Lidhje

Izrael, presidenti zgjedh rivalin më të fortë të Netanjahut për të formuar qeverinë


Presidenti i Izraelit i ka dhënë rivalit më të fortë të Kryeministrit Benjamin Netanjahu mandatin për formimit e një qeverie të re, kjo pasi zoti Netanjahu nuk arriti të siguronte një koalicion qeverisës deri të martën në mesnatë.

Presidenti Reuven Rivlin njoftoi se kishte zgjedhur Yair Lapid, partia e të cilit Yesh Atid, një formacion politik i qendrës, doli e dyta në zgjedhjet e muajit mars, pas partisë së krahut të djathtë Likud, të zotit Netanjahu.

Në një fjalim televiziv, zoti Rivlin tha se ish-ministri i Financave kishte premtuar mbështetjen e 56 prej 120 anëtarëve të parlamentit, por ende larg një mazhorance.

"Është e qartë se anëtari i parlamentit Yair Lapid mund të formojë një qeveri që ka besimin tek organi legjislativ, pavarësisht vështirësive", tha zoti Rivlin.

Më 23 mars asnjë parti nuk arriti të sigurojë shumicën e vendeve në parlamentin prej 120 anëtarësh, çka bën të domosdoshëm krijimin e një koalicioni qeverisës. Këto ishin zgjedhjet e katërta në Izrael në më pak se dy vjet.

71-vjeçari Benjamin Netanjahu ka qenë kryeministër që nga viti 2009 pasi ushtroi të njëjtën detyre për tre vite, në 1990. Ai ka bërë përpjekje të forta për të qëndruar në pushtet gjatë dy viteve të fundit, mes ngërçit politik për shkak të zgjedhjeve që nuk kanë nxjerrë një fitues të qartë.

Aktualisht ndaj tij po zhvillohet një proces gjyqësor nën akuza për korrupsion, të cilat ai i ka hedhur poshtë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG