Lidhje

Dita ndërkombëtare e lirisë së shprehjes në Kosovë


Dita ndërkombëtare e lirisë së shprehjes në Kosovë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:16 0:00

Më 24 shkurt të këtij viti, gazetari Visar Duriqi nga gazeta në internet, Insajderi, u sulmua nga disa persona të panjohur pak para se të hynte në shtëpi. Ende nuk dihet asgjë për autorët e incidentit që paraqet sulmin më të rëndë gjatë ktij viti ndaj gazetarëve në Kosovë.

Po gjatë kësaj periudhe, sipas shoqatave të gazetarëve, janë regjistruar katër raste të kërcënimeve. Kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli thotë se mosndëshkueshmëria e sulmuesve ka vështirësuar punën e gazetarëve.

“Sulmuesit e dinë që me shumë lehtësi vazhdojnë avazin e njëjtë, sepse drejtësia vonon shumë, dënimet janë qesharake dhe keqbërësit edhe pas shlyerjes të atyre dënimeve shumë të vogla kthehen pa u penguar në profesionin e tyre që kanë ushtruar para kryerjes së veprës së tyre”, tha ajo.

Zonja Begolli tha gjatë një konferencë me titull “Liria e medias dhe siguria e gazetarëve” se mjedisi aktual i ushtrimit të profesionit të gazetarisë është përkeqësuar.

Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, tha se liria e shtypit është thelbësore për të siguruar transparencën dhe llogaridhënien, si parimet kryesore të qeverisjes së mirë dhe demokracisë. Ai tha se Kosova vitin e fundit ka shënuar kthim mbrapa në lirinë e medias.

“Në vitin 2020 me keqardhje themi, ka pasur 30 raste kërcënimesh dhe sulmesh ndaj gazetarëve. Misioni i OSBE-së i dënon pa asnjë mëdyshje këto sulme dhe çdo përpjekje për të kërcënuar, poshtëruar ose ngacmuar gazetarët dhe misioni ynë qëndron në mbështetje të gazetarëve dhe punonjësve të medias”, tha ai.

Ulrika Richardson, bashkërenduese për zhvillim në kuadër të Kombeve të Bashkuara tha se që nga viti 2016 kjo është hera e parë që Kosova bie në renditje sa i përket lirisë së medias dhe mbrojtjes së gazetarëve.

“Shohim se si për herë të parë që nga viti 2016 renditja e Kosovës ka rënë dhe kjo nuk është lajm i mirë. Dua të them se ky është një alarm dhe thirrje për të rritur vëmendjen për mbrojtjen e gazetarëve në mënyrë që të mund të kryejnë punën e tyre pa frikë për jetën, pa frikën e diskriminimit apo çdo lloj hakmarrje dhe fatkeqësisht kemi parë se si dhuna vazhdon dhe është rritur kundër gazetarëve”, tha ajo.

Ndërsa, shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë, Lars-Gunnar Ëigemark duke folur për rëndësinë e dënimit të autorëve të dhunës ndaj gazetarëve tha se sundimi i ligjit është thelbësor për lirinë e medias.

“Unë besoj se ky mosndëshkim që ekziston për rastet e kërcënimit dhe frikësimit të gazetarëve, mund të kontrollohet më mirë nëse drejtësia do të ishte e shpejtë. Zbatuesit e ligjit, prokurorët duhet të ushtrojnë ndjekjen e çdo kërcënimi ndaj gazetarit”, tha ai.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, shkroi se “një shtyp i lirë - që informon publikun, fuqizon zëra të ndryshëm dhe i mban përgjegjës zyrtarët - është një përbërës thelbësor në çdo demokraci”, duke nënvizuar se kërcënimet dhe sulmet kundër gazetarëve janë sulme kundër vetë demokracisë.

Raporti i fundit i Gazetarëve pa Kufij e rediti Kosovën në vendin e 78-të për shkallën e lirisë së shprehjes, që paraqet një rënie prej tetë vendesh krahasuar me një vit më parë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG