Lidhje

Presidenti Biden rendit arritjet në tubimin në 100 ditët e para në detyrë


Në ditën e 100 të administratës së tij të re, Presidenti Biden tha se nuk kishte qenë kurrë më optimist për të ardhmen e Amerikës, sepse vendi “është përsëri në veprim. Ne kemi zgjedhur shpresën mbi frikën, të vërtetën mbi gënjeshtrat, dritën mbi errësirën”.

Presidenti Biden foli në një tubim ku pjesëmarrësit qëndruan në makina, të mbledhur pranë Atlantës në shtetin Xhorxhia. Aktiviteti u organizua nga Komiteti Kombëtar Demokrat.

"Ju po dëshmoni se demokracia ofron zgjidhje për njerëzit,” tha presidenti. Fjalët e tij u përcollën me zhurmën entuziaste të borive të makinave.

Shteti i Xhorxhias siguroi dy vende ekstra për demokratët në Senat pas zgjedhjeve të fundit, duke e bërë më të lehtë miratimin e nismave legjislative të presidentit në Kongres.

Presidenti Biden arriti të sigurojë miratimin e Planit për Shpëtim muajin e kaluar, falë 50 demokratëve në Senat.

Në përgjigje të brohoritjeve nga pjesëmarrësit që kërkuan veprim në ndihmë të familjeve imigrante pa dokumente, të bllokuara në qendra federale në kufi, presidenti tha:

“Po punoj në atë drejtim. Më jepni pak kohë”.

Më pas presidenti u kujtoi pjesëmarrësve se kishte mbajtur premtimin për të shpejtuar vaksinimet dhe për t’u dërguar ndihma amerikanëve në nevojë në mes të pandemisë.

Turneu i fitores nga Presidenti Biden u zhvillua më pak se 24 orë pasi ai mbajti fjalimin e tij të parë në një seancë të përbashkët të Kongresit, ku promovoi propozimet e tij për shtimin e vendeve të punës, modernizimin e infrastrukturës, ndihmën për familjet, kujdesin për fëmijët si dhe mbështetje për arsimin që do të kushtonin triliona dollarë.

100 ditët e para të një presidenti amerikan janë bërë një moment i rëndësishëm historik që kur Franklin D. Roosevelt mori detyrën në vitin 1933 gjatë Depresionit të Madh.

"Aspiratat e amerikanëve kanë përkufizuar këto 100 ditë të para," tha Nënpresidentja Kamala Harris të enjten në një qendër të madhe vaksinimi në një stadium në Baltimorë.

Nënpresidentja tha se kur ajo dhe Presidenti Biden morën detyrën, "Më shumë se 10 milionë amerikanë ishin pa punë. Shkollat dhe bizneset ishin të mbyllura. Dhe përveç pandemisë, demokracia jonë ishte shenjestruar. Kapitoli ynë sapo ishte sulmuar nga kryengritësit".

Arritjet e ekipit Biden-Harris në 100 ditët e para nuk u kanë bërë përshtypje udhëheqësve të republikanëve në Senat.

Axhenda e demokratëve është "një përpjekje për të vazhduar ta tërheqin zvarrë vendin por ta çuar sa më shpejt e më thellë nga e majta,” tha senatori Mitch McConnell.

"Presidenti ynë nuk do të lërë gjurmë në histori nëse vazhdon me këtë qëndrim të njëanshëm përmes radikalizmit", shtoi senatori McConnell në një deklaratë në lidhje me 100 ditëshin e parë të Presidentit Biden. "Ai nuk do të ketë shumë arritje në këtë mënyrë. Kjo nuk do të jetë e mirë për vendin. Dhe çfarëdo që demokratët bëjnë përmes forcës së egër partiake do të jetë e brishtë", thuhet në deklaratën e udhëheqësit të pakicës republikane në senat.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG