Lidhje

Duke kujtuar “Luftën e Mirë” të Walter Mondale


Duke kujtuar “Luftën e Mirë” të Walter Mondale
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:56 0:00

Ndërsa vërshojnë homazhet në nderim të ish-Nënpresidentin amerikan Walter Mondale, i cili vdiq në moshën 93 vjeçare në Minneapolis, Minesota më 19 prill, korrespondenti i Zërit të Amerikës Kane Farabaugh hedh një vështrim retrospektiv tek intervistat ekskluzive me politikanin demokrat që ideoi të ashtuquajturën "lufta e mirë".

Duke i hedhur një vështrim karrierës së gjatë në politikë, në të cilën ai e karakterizonte veten si "një liberal i vjetër", Walter Mondale, i njohur gjithashtu si "Fritz", nuk pati ndonjë keqardhje.

“Unë bëra atë që doja të bëja, e bëra ashtu siç doja ta bëja. Nuk ndiej keqardhje që godita fort”, thoshte zoti Mondale.

Por, njerëzit kujtojnë më shumë goditjet politike që ai mori si kandidat për president i Partisë Demokrate në 1984, kur ai u përball me më të moshuarin Ronald Reagan.

“Unë nuk do ta bëj moshën çështje të kësaj fushate. Unë nuk do të shfrytëzoj, për qëllime politike, rininë dhe mungesën e përvojës së kundërshtarit tim”, tha në vitin 1984 Presidenti Ronald Reagan.

“Mendoj se ai dha me këto komente një goditje që ishte mjaft efektive. Mes të qeshurave, më rrodhën edhe lotë", tregonte zoti Mondale.

Ndërsa zoti Mondale humbi zgjedhjet presidenciale të vitit 1984 me një diferencë të madhe, ai thotë se fitoi "luftën e mirë" - duke mbrojtur të drejtat civile në vitet 1960 dhe 1970 - së pari si prokuror i përgjithshëm i Minesotës, më vonë si senator i Shteteve të Bashkuara. Dhe përfundimisht si nënpresident duke shërbyer me Presidentin Jimmy Carter nga viti 1977 në 1981.

Presidenti Carter i dha atij një rol të zgjeruar në Shtëpinë e Bardhë.

“Si këshilltar dhe zgjidhës problemesh për presidentin, si zëdhënës për presidentin në Kongres, në mbarë vendin dhe në misionet diplomatike, si dhe një mik dhe këshilltar konfidencial sipas nevojës”, tregonte zoti Mondale.

Me përgjegjësi të shtuara, Nënpresidenti Mondale kishte një rol kryesor në bashkëpunimin me Presidentin Carter për normalizimin e marrëdhënieve me Kinën, rikthimin e administrimit të Kanalit të Panamasë tek Panamaja, negocimin e traktateve të armëve me Bashkimin Sovjetik dhe sigurimin e Marrëveshjeve të Paqes në “Camp David” mes Egjiptit dhe Izraelit.

Ai ishte gjithashtu në krah të Presidentit Carter gjatë një rënieje ekonomike dhe krizës së pengjeve në Iran.

"Nuk patëm luftë. Thamë të vërtetën; iu bindëm ligjit. Vendosëm një standard të mirë të sjelljes personale. E vumë vendin në anën e të drejtave të njeriut. U përpoqëm të përdorim forcën e vendit tonë për të sjellë paqe, për të zgjidhur mosmarrëveshjet", thoshte zoti Mondale.

Megjithëse shërbeu vetëm për një mandat që mbaroi në vitin 1981, zoti Mondale e transformoi nënpresidencën, duke krijuar një precedent për çdo nënpresident të ardhshëm.

Pasi shërbeu si ambasador i Presidentit Bill Clinton në Japoni në vitet 1990 dhe pas një kandidimi të pasuksesshëm për t'u rikthyer në Senatin amerikan në vitin 2002, zoti Mondale mori rolin e një burri shteti në Partinë Demokrate.

Zoti Mondale dokumentoi jetën dhe karrierën e tij në një botim të vitit 2010 me titullin "Lufta e Mirë".

"Cila është lufta e mirë për të cilën dëshiron që të të kujtojnë?", e pyeste korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kane Farabaugh.

“Jam përpjekur të jem apostull për drejtësinë shoqërore dhe mirësjelljen. Jam përpjekur të jem një nga ata udhëheqës në historinë e kombit tonë që janë përpjekur të anojnë drejt drejtësisë dhe hapjes. Kjo ishte jeta ime. Doja që njerëzit ta ndjejnë se kërkohen, se janë të nevojshëm dhe se në Amerikë trajtohen me drejtësi", thoshte Walter Mondale, ish-Nënpresident i Shteteve të Bashkuara.

"Lufta e mirë" e zotit Mondale për të drejtat civile dhe drejtësinë vazhdon në shtetin e tij të Minesotës edhe pas vdekjes së tij, vetëm një ditë përpara se oficeri i policisë së Minneapolisit, Derek Chauvin, të shpallej fajtor për vrasjen e George Floyd-it.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG