanët, grupim në rritje në SHBA


Qendra Kërkimore Pew nxori të enjten një analizë bazuar në të dhënat e mbledhura nga censusi i popullatës amerikane në 2019 që tregojnë se numri i aziatiko-amerikanëve ka arritur në 24 milionë vetë.

Organizata studimore me seli në Uashintgton kishte parashikuar më parë që ky grup do të përbëhej nga 40 milionë vetë deri në 2060 dhe se në atë kohë aziatiko-amerikanët do të jenë grupi më i madh imigrant në Shtetet e Bashkuara.

Grupi studimor tha të enjten se e gjithë popullata aziatiko-amerikane është me origjinë nga 19 vende dhe se kinezo-amerikanët përbëjnë 23% të këtij grupimi.

Për sa i përket përhapjes gjeografike, analiza tregon se 45% e aziatiko-amerikanëve jetojnë në shtete në perëndimin amerikan, ndërsa 24% jetojnë në jug të vendit.

Qendra Pew raportoi në 2017 se rreth 14.5% e 10.5 milionë imigrantëve pa dokumente në vend ishin me origjinë nga Azia.

Studimi arrin në përfundimin se 57% e aziatiko-amerikanëve kishin lindur në një vend tjetër dhe jo në SHBA.

Nga viti 2000 deri në 2019, sipas organizatës Pew, numri i personave nga Butani, Nepali dhe Mianmari u rrit me ritmet më të shpejta, ndërsa numri i të ardhurve nga Laosi dhe Japonia shënoi ritmet më të ulëta të rritjes.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG