Lidhje

Posti udhëheqës i republikanes nr 3 në Dhomën e Përfaqësuesve, gjithnjë e më i rrezikuar


Shanset që republikania numër 3 e Dhomës së Përfaqësuesve, Liz Cheney të mbajë pozicionin e saj po bëhen gjithnjë e më të pakta, ndërsa udhëheqësit e partisë së saj shprehën mbështetjen për pasuesen e mundshme të saj, duke sinjalizuar që pasojat e përplasjeve të saj me ish- Presidentin Donald Trump po bëhen gjithnjë e më të pakapërcyeshme.

Zoti Trump nxorri një deklaratë duke dhënë "Mbështetjen e plotë dhe pa rezerva" për zëvendësimin e zonjës Cheney me republikanen nga Nju Jorku, Elise Stefanik.

36-vjeçarja Elise Stefanik, e cila ka katër mandate në Dhomën e Përfaqësuesve, ka qenë ndër mbështetësit më të zjarrtë të zotit Trump në Kongres, kryesisht mes grave. Ajo reagoi menjëherë.

"Faleminderit President Trump për mbështetjen tuaj 100% për postin e Kryetares së Konferencës republikane të Dhomës së Përfaqësuesve. Ne jemi të bashkuar dhe të përqendruar për të shkarkuar PELOSIN & PËR FITORE në 2022!" shkruante ajo në Twitter.

Numri dy i udhëheqjes republikane në Dhomën e Përfaqësuesve bëri thirrje publike të mërkurën për largimin e ligjvënëses Cheney nga udhëheqja e partisë. Kjo thirrje vjen ndërsa shtohen përpjekjet për heqjen e ligjvënëses pas kritikave të saj ashpra ndaj ish-Presidentit Donald Trump.

Ligjvënësi Steve Scalise, numri dy i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, po mbështet zonjën Stefanik për postin e zonjës Cheney, tha Lauren Fine, zëdhënëse e zotit Scalise.

Deklarata publike nga republikani që përfaqëson Luizianën, ishte thirrja e parë e qartë nga udhëheqja republikane për largimin e ligjvënëses Cheney nga drejtimi i partisë. Ajo është numri tre i udhëheqjes republikane në Dhomën e Përfaqësueve.

Liz Cheney, përfaqësuese republikane e shtetit Uajoming (Wyoming), ka nxitur zemërimin e republikanëve pas shkëmbimeve të shpeshta me zotin Trump, duke denoncuar pretendimin e tij të rremë se zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 u vodhën.

“Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve duhet të jenë të përqendruar vetëm në marrjen e kontrollit të Kongresit në vitin 2022 dhe luftën kundër Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi si dhe agjendës socialiste radikale të Presidentit Biden. Elise Stefanik është fuqimisht e përkushtuar për ta bërë këtë, prandaj zoti Scalise është zotuar ta mbështesë atë për postin e Kryetares së Konferencës”, tha zëdhënësja Fine.

Udhëheqësi i pakicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, përfaqësues i Kalifornisë, tha të martën se republikanë të rangut të lartë ishin të shqetësuar lidhur me “aftësitë e ligjvënëses Cheney për të kryer detyrën e saj”, si rezultat i komenteve të saj publike në adresë të zotit Trump.

Pa mbështetjen e dy drejtuesve më të lartë të udhëheqjes republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, McCarthy dhe Scalise, e ardhmja politike e zonjës Cheney në Dhomën e Përfaqësuesve duket gjithnjë e më e vogël. Javën që vjen mund të votohet për zëvendësimin e saj në rolin udhëheqës.

Intervistat me shtatë ligjvënës dhe ndihmës nga i gjithë spektri ideologjik i Partisë Republikane tregojnë se ajo nuk do t’i mbijetojë sfidës. Vetëm një prej tyre tha se zonja Cheney ka një shans 50-50. Të intervistuarit vunë theksin tek braktisja e saj nga zoti McCarthy dhe këmbëngulja e saj për të kritikuar zotin Trump. Ata i shprehën pikpamjet e tyre në kushte anonimiteti.

Disa republikanë përmenden emrin e zonjës Stefanik të martën mes pretendentëve për postin, por mbështetja e hapur e zotit Scalise e bën atë preferuar për postin.

Ligjvënësja Cheney është gruaja që ka postin më të lartë në udhëheqjen republikane. Heqja e saj, pa e zëvendësuar atë me një grua tjetër, mund të jetë politikisht e dëmshme për një parti që kërkon të forcojë mbështetjen e dobët që ka tek votueset gra.

Vetëm 31 gra republikane janë zgjedhur në Dhomën e Përfaqësuesve, 13 më shumë se legjislaturën e vitit të kaluar dhe rreth një e treta krahasuar me gratë demokrate.

Ajo që mund të shihet si një luftë mes udhëheqësve të opozitës në Kongres, të cilët po përpiqen të gjejnë një mënyrë për të siguruar fitoren, është tjetërsuar në një moment ndryshues për republikanët dhe për vendin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG