Lidhje

Turqi, rritja e infeksioneve rikthen masat kufizuese


Turqi, rritja e infeksioneve rikthen masat kufizuese
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:31 0:00

Turqia konsiderohej kohët e fundit si një nga vendet më të suksesshme në kontrollimin e përhapjes së COVID-19, duke bërë që qeveria të lehtësonte kufizimet. Por një rritje e infeksioneve, e shoqëruar me mungesa të vaksinave çuan në rikthimin e masave më të forta kufizuese. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones sjellë hollësitë nga Stambolli.

Në Stamboll dhe pjesën tjetër të vendit janë rivendosur masat kufizuese ndaj Covid-19, këtë radhë për gati tre javë dhe me kontrolle më të ashpra.

Policia po zbaton në mënyrë intensive masën e ndalim-qarkullimit. Vetëm punonjësit e domosdoshëm lejohen të lëvizin, si dhe udhëtimet e shkurtra për blerje të ushqimeve.

Duke folur pak para rikthimit të kufizimeve, një pronar dyqani i tha Zërit të Amerikës se masat e reja janë një goditje e rëndë për biznesin e tij.

“Sapo kishim filluar t’i kompensonim humbjet e vitit të kaluar dhe të ktheheshim në një lloj normaliteti në pragë të arritjes së verës, dhe kthimit të klientëve. Por fatkeqësisht, kjo do të na kthejë mbrapa", tha Tylani, pronar dyqani në Stamboll.

Kufizimet e mëparshme dhe objektet moderne spitalore kishin ulur shkallën e infeksionit, duke nxitur qeverinë që të lehtësonte masat kifizuese në fillim të këtij viti.

President turk Rexhep Tajip Erdogan madje kishte guximin të zhvillonte një seri tubimesh partiake në të gjithë vendin. Brenda javësh infeksionet u pesëfishuan, duke arritur nivelin më të lartë në Evropë.

“Ata menjëherë vendosën të rihapnin vendin dhe shoqërinë. Sigurisht, ne e kuptojmë këtë sepse të gjithë njerëzit në vend janë në vështirësi ekonomike dhe qeveria nuk mund t’i mbështesë të gjithë. Kështu që niveli i varfërisë është shumë i lartë", thotë kryetarja e Shoqatës Turke të Mjekësisë, Sebnem Korur Fincanci.

Shqetësimet në Turqi u rritën, kur ministri i shëndetësisë tha se vonesat në dërgesat e vaksinave nga Kina kishin ngadalësuar fushatën e vaksinimit në vend.

Por Ankaraja njoftoi se Rusia do të fillojë të eksportojë vaksinën e saj Sputnik V më vonë këtë muaj. Megjithatë, në mungesë të mbështetjes financiare për kufizimet e fundit, grupet kundër varfërisë paralajmërojnë se shumë njerëz janë të dëshpëruar.

“Ata janë në panik. Pyesin ‘çfarë do të bëjmë? Tani nuk kemi ushqim dhe ujë. Ne kemi fatura, nuk mund të paguajmë qiranë. Zakonisht, paniku ka të bëjë me mungesën e ushqimit dhe kujdesin për foshnjet”, thotë për Zërin e Amerikës Hecer Foggo nga Rrjeti i Varfërisë së Thellë.

Zyrtarët qeveritarë shpresojnë se këto masa kufizuese do të shpëtojnë ekonominë, veçanërisht industrinë e rëndësishme të turizmit, ndërsa po afrohet me shpejtësi sezoni i pushimeve.

Por tani për tani, shumë njerëz në Stamboll po mbështeten në shpërndarjet e ushqimeve falas, dhe shpresojnë se ky bllokim do të jetë i fundit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG